Drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë bërë homazhe sot tek memoriali i Azem Hajdarit. Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, bashkëshortja e Azem Hajdarit dhe fëmijët e tij që bënë homazhe para bustit me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së Azemit. Kreu demokrat, Lulzim Basha u shpreh lideri i lëvizjes studentore mbetet frymëzim për idealin e Shqipërisë demokratike.
Basha ka dhënë një mesazh për situatën aktuale duke theksuar se amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane, demokratike, ku qytetarët janë zot të fateve të tyre, një politikë të ndarë nga krimi. Ai tha se plaga e 21 viteve më parë është ende e hapur, ndërsa shtoi se shqiptarët ende sot e kësaj dite kërkojnë shpëtim rrugëve të botës.
“Sot shqiptarët anë e mbanë nderojnë Azem Hajdarin liderin e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, kreun e komitetit nismëtar të partisë së parë pluraliste të Shqipërisë i cili u vra nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit më 12 shtator 1998. Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie Europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zot të fateve të tyre, për një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë më të mirët dhe më të aftët për të marrë barrën e përgjegjësive e për ta realizuar me sukses.
Sot akoma është plaga e hapur, krimi akoma vijon të ketë pushtet. Shqiptarët vijojnë të vuajnë ekonomikisht, të jenë të papunë dhe të vuajnë nga një pushtet që nuk buron nga vota por nga krimi dhe korrupsioni dhe i shërben vetëm krimit e korrupsionit. E sotmja është po ashtu një thirrje për bashkim mes demokratëve, shqiptarëve e socialistëve të ndershëm. Ka ardhur koha që rinia shqiptare dhe të gjithë shqiptarët ta mbyllin siparin e tranzicionin dhe të hapin rrugën e lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta”, tha Basha.
Ditën e homazheve e nisi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke vendosur një kurorë me lule tek memoriali i tij në rrugën “Abdi Toptani” në kryeqytet. Në homazhe ishte dhe ish-ministrja e Mbrojtjes. Mimi Kodheli. Pas vizitës te memoriali, homazhet vijuan në Varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” si dhe te shtëpia e familjarëve të të ndjerit.
Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 së bashku me shoqëruesin e tij Besim Çerja.