Kreu i PD, Lulzim Basha ka deklaruar në Burrel se shqiptarët e kanë ndarë mendjen që të votojnë për opozitën më 25 prill. Basha thotë se PD ka qëllim t’ua kthejë Shqipërinë pronarëve të vërtetë që janë qytetarët e thjeshtë
Ai i kërkon matjanëve mundësinë që më 25 prill ta votojnë, që më pas në qeveri t’i hapë rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Po fryn era e ndryshimit, pas 8 vitesh më shumë se kurrë rraskapitje, varfëri dhe papunësi, shqiptarët e kanë ndarë mendjen. Të rinj e të reja, burra dhe gra.
Problemet kanë zgjidhje tek programi i PD. Kemi vetëm një qëllim, ta kthejmë Shqipërinë tek pronarët e saj të vërtetë. Më 25 prill ky bashkim i madh shpirtrash, i duhet dhënë përgjigje vetëm një pyetje, a mund të vazhdohet më kështu? A do ja hapni derën për herë të tretë?
Të bashkohemi për ndryshim. Të votojmë për familjet tona, për fëmijët, të votojmë numrin 9. Për ndryshimin. 8 vite vendnumëro, pa negociata, apo do më jepni mundësinë të hapim rrugën drejt Europës. Standarde europiane siç i meriton Mati, Dibra e gjithë Shqipëria.
Jemi të ndryshëm në këto bashkime të mëdha, por një gjë na bashkon, etja për ndryshim. Le të ushtojë nga kjo trevë që i nxori themluesit e shtetit modern shqiptar, të ushtojë thirrja bashkë për ndryshim. Të djathtë e të majtë, bashkë për ndryshim. Shqipëria fiton!”- tha Basha.