Lideri demokrat e ka ndryshuar sot diskursin në publik, duke iu drejtuar Partisë Socialiste dhe jo kreut të saj Edi Rama, për ti dhënë fund krizës politike. “Nuk është kurrë vonë. Thirrja ime ndaj PS është të reflektojë sa nuk është vonë”, u shpreh Basha, në një deklaratë për mediat pas takimit me reporterët e KiE.
Sipas tij, në pushtet është pakica, një grusht njerëzisht që po mbajnë peng vendin.
“Do iu garantojmë qytetarëve lirinë e votës më pas mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu nuk mund të vazhdohet më, kjo situatë është e padurueshme. Një pakicë do që ta mbajë vendin në këtë gjendje që të vazhdojë të përfitojë. Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie i paguajnë shqiptarët”.
Teksa bëri këtë thirrje, Basha u shpreh se durimit të popullit po i vjen fundi.
“Ndërkohë që në po përgatisim ofertën tonë jo vetëm për reformën elektorale, por për të nxjerrë vendin nga kriza, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fundi. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksionere, as Rama e askush tjetër nuk mund të mendojë se mund ta trajtojë vendin si çifligun e vet dhe shqiptarët si bujkrobërit e vet”.