Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi mesditën e kësaj të enjte, një konferencë urgjente për shtyp, pas zhvillimeve të fundit lidhur me situatën politike që po kalon vendi. Përpara gazetarëve, Basha tha se insistimi i maxhorancës për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, kur Presidenti i Republikës i ka anuluar ato, po e çon Shqipërinë drejt një grushti shteti. Sipas tij, tashmë është e provuar se në 2017-ën zgjedhjet parlamentare u intimiduan nga krimi i organizuar.
“Shqipëria po shkon drejt një grushti shteti. Nuk ka asnjë dyshim tashmë që zgjedhjet parlamentare të 2017-ës u diktuan nga krimi. Asgjësuan procesin politik. Ne e denoncuam këtë që prej ditës së parë. Raporti i ministrave teknikë i publikuar në fund të korrikut 2017, zbuloi shkallën masive kriminale të shiblerjes së votës. Raporti i OSBE-ODIHR e cilësoi shitblerjen e votës problemin numër një. Ndërsa prokuroria e kapur politikisht, mbron prej 2 vitesh kriminelët e kapur në përgjime”, u shpreh Basha.
Rama, tha Basha, e lidhi fatin e tij që ditën e parë në Bashkinë e Tiranës me krimin e organizuar, vrasësit dhe trafikantët e drogës. “Me ata erdhi në pushtet dhe me ta po e mban pushtetin”, tha Basha. Kreu demokrat iu referua edhe vendimit të Parlamentit të Holandës i cili i kërkoi qeverisë të kundërshtojë çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë.
Basha tha se shkak për këtë qëndrim është bërë krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri. “Arsyet e këtij vendimi janë mungesa e luftës kundër krimit të organizuar, mungesa e luftës kundër korrupsionit. Vendet e BE dhe SHBA, kanë tashmë një radiografi se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në 6 vitet e qeverisjes së Edi Ramës”, shtoi ai.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Këtë bashkëbisedim, po e organizojmë në kushte të jashtëzakonshme, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt situatës së grushtit të shtetit, të organizuar nga mafia e drogës në bashkëpunim me Edi Ramën dhe kupolën e tij tashmë të faktuar të ardhur në pushtet jo përmes votës së qytetarëve por përmes ndihmës së pikërisht narkomafias.
Në këto kushte kur tashmë nuk ka asnjë iluzion, asnjë pikë dyshimi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u diktuan nga krimi i organizuar, nga paratë e pista të drogës, nga kërcënimi masiv dhe shantazhimi masiv i votuesve dhe përkrahësve të opozitës, nga shitblerja masive e votës, nga rrjetet kriminale të drogës, nga Avdylët, në Shijak, tek Shullazët në Tiranë, nga Bajrat në Shkodër, tek Habiljat, tek Xhafajt në Vlorë, nga Sanxhaktarët dhe Çelët në Elbasan, tek bandat e Çobejve dhe Rragamit në Korçë. Ku anembanë Shqipërisë rrjetet kriminale të vlerësuara si të tilla nga raporti i DASH mbi luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të patave të pista këto rrjetet kriminale dy vite më parë përmes një skeme të mirëmenduar, të mirëplanikuar dhe te ekzekutuar në terren me urdhër të Edi Ramës dhe kupolës socialiste asgjësuan procesin politike të vitit 2017.
Ne e denoncuam këtë që prej ditës së parë. Raporti i ministrave teknikë i publikuar në fund të korrikut të vitit 2017 zbuloi qartësisht shkallën masive kriminale të shitblerjes së votës dhe të kërcënimit të votuesve nga rrjetet kriminale. Raporti i OSBE/ODIHR-uit e cilësoi shitblerjen e votës problemin prioritar numër një në Shqipëri. Ndërkohë për më shumë se dy vite, Prokuroria e kapur tërësisht nga Edi Rama fjeti mbi dosjet “339/1”, 2017 dhe “184” 2016.
Me qëllim që të mbronte kriminelët e kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të Policisë, Prokurorisë dhe SHISH duke bashkëpunuar me Damian Gjiknurin, Vnagjush Dakon, Taulant Ballën, Pjerin Ndreun, Paulin Sterkaj, me një duzinë zyrtarë të lartë të PS, përfshi kreun aktual të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën dhe ish kreun e Komisionit të Sigurisë Xhemal Qefalinë. Kjo shkallë masive dhe sistematike e kërcënimit të votuesve dhe shitblerjes së votës dhe dhunimit të procesit elektoral ishte shkaku i i vetëm për rezultatin paradoksal të 2017-ës dhe për maxhorancës fiktive, në fakt kriminale të Edi Ramës nga e cila buron edhe qeveria e tij ilegjitime.
I vënë përballë kërkesës për largimin e përgjegjësit për këtë krizë të rënë politike dhe ekonomike, krijimi i një qeverie tranzitore, Edi Rama ka vënë në lojë teatrin e e shkarkimit të Edi Ramës dhe bën teatër me datën 30 qershor. E gjitha ka një qëllim: të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik, se e gjithë bota e di se ne kemi në krye të vendit një bandit të kapur me presh në duar që nuk përfaqëson legjitimitet, por ilegjitimet. Një njeri që ka ardhur në pushtet me krimin. farsa e nisur me shkarkim të presidentit, që përfundoi në një rezolutë dhe pastaj në një qortim jetik, bëhet vetëm se Edi Rama ka nevojë jetike të largojë vëmendjen nga fakti se është kapur të vjedhë zgjedhjet, të vjedhë qytetarët. Është pjesë e teatrit, që të ruajë pushtetin e paligjshëm, nëpërmjet të cilit ai dhe një grusht njerëzish rreth tij pasurohen, ndërsa fëmijët e shqiptarëve nuk kanë bukë të hanë.
Gjatë 48 orëve të fundit, shumë miq të Shqipërisë, kanë kërkuar të mbizotërojë arsyeja dhe interesi i shqiptarëve, interesi publik dhe Edi Rama t’i hapë rrugë një procesi politik, i cili kërkon asgjë më shumë, dhe asgjë më pak se standardin europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, një parlament legjitim, nga populli, për popullin dhe për popullin; jo nga kriminelët, të kriminelëve dhe për kriminelët.
Sfidimi i hapur që Edi Rama bën, përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik, kur tashmë 30 qershori ligjërisht nuk përbën më nga pikëpamja kushtetuese një datë zgjedhjesh, por përbën nga pikëpamja politike dhe njerëzore një datë krimi kushtetues, një akti grusht shteti dhe krimi mbi çdo shqiptar, ky sfidim bëhet me një dhe një qëllim që Edi Rama të ketë mundësinë të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij për pushtetin e tij, të një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh që e mbajnë me serume kufomën e tij politike dhe organizatën e tij të shpartalluar kriminale të Rilindjes nga zbulimet e deritanishme dhe ato të pritshme të aktivitetit të tyre kriminal dhe korruptiv.
Por ora nuk pret, koha është e pamëshirë. Ne do të humbim javën e ardhshme për herë të katërt shanset për të hapur negociatat me Europën. Pse-ja është e shkruar e zezë me të bardhë, nga një prej vendeve që e ka zakon të flasë hapur dhe shkoqur, Mbretërisë së vendeve të Ulëta: nuk luftohet korrupsioni, nuk luftohet krimi.
Edi Rama është mëse i kënaqur me situatën aktuale. Ai e ka tmerr dhe frikë hapjen e negociatave. Ai e ka tmerr dhe frikë hapjen e kapitujve 23-24, të cilët do të shtrojnë pikëpyetjen që është në mendjen dhe gojën e çdo shqiptari, pavarësisht prej shkollimit dhe informacionit, që çfarë u bë me Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, çfarë u bë me dosjen e “Xibrakës”, “339”, kush i mbron Arben Ahmetajn, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin me shokë të të kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin e organizuar duke pastruar paratë me “Toyota Yaris”, duke devijuar lumenj për pastirm parash, duke grabitur paratë e shqiptarëve që nuk kanë bukë të hanë për të ndërtuar inceneratorë, që ndosin ajrin dhe punojnë me 30% të kapaciteve, pse nuk po dënohen, pse nuk shkojnë para drejtësisë? Edi Rama e ka jetike mos hapjen e negociatave.
Qëllimi i tij është ta devijojë gjithë debatin politik në diçka pa pikë vlere, datën 30 qershor e cila ka të njejtën vlerë sikur unë të shpallja datën 7 korrik datën e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Edi Rama e ka jetike moshapjen e negociatave. Qëllimi i tij është ta devijojë gjithë debatin politik në diçka pa pikë vlere, datën 30 qershor, e cila ka të njëjtën vlerë, njësoj sikur unë të shpallja datën 7 korrik, si datën e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Në këto momente të vështira për vendin, ju ftoj ta shohim të vërtetën siç është, ta përbuzim datën e propagandës dhe të mos sillemi si foshnjet që u tërhiqet vëmendja me një rake take, si kjo që po zhvillon Rama për të tërhequr vemendjen tuaj.
Unë nuk i kam kërkuar asgjë dhe nuk do t’i kërkoj asgjë presidentit të Republikës, sepse unë nuk besoj se zgjidhja e kësaj krize përmes akteve të presidentit të Republikës. Edi Rama ka faktuar se nuk do tja dijë për kushtetutën, as për ligjet, as për drejtësëinë, as për miqtë ndërkombëtarë, sepse është thjesht një njeri i kapur në krim dhe i kapur nga krimi.e vetmja forcë që mund ta ndalë rënien e kësaj shoqërie nën tiraninë e krimit dhe korrupsionit, me në krye një ilegjitim si Edi rama është forca e njerëzve të bashkuar. Kështu ka ndodhur kudo ku shoqëritë e civilizuara janë përballur me sprova të tilla, kështu po ndodh edhe këtu. Ftesa ime ndaj çdo qytetari është që të heqë çdo iluzion se do ketë ndonjë zgjidhje “deus ex machina”, me dorën e Zotit.
LEXO EDHE:
https://gazetamapo.al/basha-nuk-ka-marreveshje-me-ramen-ska-zgjedhje-pa-largimin-e-tij/