Lideri demokrat Lulzim Basha është ndalur sot në Kamëz pas një turi disa ditor në rrethe. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen në protestë, siç u shpreh ai, për të ndalur organizatën kriminale të Rilindjes. “T’ia bëjmë të qartë demokratëve e socialistëve se orët e shtypjes e arrogancës po numërohen mbrapsht se mbrapsht po numërohet ora e Ramës kryeministër dhe e qeverisë së lidhur me krimin”.
“12 javë s’janë shumë në kalendarin e një kombi, apo në kalendarin politik të një shteti. Por këto 12 javë kanë shndërruar fatin politik të vendit, kanë ndalur përparimin e të keqes në cdo vatër shqiptare dhe kanë ndezur dritën e shpresës”, u shpreh më tej ai.
Ndërsa për Bashkinë e Kamzës, ai tha se Rama e vuri në karantinë për hakmarrje politike. “E goditi duke u hequr ndihmën ekonomike 90 % të banorëve, e goditi duke ngritur procese të montuara ndaj kryetarit të Bashkisë, e goditi duke blerë mercenarë, por nuk ia doli. Aparteidi nisi në Kamëz, por u shtri në të gjithë Shqipërinë. Demokratë e socialistë kanë të njëjtat halle, ndajnë të njëjtin hidhërim, papunësinë dhe pasigurinë”, u shpreh Basha.
Ai ftoi shqiptarët të bashkohen nesër me protesten e opozitës në orën 18:30 tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit.