Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar në Fier turin e bashkëbisedimit “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Basha ka takuar përfaqësues të biznesit të vogël, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre nga taksat e larta, çmimi i energjisë elektrike dhe presionet nga tatimorët. Lideri i opozitës tha se kriza ka paralizuar biznesin e vogël. Sipas tij, dyqanet janë bosh njësoj si xhepat dhe arka e shtetit.
“Kriza që po kalon vendi nuk ka kursyer biznesin e vogël. Dyqanet e gjithë vendit janë bosh njësoj si xhepat dhe arka e shtetit. Kjo rezultat i keqqeverisjes dhe taksava të larta. Nga kjo krizë nuk dilet pa zgjidhur krizën e ekonomisë dhe faktori kresor i kësaj zgjidhje është biznesi i vogël. Ndryshe nga fasada e kësaj qeverie, për mua dhe PD do të jetë në qendër të ofertës tonë, çlirimi i biznesit. Qeveria e PD do të jetë qeveri që ju dëgjon dhe ju mbështet. Ne kemi një platformë të qartë për biznesin e vogël për ta çliruar nga taksidarët”, u shpreh Basha.
Kreu i PD iu referua edhe investimeve të huaja, të cilat sipas tij vitet e fundit nuk ekzistojnë më, përveç shfaqjeve bajate, tha Basha, me mashtrime avionësh si “Air Albania”.
“Nuk flasim dot për një investim të huaj perëndimor përveç shfaqjeve bajate me mashtrime avionësh që duken e zhduken nga linja ajrore e “Turkish Airlines” por lyer me bojën e Edi Ramës si “Air Albania” që ndonëse është një sajesë shumë e dyshimtë papritur na ka gjetur para për të financuar e për t’i vënë emrin stadiumit. Se ku i bëri ato para hajde merre me mend. Por e rëndësishme është kjo. Që nuk kemi asnjë investim serioz të huaj”, tha Basha.
Duke prezantuar planin ekonomik të PD, Basha tha se vendi del nga kriza duke çliruar biznesin nga taksat.
“Për mua, për PD në zemër të vizionit politik për nxjerrjen e vendit nga kriza është një biznes i çliruar nga kostot e larta, i çliruar nga taksat e karta, i çliruar nga regjimi banditesk i inspektorateve dhe tatimorëve, një biznesi i fuqizuar, një biznes i përtërirë. Kjo është parathënia e ripërtëritjes së ekonomisë së Fierit, i ripërtëritjes së ekonomisë kombëtare, i hapjes së vendeve të punës, dhe ndaljes së krizës sociale që po përkthehet në largimin më masiv të Fierit dhe qyteteve kryesore. Miqtë e mi, ne kemi një platformë të qartë për biznesin e vogël, shumë prej këtyre masave do të prekin të gjithë qytetarët dhe një pjesë prej tyre do të afektojnë pozitivisht edhe biznesin e madh, edhe biznesin prodhues”.
Basha foli edhe për shëndetësinë duke ngritur shqetësimin e largimit të mjekëve dhe infermierëve. Ndërsa premtoi se kur PD të vijë në pushtet paga e mjekëve do jetë 1200 euro dhe për infermierët 700 euro.
“Shëndetësia është në nivelin më të ulët në Ballkan. Jemi më keq se asnjë vend. Po na ikin mjekët dhe keni nivelin më të ulët që mga 1950 të numrit të mjekëve dhe infermierëve. Jemi në emërgjencë kombëtare. Ne do të garantojmë pagë 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infemierët. Do të ndalojmë hemoragjinë e mjekëve“, tha ai.
LEXO EDHE:
“S’ka investime të huaja”/ Basha: “Air Albania”, sajesë e dyshimtë