Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Korçë nga ku po vijon turin e takimeve me qytetarët. Basha u takua me biznesin e vogël nga ku theksoi se “heqja e “taksës Rama” mbi naftën do të rrisë fuqinë blerëse, do të rrisë të ardhurat e konsumatorit, do të shtojë të ardhurat tek biznesi i vogël dhe i madh”.
“Ju të keni në dorë qeverisjen dhe qeveria të kujdeset për interesin e njerëzve. Kemi një qeveri që është shkëpur nga njerëzit. Nuk dëgjon njerëzit. Sa herë vij këtu, keq e më keq. Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “Taksën Rama” mbi naftën me 300 lek që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët. Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lek. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lek në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve do të rrisë xhiron dhe qarkullimin”, u shpreh kreu demokrat.
Ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, vetëm një taksë 0.5% për biznesin, shtoi ai, nuk bëhen realitet pa larguar qeverinë e kapur në vjedhje.
“Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjhetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël. Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qëndrore bashkë. 0.5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyhesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të kondiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh. Ulje e çmimin të naftës, ulje të çmimit të energjisë dhe 0.5% taksë e xhiros vjetore. Pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju asgjë nuk bëjmë dot. Më 16 shkurt qytetaria e Korçës të zbresë në Tiranë në protestë”, theksoi më tej Lulzim Basha.