Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sjell të përmbledhur në pak sekonda programin për turizmin.
Krahas videos të publikuar në “Facebook”, Basha shkruan se PD do të përmirësojë cilësinë e turizmit dhe do të sjellë shpresë të re për Shqipërinë. Ndryshe nga Rama, shprehet kryedemokrati, i cili nuk ka bërë asgjë për të promovuar bukurinë përrallore të vendit.
Kreu i opozitës gjithashtu thekson se programi #Shqipëriafiton do të rrisë kohëzgjatjen e sezonit turistik me promovim cilësor, investim në akomodim, heqje të TVSH-së tek bizneset, si dhe sjellje të investimeve të huaja.
*****
Ne jemi të bekuar me një vend të mrekullueshëm dhe bukuri përrallore. Dhe këtë duhet ta shohë e gjithë bota. Por të ardhurat mesatare nga turizmi dhe kohëzgjatja e sezonit turistik shqiptar janë më të ulëtat në rajon. Shqipëria e Ramës: Të rinjtë shqiptarë braktisin vendin dhe turistët mungojnë. Plani ynë #Shqipëriafiton do të rrisë kohëzgjatjen e sezonit turistik duke promovuar gjithçka që kemi: bregdetin, malet, fshatrat dhe kulturën.
Do të investojmë në mundësi të reja akomoduese. Do ta heqim TVSH-në për turizmin deri në xhiron 120 mijë euro në vit. Për bizneset me xhiro mbi 120 mijë euro do të ulet në 6% dhe do të rrisim me 15% çdo vit numrin e turistëve që hyjnë në Shqipëri. Ne do të sjellim investime të huaja dhe përmes tyre më shumë para në xhepat e shqiptarëve.