fbpx

Kryesore

Basha: Qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut





               Publikuar në : 11:16 - 21/10/19 |
mapo.al

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e nisi ditën me një mesazh pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i opozitës kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme siç bëri vendi fqinj pas dështimit për marrjen e nisjes së negociatave.


“Shumica e vendeve ishin të një mendje, se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Për këtë, u artikuluan disa kushte, që në thelb tregojnë se Shqipëria nën këtë qeveri ka bërë hapa pas, nga viti në vit. Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive që vjen prej kapjes së institucioneve, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkuës. Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e BE. Ndëshkimi i blerjes së votës, vënia në funksionim e gjykatave të larta, janë kërkesa të panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Këto nuk janë probleme të BE, por probleme të qeverisjes së Ramës.



Krejt e ndryshme paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht për këtë vend dhe një mbështetje thuajse unanime për nisjen e negociatave. Megjithatë kryeministri maqedonas paraqiti dorëheqjen dhe vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare. Kurse qeveria jonë vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar.


Ne kemi vetëm një rrugë drejt të ardhmes dhe kjo është rruga europiane. Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë.

Ky mesazh ka qenë më i fortë nga Gjermania, që i tha PO Shqipërisë dhe JO qeverisë. Por kushtet gjermane nuk i interesojnë Edi Ramës sepse kjo nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të pushteteve dhe institucione të forta dhe të pavarura të drejtësisë.

Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdojë të refuzojë Edi Ramën. Ne shqiptarët do vuajmë pasojat. Një njeri po na mban peng.

Është koha që Shqipëria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, duke marrë përgjegjësinë për të kthyer mandatin tek populli. Na duhet një qeveri e re që e çon vendin përpara në procesin europian. Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike për të gjithë qytetarët e saj,” tha Basha.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas