Kryetari i PD, Lulzim Basha iu drejtua kryeministrit duke thënë se ka rënë me këmbët e tij, kur thotë se qytetarët nuk mund të paguajnë dy herë për Rrugën e Kombit.
“Re në gropën që ke hapur vetë. Na thuaj pak o llapaqeni i batutave, përse me këtë sistem që ke shpikur, paguajnë edhe taksapaguesit, edhe përdoruesit. Përse paguhet edhe te karburanti, por edhe te rruga. Sapo e the vetë, o njëra, o tjetra. Nuk të shpëton ngërdheshja.
E gjete taksën 7 lekë për litër dhe e shtove 24 lekë për litër dy herë. Vetëm me taksën e rritur, ti u merr shqiptarëve me një llogari minimale, 120 milionë dollarë në vit. Vetëm me taksën e rritur. Pse nuk të mjaftojnë për të mirëmbajtur rrugën? Çfarë bën ti me këtë shumë që e mbledh në emër të mirëmbajtjes së rrugës? Ti këto para i bën rrush e kumbulla, se ti rroga nuk ke rritur, pensione nuk ke rritur, nuk ke bërë një kilometër rrugë. Ti di vetëm të taksosh. Ti je taksidari i kombit, ke marrë 2 miliardë euro taksa të reja, nuk ke shpenzuar asgjë,” tha Basha.
“Unë sërish do e bëja atë që kam bërë për Rrugën e Kombit. Ke pesë vjet në qeveri që nuk ke nxjerrë asgjë të re për shpifjen dhe baltën që nxjerr prej vitesh për mua dhe Rrugën e Kombit. Ke pesë vjet që nuk ke avancuar asnjë projekt,” vijoi Basha.
“Partia jote është shndërruar në një bandë. Kjo është një rrugë e bërë me fonde publike”.
“Kur thua do jap 120 mijë euro për pushtetin vendor, me kë tallesh ti? Ti do vendosësh kuotën, kaq do lëvizni, nuk do lëvizni më? Siç doje të bëje si kryetar bashkie, që doje të vije traun te Zogu i Zi”, tha Basha.