fbpx

Aktualitet

“Nuk punoj për historinë”/ Basha: Shpërblimi më i madh, të rinjtë të kenë shanse si ata të BE





               Publikuar në : 17:44 - 08/11/19 |
mapo.al

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar në Krujë turin e bashkëbisedimit me të rinjtë. Duke iu referuar problemeve me të cilën ndeshen sot të rinjtë në Shqipëri si janë papunësia dhe emigracioni, Basha tha se do të bëjë gjithçka, kur të jetë në qeveri, që të rinjtë të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu.


“Papunësia dhe mjerimi janë produkt i kësaj qeverie. Kjo qeveri nuk ka asnjë zgjidhje. E vetmja rrugë që kjo qeveri i ka treguar rinisë, është emigracioni. Rinia është përballë dy zgjidhjeve, krminalizimin ose emigrimin. Unë ju premtoj se do bëjmë gjithçka që të mos zgjidhni këto dy rrugë, por të qëndroni e të ndërtoni të ardhmen këtu.



Kemi gjithçka, por na duhet një qeveri që mendon për ju. Duke parë vendosmërinë tuaj, jam i bindur se nuk do të jetë e largët dita kur energjia e rinisë do të përfshijë çdo shqiptar. Duhet të investojmë për të përgatitur krahun e punës së kualifikuar që të përfitojmë nga mundësia që na jep pozicioni në zemër të Europës“, u shpreh Basha.


10 mijë studentëve më të mirë do marrin një vit stazh pune me pagesë nga buxheti i shtetit, ishte një nga premtimet e Bashës për të rinjtë dhe studentët.

Gjithashtu, kreu ni PD foli edhe për rishikimin e hartës territoriale. “Ne jemi për ndarjen sa më të drejtë të territorit. Mbështesim ndarjen e Krujës dhe Fushë Krujës në dy bashki. Puna më e mirë që mund të bëjë qeveria është ti hiqet qafe popullit dhe ta lërë të punojë. T’i hiqet qafe drejtësisë që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit“, vijoi ai.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se shpërblimi më i madh për të nuk është të mbetet në histori, por t’i shohë shqiptarët, veçanërisht rininë, të kenë të njëjtat shanse dhe mundësi si rinia evropiane.

“Njerëzit që punojnë për të hyrë në histori, në përgjithësi, janë njerëz të tmerrshëm, o diktatorë, o psikopatë, u shkaktojnë shumë vuajtje popujve të vet, ose janë kaq shumë në dashuri me veten, sa nuk duan njeri tjetër. Prandaj, mos më kërko të jem kryeministër që bëj gjithçka për të mbetur në histori. Rama, ndryshe nga sa thua ti, mendoj se do të hyjë në histori për shumë të këqija që i ka bërë vendit. Neroni ka ngelur në histori se dogji Romën, ky është Neroni i Shqipërisë, vetëm se nuk ia ka vënë flakën në kuptimin fizik dhe nuk do ta lëmë, por ka djegur shumë. Meqë përmende BE, Makron në një intervistë që i dha “The Economist”, Makron tha ekzaktësisht atë që u thashë unë shqiptarëve para 4 javëve. Ai duhet t’i thotë faleminderit Makronit se na shpëtoi nderin. Macron tha se nuk do ta ndajmë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, sepse gjysma e vendeve ishin për ta ndarë Shqipërinë. Pse? Është rinia e Maqedonisë së Veriut më e zonja se rinia jonë?! Ishte ndëshkim për Edi Ramën, që na ndëshkon ne. Ishte dështim i tij që na ndëshkon ne”, u shpreh ai.

Kreu i PD shtoi më tej:

“Shpërblimi më i madh për mua nuk është të mbetem në histori, por t’i shoh shqiptarët, veçanërisht rininë, të kenë të njëjtat shanse dhe mundësi si rinia evropiane, kam jetuar në Evropë, kam qenë student dhe një nga gjërat që më ka motivuar tek çështje publike, politika pra, ishte se jo vetëm nuk kishim asnjë inferioritet prej hollandezëve, por në shumë fusha ne garonim dhe dilnim të parët. Shqiptarit, po i dhe mundësi, nuk ka kufi në suksesin e vet”.


Etiketa: , , ,

Pas