Kryetari i PD, Lulzim Basha ka folur sot me sipermarrës e prodhues, ku u ka sqaruar pikat kryesore të programit, që do të sjellin rritje të ekonomisë, do të sjellin më shumë mundësi fitimi për biznesin, çka do të thotë më shumë para edhe për shtetin, dhe më shumë vende pune.
Basha ka përmendur lehtësimin prej taksës 9 përqind, apo reduktimin në 18 përqind të sigurimeve. Më shumë para të kursyera nga biznesi, tha Basha, janë më shumë para që do të investohen prej tyre e do të shkojnë në ekonomi e mirëqënie.
Kryetari i Opozitës, u ndal gjithashtu tek plani që ka për të luftuar korrupsionin e burokracitë.
“Të gjitha këto do të ndodhin përmes lehtësimit të bazës ligjore, përmes përmbledhjes së të gjitha rregullave në një kod të thjeshtë tatimor, përmes eliminimit të një numri shumë të madh autorizimesh, lejesh, licencash, ku sot, mbi 1000 zyrtarë të shtetit kanë vulë dhe firmë dhe duhet të kalosh nga 1 mijë zyrtarë të shtetit me vulë dhe me firmë, para se të ecësh apo të hedhësh një hap përpara në sipërmarrje, në biznes apo edhe për qytetarin e thjeshtë për të ndërmarrë një akt të veçantë që ka lidhje me jetën e tij apo me jetën e saj të përditshme”, tha Basha.
Ai shtoi se:
“Pjesë e kësaj paketë është edhe reforma tërësore e inspektoriateve. Bashkërisht kemi diskutuar edhe kur kam qenë në ambiente e juaja kam parë se si inspektoriatet janë kthyer në një gangrenë e cila vetëm merr kohë, energji, krijon stres dhe është një burim i pashtershëm ryshfeti që rëndon xhepat tuaja dhe pastaj natyrisht edhe në xhepat e atyre që ju punësoni dhe në kurrizin tuaj, në shumicën e shqiptarëve dhe lulëzon pra një nivel korrupsioni i cili sipas të gjitha të dhënave që kemi parë ka shkuar nga viti në vit lart e më lart. Një faturë korrupsioni që pot ë shohim vetëm konstatimet e KLSH-së shkon 7.2 miliardë euro për këtë periudhë 7-vjeçare, 7 vjet e gjysmë”.