Nga Enton Palushi
Kryeministri Edi Rama ka shkruar një seri letrash, disa për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe një të fundit për demokratët. Si stil, letrat nuk kanë të sharë. Si përmbajtje janë thjesht një ‘vrimë në ujë’ pasi nuk i japin kurrfarë drejtim krizës në vend. Çdo njeri me dy pare mend e di se nëse do të zgjidhësh një krizë, duhet të adresosh shkaqet e saj. E megjithatë, kryeministri vazhdon të shkruajë me shpresën se në mos me letrën, njerëzit do merren me sasitë e tyre. Nuk ka faj. Çdo veprim që e bën, e ka për marketing politik dhe nuk janë të paktë mbështetësit e tij që e kanë pranuar se kjo është gjëja që bën më mirë: Fjalët! Nuk është pak edhe kjo, pasi nëse e sheh hollë-hollë, në politikë duhet të jesh shpesh më i mirë me fjalët se me veprat. Përndryshe, Rama do ishte edhe sot e kësaj dite një emigrant i thjeshtë që vizaton nëpër Paris dhe jo njeriu që drejton shqiptarët.
Por thelbi i krizës së sotme është mungesa e garës dhe askund nëpër letrat e tij nuk flitet për të. Detyra e kryeministrit është që të garantojë garën dhe ai nuk e ka bërë këtë. Zgjedhjet e fundit, pavarësisht marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës, nuk u certifikuan si të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sikur të mos mjaftonte vëzhgimi sipërfaqësor që kanë bërë ata, në media dolën disa përgjime për manipulimet zgjedhore, që do kishin dërguar në ‘koshin e historisë’ çdo qeveri në një vend normal. Një telefonatë e Ramës nga këto dosje përfundoi në faqe të parë të gazetës më të madhe europiane dhe ai sërish vazhdon të relativizojë çdo gjë.
***
Ka disa gjëra që bien megjithatë në sy te letrat e Edi Ramës. Mes tyre, komentet e shpeshta se Shqipëria është një vend demokratik dhe se çdokush është i lirë ose jo të garojë. Çfarë shakaje! Shqipëria, në vlerësimin më bujar që bën organizata ‘Freedom House’, është thjesht një regjim hibrid.
Gjatë këtyre gjashtë viteve të qeverisjes së Ramës, kryeministri ia ka dalë diku me brutalitet e diku me mjeshtëri që të marrë të gjitha ‘defektet’ e demokracisë dhe t’i zmadhojë deri në pikën kur mediat e huaja flasin për autokraci.
Së pari, duke nisur nga manipulimet zgjedhore. Shqipëria ka njohur të tilla probleme plot, qoftë me listat, mjetet e identifikimit, policinë, KQZ-në, burimet, administratën. Rama i përdori këto, por e çoi në pikën më skajore problemin me blerjen e zgjedhjeve, aq sa edhe të huajt i ka lënë pa ‘tekst’. A nuk ju bën përshtypje që kryevëzhguesja e ODIHR deklaron se do ‘bëjnë sytë katër’ për të mos lejuar blerjen e votave. Me siguri ajo pret njerëz me tufa lekësh nëpër duar nëpër shkurre, lokale apo pranë qendrave të votimit duke blerë vota. Sa ironike! Ne kemi disa përgjime të bërë me metoda speciale hetimore me ndihmën e partnerëve të huaj dhe kryeministri i ka hedhur në ‘kosh’.
E dyta, duke vënë në kontroll drejtësinë. Kjo është metoda më efikase për të treguar dhëmbët ndaj të gjithëve. Shiheni se si i sulmon gazetarët nëpër studio me pretendimin se duhet të flasë e para drejtësia. Cila drejtësi?!!
E treta, duke bërë qesharakë të huajt. Në Shqipëri kishte nisur prej kohësh një tendencë paragjykimi ndaj ndërkombëtarëve. E megjithatë ata e kishin ruajtur staturën e tyre deri në këto momente kur disa prej tyre kanë humbur jo vetëm besueshmërinë. Nga frika se po humbasim arbitrin, i jemi kthyer si streha e fundit e besimit asaj që deri më tani nuk na ka zhgënjyer: medias së huaj.
E katërta, duke bërë qesharake edhe median në vend. Pas 30 vitesh, shqiptarët po i kthejnë sërish sytë nga VOA apo Deutsche Welle për informim. Përveç ndonjë portali apo ndonjë gazete, mediat më të mëdha në vend janë përfshirë në një garë se kush do e deformojë më shumë realitetin në vend. I vetmi moment kur duken të sinqertë, janë kur zihen për ‘plaçkën’ që u hedh kryeministri, të zemëruar se ndonjëri prej tyre ka marrë copë më të madhe.
E pesta, duke e bërë të urryeshëm biznesin e madh në vend. Vërtet nëpër botë po ankohen se ekonomia e tregut ka sjellë deformime duke pasuruar në mënyrë të çmendur një pakicë njerëzish. Por këtu një grusht njerëzish të biznesit dhe medias, që Rama e thotë me krenari se i ka trashëguar nga e djathta, po bëhen super të pasur jo prej garës, por prej mungesës së saj, duke marrë shumë stratosferike për projekte që do paguhen nga xhepat e shqiptarëve dhe jo nga pasuria e tyre.
E gjashta dhe më e rëndësishmja, duke i bërë opozicionit në vend një dëm të madh, nga i cili do vuajë gjatë politika si profesion. Vërtet dekadat e fundit kemi pasur liderë që e kanë luftuar opozitën ashpër, me metoda të ligjshme e të paligjshme. Por pikërisht kjo ashpërsi e Fatos Nanos, Sali Berishës apo Ilir Metës ndaj opozitës, e ka bërë këtë të fundit një kundërshtar serioz në garë. Kurse Rama, që i përdori të gjithë elementët kundër opozitës, që nga blerja e krijimi i opozitës së re deri tek dhuna e gazi lotsjellës, bëri një veprim edhe më tinëzar. Pikërisht në kohën kur në mbarë botën, besimi te politika dhe demokracia po bie ndjeshëm pasi njerëzit mendojnë se të gjitha palët janë njësoj, Rama u dhuroi shqiptarëve atë që donin: me një lëvizje putineske krijoi idenë se qeveria dhe opozita janë njësoj. Madje sipas parimeve të filozofit putinesk Ivan Iliev u përpoq të përçojë mesazhin se zgjedhjet janë një rutinë dhe se pushteti vendoset diku tjetër. Në këtë rast në ndonjë tavolinë pranverore me liderin e opozitës. Madje për ilustrim, atë që e akuzonte si arkitektin e krizës ekonomike e financiare të shqiptarëve në qeverisjen e PD, e dërgoi me votat e tij në Bankën e Shqipërisë. Kurse ngjarjen më polarizuese në vend, 21 janarin e vitit 2011, e relativizoi në mënyrë të tillë, sa një personazh të grupit të zjarrit e bëri kandidat socialist.
***
Pikërisht kur e kishte ‘vrarë’ garën në këtë mënyrë, tani u shkruan demokratëve dhe u kërkon që të vazhdojnë lojën e tij. Mirëpo në këtë rast Lulzim Basha nuk mund të vazhdojë i vetëm lojën sepse pas tij ka elektoratin, i cili në momentin kur sheh polarizim (lexo: garë), vetëm shtohet.
Pavarësisht se kryeministri thotë se numri i tyre po pakësohet, protestat po tregojnë të kundërtën. Fenomeni i zakonshëm, ai i lodhjes nga zemërimi, që vrau protestën studentore, nuk po ndodh në rastin e protestës së opozitës politike, duke treguar se Basha mund ta ketë futur lëvizjen e tij në një kurs fitoreje.
E di që ka shumë njerëz që thonë se sërish në shesh nuk po del shumica e shqiptarëve, por të paktën shihni se çfarë raportojnë mediat e huaja që nga 16 shkurti, kur pati prej tyre që folën për ‘turmë oqeanike’, e deri kur gazetari Tim Judah tha se bulevardi ishte plot.
Në mënyrë të tërthortë ata po na flasin për një fenomen të rëndësishëm në politikë, që njihet edhe si ‘rregulli i 3.5 përqindëshit’. Sipas të dhënave të mbledhura nga shkencëtarët e Harvardit, në studimin më të plotë dhe më befasues për mbi një shekull, çdo lëvizje ka rezultuar e suksesshme nëse aty përfshihen së paku 3.5 për qind e popullsisë. Për disa mund të duket pak, por për vende si Amerika kjo do të thotë që në protestë të përfshihen diku te 11 milionë banorë. Për vende si Shqipëria, numri i tyre duhet të jetë diku te 90 mijë banorë. Dhe opozita ka treguar se këtë prag e ka kapërcyer.
Mund të duket një minorancë e vogël, por një nivel i tillë i pjesëmarrjes aktive do të thotë se shumë njerëz pajtohen në heshtje me kauzën, thotë ekspertja Erica Chenoweth.
Protestat jo të dhunshme kanë dy herë më shumë gjasë të kenë sukses se konfliktet e armatosura. Nëse ato angazhojnë një prag prej 3.5 për qind të popullsisë, nuk dështojnë kurrë për të sjellë ndryshimin, thekson David Robson i BBC.
Kaq duhen për të rrëzuar një diktator. Kaq duhet për të ndryshuar status quo-në. Kjo është arsyeja se përse mediat e huaja e lexojnë ndryshe protestën opozitare. Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse shqetësimi i Ramës kaloi nga Basha te demokratët në letrën e fundit. Pas muajsh të tërë me protesta, ata duken akoma më të vendosur.
Respekt për këtë minorancë fantastike. Mos harroni, historia nuk shkruan kurrë për ata që bëjnë sehir.