Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte për ngushëllim tek familja e Major Klodian Tanushi, i cili vdiq mbrëmë nga plagët e marra nga shpërthimi fatal i 6 majit në Letoni. Basha shoqërohej nga deputeti i Qarkut të Dibrës Xhemal Gjunkshi.
Basha reagoi edhe mbrëmë menjëherë pas ngjarjes me anë të një postimi në rrjetet sociale. “Me hidhërim të thellë përcolla lajmin se sonte në mbrëmje u nda nga jeta prej plagëve të marra major Klodian Tanushi, komandanti i kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Ju përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes së major Tanushit dhe miqve, kolegëve e të afërmve të tij. Në veçanti mendimet e mija shkojnë pranë bashkëshortes dhe tre fëmijëve të major Klodian Tanushit. Lutem që shpirti i tij të prehet në paqe!”, shkroi Basha.
Major Klodian Tanushi humbi jetën mbrëmjen e djeshme, vetëm pak orë pasi iu dha lamtumira e fundit nëntetare Zarife Hasanaj.