Kryetari i PD, Lulzim Basha i bën thirrje Prokurorisë të hetojë urgjentisht fshehjen nga qeveria të numrit të vërtetë të vdekjeve nga koronavirusi.
Pas takimit që pati me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, Basha akuzoi Edi Ramën se po manipulon provat për vdekjet nga COVID-19.
Lideri i opozitës kërkoi nga organi i akuzës që të sekuestrojë pa humbur kohë provat në morgun e Tiranës.
“I kam bërë thirrje Prokurorisë të sekuestrojë urgjentisht provat në morgun e Tiranës. Çfarë pret Prokuroria që nuk nis hetimin, që të manipulohen të dhënat? Pse pret Edi Rama deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp përveç se për të falsifikuar dokumentat. Shqipëria, vendi me spitale COVID pa pajisje, medikamente dhe mjete mbrojtëse për mjekët. Përsëris thirrjen drejtuar Prokurorisë të shkojë në morgun e Tiranës të marrë provat.
Rama bën politikë me vdekjen duke fshehur të dhënat reale të numrit të vdekjeve nga COVID. Detyra e një qeverie normale në pandemi është raportimi i numrit real të të sëmurëve dhe të vdekurve. Edi Rama të shkulet nga Instagrami dhe t’i përvishet punës konkrete në menaxhimin e krizës. Ai që nuk lë minutin t’i ikë për të dalë në Instagram, është duke manipuluar provat. Nëse nuk ka testime, pajisje, medikamente dhe mjekë të trajnuar, spitalet janë pa asnjë vlerë“, u shpreh Basha.
Më herët kryeministri Edi Rama reagoi pas akuzave të mbrëmshme të Bashës në “Opinion”, duke deklaruar se këtë kreu i PD kishte shkuar shumë larg, ndërsa paralajmëroi një dalje urgjente për mediat ditën e nesërme.
LEXO EDHE:
Basha flet pas takimit me Di Maio: Shqipëria rrezikon një “Jo” tjetër nga BE