Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sërish të martën se largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për t’i hapur dritën jeshile dialogut politik. Nga Farka, ku zhvilloi një takim me të rinjtë e PD-së, Basha përsëriti kërkesën për një qeveri tranzitore.
Para të rinjve që regjistroheshin në PD, Basha tha se Shqipëria nuk mund të përfitojë hapjen e negociatave për shkak të standardeve, që sipas tij, janë të nivelit afrikan.
“Me Edi Ramën nuk ka integrim në Evropë. Nuk mund të ketë hapje negociatash. Me këto standarde nuk mund të ishte as në Këshillin e Evropës. Këto janë standarde afrikane. Samiti i Berlinit është i qartë për të gjithë autokratët e Ballkanit, por edhe për njeriun më të korruptuar, Edi Rama, i cili sot synon të na kthejë 10 vite mbrapa duke na kthyer vizat. Fatkeqësisht edhe në këtë qershor, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat sepse edhe në fushën e ekonomisë, edhe në fushën e shtetit të së drejtës, ka hapa mbrapa”.
“Djegia e mandateve ka qenë vendimi më i drejtë moral dhe politik. Tani jemi ballëpërballë me gjithçka që na kërcënon demokracinë. Vetëm duke çliruar ekonominë nga korrupsioni dhe qeverinë nga bashkëpunimi me oligarkët do të hapim derën e Europës. Unë e di si hapet dera e Europës kur futëm Shqipërinë në NATO. Atëherë kishim shumë probleme, por nuk ekzistonte njëri prej tyre: qeveria e kriminuar. Dhe për shkak të kësaj qeverie të kapur nga krimi nuk kemi tashmë asnjë investim të huaj. Ekonomia dhe qeveria ka nevojë të çlirohet.”
“Këto pasoja i vuajnë shqiptarët e thjeshtë, të rinjtë. Si mund të zgjidhet kjo? Ka vetëm një rrugë, është rruga që nis me dorëzimin e sendit të vjedhur tek i zoti. Sendi i vjedhur është vota, i zoti jeni ju. Largimi i Ramës është i panegociueshëm për ne. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës poltike. Ne s’mund të ishim më fasada e teatrit të kriminelëve, e dëgjuam thirrjen tuaj dhe hodhëm një hap të paprecedentë, atë të djegies së mandateve”, shtoi kryedemokrati.
“Duke çliruar ekonominë dhe qeverisjen nga krimi, ne do të kthejmë mundësi për punësim, do i kthejmë bujqësisë, sektorit që punëson shumicën e shqiptarëve, jo thjesht shpresën, po do ju japim subvencione direkte pa nipt, pa burokraci, vetëm me kartë identiteti njësoj si Maqedonia e Kosova”.