Pas mbledhjes së kryesisë, lidhur me vendimin për djegien e mandateve, Lulzim Basha ka dalë para mediave. Ai është pyetur për deklaratën e ambasadës së SHBA, ku dënohej kërcënimi për dorëzimin e mandateve dhe u kërkohej deputetëve të mos i binden këtij akti.
Nuk komentoj deklaratat e përfaqësuesve të huaj, tha Basha, por shtoi se: Për mua dhe për PD nuk ka frymëzim më të madh se Amerika dhe historia e saj.
Lulzim Basha iu përgjigj deklaratës së ambasadës amerikane në Tiranë me një nga fjalimet më të rëndësishëm në historinë botërore, atë të Abraham Linkolnit në Getisbërg.
Në atë kohë, Linkoln po fliste pas një prej betejave më të përgjakshme të Luftës Civile dhe fjalimi i tij thuhet se hodhi themelet për parimet e Deklaratës së Pavarësisë.
“Shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë kot. Se këta të rënë në luftë nuk kanë vdekur kot- se ky komb, nën këtë Zot, do ketë një lindje të re të lirisë, dhe se qeveria e njerëzve, për njerëzit, nuk do zhduket nga toka. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Amerikën,” tha Basha.
Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, shtoi Basha, po mundësia që qeverinë e krimit, me krimin e për krimin, ta kthejnë në qeveri të njerëzve, me njerëzit për njerëzit.