Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk e komentoi gjatë çështjen e kandidatëve në listat e PD, që janë bërë pjesë e opozitës së re.
“Suksesi në jetë përcaktohet në të bërit sa më pak gabime. Edhe unë përpiqem që të mësoj nga gabimet dhe shpresoj që në çdo vendim që marr, të mbart edhe përmirësimin e gabimeve të së shkuarës. Në rastin konkret, nuk mund të bëj asnjë koment,” tha ai, duke iu referuar deklaratës së deputetes Rudina Hajdari.
“Më 30 qershor do ketë një tentativë të Edi Ramës për të bërë zgjedhje me kandidatë falso, nga opozita falso. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do lejojmë më zgjedhje të diktuara nga krimi. Do ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ne kemi bërë propozimet për këtë,” tha Basha.
Kryetari demokrat tha se largimi i Ramës mbetet kushtet i panegociueshëm.
“Përdhunuesi serial i zgjedhjeve nuk mund të jetë kujdestari i zgjedhjeve të ardhshme. Ka një rrugë për ta zgjidhur këtë: ose me kobure ne brez, çka e kemi refuzuar, ose në mënyrë politikë, rrugë që kemi zgjedhur.
Hapi i parë për zgjidhjen e krizës është largimi i Ramës. Në çdo vend normal evropian, për çdo skandal që ka ndodhur, ky duhet të ishte larguar. Kjo që po kërkojmë është e panegociueshme, sepse nuk ka mënyrë tjetër për t’i shërbyer interesit publik. Nuk jemi për pazar dhe për pushtet, jemi për transformim politik që kërkon konsensus me të gjitha palët politike, por jo me Ramën. Rama është kapur duke vjedhur zgjedhjet. Është i panegociueshëm largimi i Ramës për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike. Ta harrojë Edi Rama se mund ta mbajë pushtetin me dhunë”.
Kryetari demokrat komentoi edhe qasjen e Ramës ndaj Kosovës.
“Tradhtia që i bëri Edi Rama Kosovës, duke u rreshtuar në krah të agjendës serbe për copëtimin e Kosovës, do të thotë se kemi të bëjmë me një njeri që cenon jo vetëm stabilitetin e vendit, por edhe të rajonit”.
Basha nuk e komentoi lajmin se në pallatin ku banon kreu i prezencës së OSBE në Shqipëri, ka pasur parulla kundër tij. Ai tha se nuk ka informacion se ndonjë ambasador të jetë kërcënuar.
LEXO EDHE:
Basha paralajmëron Ramën: Do lutesh të kesh fatin e Gruevskit
“Pse nuk kam pranuar këshillën dashamirëse për të hyrë në zgjedhje”