Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me ish Këshilltar për Sigurinë i Presidentit të SHBA dhe ish-Komandant Suprem i Forcave të NATO-s në Europë, James Jones.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Basha bën me dije se në këtë takim u diskutua mbi rëndësinë e anëtarsimit të Shqipërisë në BE, por edhe për partnerët strategjik të Shqipërisë, për të cilin kryedemokrati theksoi rëndësin e rreshtimit krah SHBA dhe BE.
“Mirëprita në zyrë Gjeneralin James Jones, ish Këshilltar për Sigurinë i Presidentit të SHBA dhe ish-Komandant Suprem i Forcave të NATO-s në Europë. Bashkë, patëm rastin të diskutonim mbi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe domosdoshmërinë për tu rreshtuar në krah të aleatëve tanë, SHBA dhe BE përsa i përket sigurisë dhe teknologjisë. Në qeverisjen tonë nesër, ne do të bëjmë gjithçka që të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet Shqipëri-SHBA sepse shqiptarët e kanë shumë të qartë se e ardhmja e vendit tonë, është krah për krah me vlerat perëndimore”, shkruan Basha.