Kreu i PD Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me demokratët e Qarkut Shkodër ku u ndal edhe tek zgjedhjet e 13 qershorit për drejtuesin e Partisë Demokratike
Lulzim Basha, tha në takim se nga kjo garë, Partia Demokratike do të dalë më e fortë. Më tej, Basha tha se nuk ka bashkëpunim me atë që ka konsumuar krimin final ndaj demokracisë pasi shkatërroi të gjitha institucionet e vendit, ekonominë, dhe gjithë tabanin e bashkëjetesës demokratike.
Lideri demokrat tha se shumica dërrmuese e qytetarëve dëshironin ndryshim më 25 prill, ndërsa shtoi se ata u penguan të votonin.
“Organizimi i tyre, marrja e tyre me vete, nisja një orë e më parë e betejës për të mposhtur këtë regjim, për të rikthyer legjitimitetin, për të rikthyer demokracinë dhe përmes saj ndryshimin që mund ta sjellim vetëm ne, ky është objektivi im i vetëm, kjo është kërkesa që parashtroj sot para jush.
Ndaj, në përmbyllje të këtij parashtrimi, dua t’ju kërkoj që me të njëjtën kurajo dhe qartësi, me të njëjtën bashkim zemrash që keni bërë këtë betejë dhe keni arritur në këtë rezultat rekord në 20 vite, ta vazhdojmë krah për krah njëri tjetrit betejën.
I kemi të gjitha mekanizmat për ta mbajtur ndezur flakën e shpresës për ndryshim në shpirtrat e njerëzve, e kemi gjithë forcën e nevojshme për ta rrëzuar këtë regjim plaçkitësish. Tani gjithçka varet nga ne. Të qëndrojmë të vendosur, të qëndrojmë të bashkuar, e t’i shkojmë betejës deri në fund.
Kjo është oferta dhe kërkesa ime. Sikundër dua ta konsiderojmë 13 qershorin një datë të rëndësishme dhe jo një ditë rutine. Pas 25 prillit, ky është testi i parë jo vetëm për anëtarësinë, por edhe shqiptarët, për mbështetësit tanë dhe për të gjithë të tjerët për të parë sjelljen tonë, gjendjen tonë, forcën tonë.
Për të shpalosur edhe një vlerë më shumë, edhe një arsye më shumë, edhe një kontrast më të thellë midis atij dhe atyre që kanë uzurpuar përkohësisht vullnetin e shumicës dhe ne që jemi të vetmit që mund ta çojmë deri në fund aspiratën dhe shpresën e tyre për ndryshim.”, tha Basha.