Ajo çka u quajt si reformë e madhe territoriale nuk ishte gjë tjetër vetëm se një hile e mazhorancës për të krijuar hendekun më të madh të votave në histori. Nga 370 komuna dhe bashki ngelën vetëm 61 bashki, duke i kaluar pushtetin e emërimeve për njësitë administrative kryetarëve. Kjo solli një erozion elektoral jo të vogël për të djathtën e cila votën e saj e mbështeste më shumë në zonat rurale. Reforma u votua në korrik 2014, PD nuk mori pjesë në votim, dhe as në mbledhjet e komisionit të posaçëm që u ngrit për këtë qëllim
Partia Demokratike duket se ka ndërmend të korrigjojë një gabim që bëri në vitin 2014, me braktisjen e komisioneve dhe votimin që mazhoranca bëri e vetme për reformën territoriale. Kjo reformë bëri që të shkurtoheshin më shumë se 60% e pushtetit lokal. U shkrinë komuna, bashki apo njësi bashkiake të cilat u shndërruan në njësi administrative, ndërsa emërimi bëhej nga kryetari i Bashkisë në të cilat ato u përfshinë pas ndarjes. Kryetari i PD Lulzim Basha, ka mbledhur dje krerët e degëve në rrethe, për të diskutuar pikërisht rreth kësaj çështjeje, e cila do jetë një nga prioritetet politike të opozitës në këtë sezon të ri legjislativ. Një gjë të tillë e konfirmoi dhe deputeti i PD Enkelejd Aliabeaj, i cili gjatë një prononcimi tha se duhet pranuar se reforma e kryer gjashtë vite më parë ka rezultuar e dështuar.
“Në takimet që janë bërë në PD është fakti i vjeljes në mënyrë të freskët të perceptimeve, ndjesive të funksionimit të Reformës Territoriale të 2015. Nuk është aspak dhe për askënd që ajo është një Reformë totalisht e dështuar. Ishte reformë që vendosi vizën në hartën e Shqipërisë nisur vetëm nga rezultati elektoral. Sot ke buxhet shumë herë më tepër të shpërdoruar nga pushteti lokal dhe Bashki që janë depozitë punonjësish. Në Kuvend u votua në mënyrë të njëanshme. Nuk ka asnjë individ që kërkon shërbime nga pushtet vendor që është jofunksionale dhe ulëritëse nevoja për ta ndryshuar. Së pari brenda vetes sonë, të marrim të gjitha dimensionin e dështimit të kësaj reforme, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, ekspertë, akademikë, të ofrojmë zgjidhje të re territorial,” është shprehur Alibeaj.
Reforma
Ajo çka u quajt si reformë e madhe territoriale nuk ishte gjë tjetër vetëm se një hile e mazhorancës së asaj kohe për të krijuar hendekun më të madh të votave në histori. Me dhjetëra bashki dhe komuna të djathta u shkrinë, duke i kaluar pushtetin e emërimeve krerëve të bashkive të mëdha. Fjala vjen në Bashkinë e Tiranë, numri i votuesve në lista për njësitë administrative është disa herë më i madh se shumë prej bashkive në jug të vendit që njihen si bastione të majta. Le të marrim një shembull. Njësia administrative numër 1 këtu në Tiranë, ka të regjistruar në listë rreth 70 mijë zgjedhës, por kryetari i saj emërohet. E njëjta gjë nuk ndodh fjala vjen me Bashkinë Kolonjë, ku në lista regjistrohen rreth 15 mijë zgjedhës. Në këtë bashki zhvillohen zgjedhje. Kjo ka sjellë jo pak amulli në administrimin e territorit. Një individ që dikur mbaronte punë me vërtetime apo leje ndërtimi pranë komunës apo bashkisë së tij tashmë duhet të udhëtojë disa kilometra për në bashkinë qendrore.
Llogaritë
Opozita duket se nuk i bëri hesapet mirë aso kohe me gjithë paralajmërimet që i vinin nga të zgjedhurit e saj. Rezultati u pa që në zgjedhjet vendore të vitit 2015, dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Basha duke mos qenë vetë në parlament, zgjodhi rrugën e bojkotit si në komisionet parlamentare ashtu dhe në votimin në parlament. Në atë kohë të dyzuar kundër reformës ishin dhe aleatët e PS-së. Madje Mark Frroku ish-kryetari i Partisë Demokristiane e deklaroi që më parë votën kundër saj. Shumë komuna dhe bashki deri në atë kohë bastione të PD-së, u aneksuan nga kryetarë bashkish të majta, nga veriu në jug, duke e zhveshur opozitën në masë të madhe nga vota popullore. Kjo sepse, e majta ishte në shumicë në qendrat urbane, por e djathta rezultonte fituese në zonat rurale. Efekti më i madh u pa në zgjedhjet e mëpasshme, ku opozita i humbi njëra pas tjetrës. Një erozion elektoral i cili pa pushtetin lokal është i vështirë të rikuperohet. Nga 370 komuna e bashki në fund të procesit mbetën vetëm 61 të tilla. Në atë kohë reforma territoriale kaloi me 88 vota ndërsa Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim, por në asnjë nga mbledhjet e komisionit të posaçëm që u ngrit për këtë qëllim.