Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se dalje e të dhënave të votuesve në databazën e PS-së është një skandal.
Sipas tij, shteti shqiptar nën drejtimin e kryeministrit dhe të një grupi të ngushtë njerëzish nuk ekziston më, por është shndërruar në një pronë private.
Pyetje: Zoti Basha, qëndrojmë pak tek votuesit. Kanë qenë ditë të trazuara edhe për ta kur mësuan se të dhënat e tyre personale mund të administrohen nga një forcë politike dhe nuk janë të dhëna personale që vijnë në rrugë operative terreni por,kanë ardhur nga institucionet shtetërore. Besoj jeni në dijeni të një skandali i cili u publikua nga portal Lapsi.al. Sot shqiptarët duhet të dinë a është e mbrojtur vota e tyre?
Lulzim Basha: Skandali tregon se shteti shqiptar nën drejtimin e kryeministrit në ikje dhe të një grupi të ngushtë njerëzish nuk ekziston më por është shndërruar në një pronë private. Kjo është një arsye më shumë se pse me 25 Prill përmasat e bashkimit do të tejkalojnë ato të mbështetësve tradicionalë të opozitës apo të Shqiptarëve që janë të etur për ndryshim, por do të përfshijnë shumë socialistë disa prej të cilëve kanë dalë haptazi dhe kanë deklaruar se edhe për ta 25 Prilli duhet të jetë një ditë ndryshimi për ta dhe familjet e tyre.
Pyetje: Basha, të dhënat personale dëshmojnë se janë lehtësisht të shantazhueshëm njerëzit me vendet e tyre të punës. Atyre u dihen preferencat madje nuk janë kursyer as kreu i SHISH-it apo edhe kreu i SPAK-ut institucionit të cilit ju i drejtoheni herë pas here për atë që do të ndodhë pas 25 Prillit.
Lulzim Basha: Për mua dua t`ju them që kjo nuk është një habi dhe besoj që shumica e shqiptarëve e kanë ditur prej kohësh që kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë thyer çdo ligj, ligjin për privatësinë e të dhënave, kushtetutën e Shqipërisë dhe kjo vjen kur i gjithë pushteti është në një dorë. Ky është thjesht një tjetër shembull i degradimit të shtetit shqiptar 8 vite nën drejtimin e Edi Ramës. Është po kështu një ftesë edhe për ndokënd që ka patur ndonjë stepje apo skepticizëm dhe që ka preferuar të qëndrojë në shtëpi më 25 Prill që të dalë dhe të votojë për t’i dhënë fund edhe këtij dhunimi të privatësisë, për ti dhënë fund kësaj përpjekje për ta izoluar Shqipërinë dhe për ta kthyer atë në vendin ku qeveria është gjithçka dhe qytetari është asgjë.