Nga podiumi i protestës së opozitës para Kuvendit, kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje policisë që të mos lejojë daljen e Edi Ramës jashtë vendit. Basha tha se Rama sot është i pandehur i popullit shqiptar dhe duhet vënë përpara përgjegjësisë ligjore. Lideri demokrat tha se mbështetësit e opozitës nuk kanë ardhur në këtë protestë për dhunë. Ai tha se sytë e SHBA dhe BE janë nga sheshi i protestës për të sjellë ndryshimin e Shqipërisë.
“Sytë e SHBA dhe BE janë nga ky shesh. Rrugëtimi nis me bashkimin më të madh të 29 viteve. Lulzim Basha do të qëndrojë në krahun tuaj në këtë betejë. Unë besoj te demokracia amerikane, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet të shkojë para burgut. Ne nuk jemi popull i dhunës, por popull i lirisë dhe demokracisë. I bëj thirrje policisë së shtetit të mos lejojë daljen jashtë kufijve të Shqipërisë të të pandehur të popullit të Shqipërisë Edi Rama“.
Protesta LIVE
Kreu demokrat e konsideroi ilegjitim parlamentin e rrethuar me tela me gjemba, pas dorëzimit të mandateve parlamentare nga opozita. “Nga sot nuk ka më Parlament legjitim. Parlamenti i rrethuar me tela me gjemba, mbyllja e parlamentit sot u bë në mënyrë të paligjshme. Prej të shtunës nuk ka vend më për frikë”. “Ligji dhe Kushtetua janë produkt i sovrantit. Dua tju them se këtu jemi bashkuar dhe ju them miqve të mi se këtu nuk ka drejtësi, nuk ka parlament. Se ai që ju del para si kryeministër është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim se këtu nuk jemi në Venzuelë, sepse kjo është Shqipëria. Mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim atë që nuk do pranoni për popullin tuaj. Nuk pranoj kurrë që Kushtetuta të kthehet në letër higjienike. Nuk do pranoj kapjen e pushteteve dhe zgjedhje me ndihmën e krimit. Nuk pranoj kurrë që xhepat e shqiptarëve të vidhen. Kurrë nuk do pranoj narko shtetin dhe narkoparlametin. Nuk ka më frikë në zemrat e shqiptarëve përveç frikës nga Perëndia”, deklaroi Basha.
Në mbyllje të protestës Basha i bëri thirrje protestuesve që ta ndjekin në drejtim të Kryesisë së Kuvendit për të djegur mandatet parlamentare. “Hajdeni pas meje tek Selia e Kuvendit për të dorëzuar së bashku njëherë e mirë mandatet. Të gjithë pas meje për të finalizuar këtë akt final të dorëzimit të mandateve. Të gjithë pas meje”- tha Basha. Kujtojmë që brenda Kryesisë së Kuvendit ndodhet kryeministri Edi Rama në takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
/Gazeta Mapo/