Lulzim Basha mbylli nga selia e PD përmes një fjalimi, protestën e 10-të kombëtare të opozitës e cila zgjati më shumë se dy orë dhe u zhvillua paqësisht. Basha tha se shqiptarët sot janë në mazhorancë absolute kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij dhe kjo u faktua, shtoi ai, nga refuzimi i votimeve të 30 qershorit nga 85% e shqiptarëve. Lideri i opozitës tha se rotacioni politik po vjen por demokratët nuk mjaftohen vetëm me largimin e Edi Ramës. Zotimi i Bashës ishte dhënia fund e tranzicionit të stërzgjatur që po kalon vendi.
“Falë betejës suaj edhe kur gazi mbushte mushkritë tuaja, falë sakrificës suaj sot shumica absolute e shqiptarëve kanë përqafuar thirrjen tuaj. Rama ik. Edi Rama e ka marrë vulën e largimit, e ka marrë nga shumica absolute e shqiptarëve. Njerëz të sakrificës dhe betejës që së bashku e vazhduam dhe do ta vazhdojmë këtë betejë sot jemi të bindu se jemi në një krye të një shumice absolute.
85% e shqiptarëve folën me heshtje. Ne jemi të vendosur në këtë betejë deri në fitore. Të gjithë ata që janë bashkuar në këtë betejë dhe janë të vendosur për largimin e Ramës, duhet ta dinë sot dhe në vijim se PD, opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi është qëllimi kryesor i yni dhe prioriteti im kundrejt cdo shqiptari dhe socialistëve të ndershëm. Ditët dhe javët në vijim do të jenë të ngjeshura me aksion politik për t’i dhënë thelb ndryshimit. Edi Rama do largohet, por ne nuk do mjaftohemi vetëm me rotacionin politik që po vjen, por t’i japim fund tranzicionit. Ky është zotimi ynë përpara jush dhe përpara zotit.
Të gjithë bashkë do t’i japim formë shpresës dhe besimit për ndryshim. Kam nevojë për ndihmën tuaj, për qëndresën tuaj, në mënyrë që të mbyllim njëherë e mirë derën e tranzicionit dhe të lëmë jashtë Edi Ramën dhe bandën e tij. Le ta kthejmë këtë mazhorancë absolute të refuzimit të regjimit kriminal, në mazhorancën e ndryshimit të madh për çdo shqiptar”, u shpreh Basha.
LEXO EDHE:
“Zgjidhja nuk do na vijë nga jashtë”/ Basha: Beteja është e jona