Duket se Lulzim Basha nuk do ti përgjigjet pozitivisht ftesës së Edi Ramës për tu ulur në dialog pa kushte. Ai ishte pasditen e sotme në Durrës, në një takim me mbështetësit demokrat. Gjatë gjithë fjalimit të tij, Basha tha se nuk do të ketë asnjë hap pas ndërsa salla thërriste: Rama Ik.
“PS në koma dhe në emer të saj flet një grup njerëzish që përfaqësojnë interesa kriminale. Beteja që kemi nisur duhet çuar deri në fund. Sot bejeta është për zgjedhje të lira, ndaj më 25 Maj, ditën e shtunë ju ftoj të bashkoheni në protestën e madhe në Tiranë”, u shpreh ai.
Pjesë nga fjalimi i Bashës në Durrës:
Misioni ynë është një mission kombëtar. Në historinë e shoqërive në përballje të tilla, vijnë momente si ky ku ndodhemi sot, ku një parti e madhe me një histori të madhe dhe një mission të madh kombëtar, si Partia Demokratike e Shqipërisë, duhet të vendosë nëse duhet të zgjedhë rrugën e rehatit, rrugën e pazarit, rrugën e kompromisit me të keqen për hir të pushtetit dhe karriges, apo rrugën e vështirë, të drejtë dhe hyjnore të betejës për njerëzit, për Shqipërinë, për të ardhmen e saj.
Ne e kemi bërë zgjedhjen. Ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në krah të projektit tonë me të cilën lindëm, projektin për Shqipërinë si gjithë Europa.
Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik. Ne nuk luajmë me portat e vogla të krimit dhe të oligarkëve, siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike.