Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se mbledhja e plehrave mund të bëhet në mënyrë bashkëkohore, pa nevojën që shqiptarët të nxjerrin nga xhepi para.
Në një deklaratë për mediat, Basha iu drejtua sërish SPAK-ut për hetimin që duhet t’i bëhet sipas tij aferës korruptive të Ramës me inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.
Kryedemokrati tha se në vitin 2011 ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, bëri një memorandum mirëkuptimi me Bankën Botërore, me IFC, për të hartuar një studim për plehrat e Tiranës.
Pasi Rama u largua nga bashkia, Basha tha se autorizoi një studim vizibiliteti me bashkëpagesë nga BB dhe nga Bashkia e Tiranës që sipas tij, Sharra e lënë në mjerim për 11 vite nga Rama, të kishte një trajtim sa më dinjitoz për qytetarët e saj.
Kjo vijon të mbetet mënyra e duhur se si të mblidhen plehrat, pa u vjedhur paratë qytetarëve, sipas Bashës.
Kryedemokrati e denoncoi Ramën për të disatën herë për aferë korruptive pas ndërtimit të inceneratorëve, duke thënë se pronari i tre inceneratorëve (Tiranë, Elbasan, Fier ) është regjistruar një ditë para se të lidhte kontratën, një ditë para se të merrte koncensionin, ndonëse pa asnjë përvojë në fushën e administrimit të mbetjeve.
Sipas tij, në rastin e Fierit është regjistruar një kompani italiane me përvojë dhe ia ka blerë kuotat për 10 milionë lekë të reja. “Hapini veshët, vetëm 20 mijë lekë dhe e ka guackë të regjistruar në parajsat fiskale”, tha Basha.
Kryedemokrati i bëri thirrje SPAK të nisë një orë e më parë hetimet. Basha u shpreh se pronari i vërtetë i këtyre inceneratorëve, me 400 milione euro, projekt të regjistruar një ditë para vendimit, me 1 mijë euro kapital, ku 17 vendime qeverie dhe agjensish u morën brenda ditës, është vetë Edi Rama.
Basha ngriti tonet kur iu referua hetimit që duhet të bëjë SPAK. Ai tha se e ka mbeshtetur këtë strukturë, po ata duhet të sqarojnë para shqiptarëve se ku janë me investigimin, kë kanë thirrur, kë kanë marrë në pyetje.
Ai gjithashtu tha se Prokuroria Speciale që është produkt i reformës në drejtësi dhe e investuar dhe mbështetur nga partnerët e Shqipërisë, duhet të justifikojë besimin para qytetarëve.