Aktualitet

Bashkëbisedim Mark Simoni dhe Eli Kanina









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:26 - 21/02/21 |
mapo.al

Me shkrimtaren dhe përkthyesen Meri Lalaj



Bashkëbiseduan Mark Simoni dhe Eli Kanina


Ka shumë e shumë vite që emri i Pogradecit nuk mund të mendohet pa emrin e Lasgushit. Poeti patjetër që është një ndër asetet më të çmuara të atij qyteti. Për këtë lirik të klasit të parë, ka jo vetëm kujtime e shkrime të shumta, por edhe libra si ai i Petraq Kolevicës, Moikom Zeqos, Ismail Kadaresë etj, sa të krijohet ideja se tashmë gjërat janë thënë, kujtimet janë shterur. Por vëmë re se rreth tij ka ende ngjarje, detaje, histori të vogla, njohje personale, që nuk janë bërë publike. Ju jeni ndër njohëset më të besueshme të Lirikut, madje dhe jeni pyetur dhe keni dhënë intervista për Lasgushin. Çfarë ju ka mbetur të na thoni për lexuesin nga arkivi juaj i shenjtë? 




Vendlindja ime, Pogradeci, ka fatin e madh për njerëzit që janë rritur aty dhe ky qytet nuk mund të mendohet pa shkrimtarin dhe shqipëruesin e mrekullueshëm Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), nuk mund të mendohet pa mjekun e famshëm Jani Basho, pa gjuhëtarin e jashtëzakonshëm Gjergj Pekmezi dhe natyrisht edhe pa arkitektin duarartë Kristo Sotiri, natyrisht edhe poeti Lasgush.



Përveç këtyre autorëve që kanë shkruar për poetin, të cilët ju i përmendni: Petraq Kolevicën, Moikomin, Ismailin, libra për Lasgushin kanë shkruar edhe Petro Prifti, Emin Kabashi, dhe ndonjë tjetër. Përsa më përket mua, gjithçka e kam shkruar në librin “Lasgushi në Poradec”. Unë nuk kam asnjë arkiv të shenjtë apo të pashenjtë, për të shkruar.


Gjithnjë më pyesin për këtë libër dhe përse nuk përmendin se unë kam botuar nja njëzetë libra të tjerë: dy libra me poezi, dy libra me tregime, tre romane, një monografi për Fehim Zavalanin, një libër për Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, një libër për ngjarjet e viteve 1991 dhe 1992, po ashtu kam përkthyer disa libra.

Ju konsideroheni një arkiv i gjallë, mjaft i veçantë dhe interesant. Njohja juaj me njerëz të shquar e me shkrimtarë të dëgjuar është një pasuri personale shumë e çmuar. Nga kjo përvojë e jetës suaj çfarë do të veçonit në bisedë për lexuesit e MAPO-s?

Në jetën time, unë kam qenë me shumë fat sepse që në moshën dymbëdhjetëvjeçare, a diçka e tillë, jam njohur dhe miqësuar me Helena Gushin (Kadare) dhe mbetëm mikesha për tërë jetën. Kur isha studente, profesori im i gjuhës angleze, Skënder Luarasi, një atdhetar i vërtetë, më brumosi me dashurinë për kombin tim. Aty nga mosha tetëmbëdhjetë apo nëntëmbëdhjetë vjeç, kam njohur Ismail Kadarenë. Më vonë kam njohur Dritëro Agollin, Sadija ka qenë mikja ime në konvikt dhe në leksionet e përbashkëta. Kur vajta mësuese në Korçë kam njohur shkrimtarin dhe përkthyesin Andon Frashëri, dishepullin e fundit të Fan Nolit, për të cilin kam shkruar. Kam mike piktoren dhe poeten nga Prishtina Miradije Ramiqi, kam Kozeta Mamaqin. Kisha dhe Amik Kasoruho.

Njihem pothuaj me të gjithë ata që i përkasin botës letrare brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Më ka interesuar letërsia e shkruar në Kosovë para viteve ’90, të cilët  botoheshin fare pak në shtypin tonë, ende gjej blloqe në të cilët kam kopjuar poezi të shkruara nga Azem Shkreli, Qerim Ujkani, Ali Podrimja, Flora Brovina e të tjerë. Më vjen keq se librat e Martin Camajt i kam lexuar në fillim të viteve ’90. Dikur kam këmbyer letra me shkrimtarin turk Aziz Nesin, tani kam mik shkrimtarin Naim Flamuri nga Ulqini, që jeton në Australi. Një mik shumë i çmuar i imi prej 30 vitesh është përkthyesi anglez i librave të Kadaresë, John Hodgson. Po ashtu një mike e çmuar për mua është edhe antropologia Clarissa de Waal, e cila ka shkruar dy libra për Shqipërinë.

Gjuhët e huaja, leximet dhe përkthimet ju kanë familjarizuar shpirtërisht dhe intelektualisht me autorë të mëdhenj të letërsisë botërore. Cilët do të veçonit si më të rëndësishmit dhe përse?

Kam mësuar rusisht që në vitin e parë gjimnaz, kur isha nxënëse kam përkthyer një përrallë nga Lermontov, dy poezi nga Pushkin, një poezi nga Turgeniev dhe më vonë dy tregime nga Çehov. Tani gjuha ruse më ka mbetur pasive, pasi nuk e përdor, por ajo më ka ndihmuar shumë kur isha studente e gjuhës angleze dhe në atë kohë ne nuk kishim fjalorë anglisht- shqip dhe kështu punoja, mësoja me fjalorët anglisht-rusisht. Kam përkthyer poezi nga George Byron, Percey B. Shelley, Rod McKuen, Mark Staber Kobo e të tjerë. Jam përqendruar tek proza (sepse nuk jam poete e mirëfilltë). Duke u ndodhur midis dy letërsive: ruse dhe angleze, kam përkthyer monografitë “Esenini – një jetë” shkruar nga Gordon McVay dhe “Anna Ahmatova – një shtegtim poetik” nga Amanda Haight, po kështu kam përkthyer një libër me tregime nga Kate Pullinger, librin e Fan Nolit “Betoveni dhe Revolucioni Frëng”, një libër për jetën e aktores së Hollivudit “Elisabeth Taylor”, kam dy libra të përkthyer të pabotuar “Detyra në Shqipëri” nga David Smiley dhe “Dëshmitari i shekullit” nga George Seldes.

Letërsia juaj si poete dhe shkrimtare, përfshin përmbledhje me poezi dhe tzregime  si edhe tre romane, ndërmjet tyre veçoj “Dashuri e ndaluar” dhe “Trëndafilë të bardhë vjeshte”. Si ka ndikuar dashuria në jetën tënde, në letërsinë tuaj? Po bindja politike? Sa është elementi biografik në raport me trillimin letrar në romanet? Në ta përshkruhen të vërteta historike me ngjarje dhe personazhe reale shqiptare, a lidhen këto me jetën e Merit?

Në romanin “Dashuri e ndaluar” ka elementë autobiografikë, qëllimi im ka qenë që në atë libër të ngre një himn për të gjitha nënat, bashkëshortet, motrat, vajzat e dashuruara, të cilat ndoqën pas bijtë, burrat, vëllezërit, të dashurit nëpër internimet dhe burgjet e diktaturës. Dashuria që përshkruhet aty nuk më përket thjesht mua është një dashuri e përgjithësuar duke pasur parasysh sa çifte i ndau përdhunshëm regjimi. Ndërsa për veten time e them me plot gojën se njëqind parti apo qeveri nuk do të më ndanin dot nga një burrë që do ta doja, por kur një burrë nuk e meriton dashurinë që i jepet, atëherë detyrohesh të kthehesh në vendlindjen tënde me një fëmijë përdore e përndjekur nga opinioni dhe me një njollë në biografi. Në romanin “Qentë nuk angullijnë më”, nuk ka asgjë nga jeta ime, përveç përshkrimit në formë kronike se çfarë po ndodh në qytetin tim në vitin 1997. Libri është ndërtuar dyplanësh dhe pjesa tjetër është thjesht trillim me gjëmat e atij viti. Romani “Trëndafilë të bardhë vjeshte” ka të bëjë me mua, është diçka e jetuar, kur fati më bekoi me një dashuri dhe e kam shkruar ashtu siç e kam përjetuar, natyrisht duke e plotësuar edhe me shumë ndodhi të tjera.

Bindja ime politike është Shqipëria, unë e dua shumë Shqipërinë, nuk u largova siç bënë shumë të tjerë dhe ëndrra ime është dua ta shoh tani më mirë se dikur kur erdha në këtë jetë.

Cili është raporti juaj si autore dhe përkthyese me autorët e tjerë të të gjithë brezave, nga ata që ju kanë motivuar dikur, por edhe sot me më të rinjtë? Po me shtypin, me shtëpitë botuese, me Panairin e Librit, me Ministrinë e Kulturës, me botuesit e redaktorët si ka qenë marrëdhënia juaj ndër vite? A ke ndonjë këshillë , sugjerim apo kritikë?

Kur më kanë pyetur se si munda të mbijetoj nën diktaturë, unë jam përgjigjur se më shpëtuan librat që lexoja. Unë dhe brezi im kemi qenë me fat sepse kemi lexuar mrekullira: klasikët e letërsisë botërore, sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesit e mrekullueshëm: Petro Zhej, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Lasgush Poradeci e shumë të tjerë, të cilët e ngritën shqipen në lartësi të papara. Ne mësuam kaq shumë nga këta idealistë të përkushtuar ndaj kulturës. Edhe sot përkthehet shumë, kur shoh librat më duket sikur jam para një oqeani sepse nuk arrij të lexoj aq sa do të doja, po ashtu sikurse në oqean ku në fundin e tij gjenden margaritarë edhe në libraritë tona gjen gurë të rrallë, por edhe shumë plehra, të cilat dallga i flak tutje. Natyrisht në ditët tona kam dijeni për shumë përkthyes që punojnë fare mirë, që njohin gjuhët e të tjera. Shpesh thuhet se rinia e sotme nuk lexon, kam takuar plot të rinj që lexojnë shumë, madje një shoku im 21 vjeç më ka habitur me etjen e tij ndaj leximit se sa shumë libra ka lexuar. Nuk e di cili e ka vendosur këtë rregull që unë të mbush faqet e gazetave me shkrimet e mia dhe të mos paguhem asnjë lek, kjo nuk ndodh në vendet e tjera. Ju lutem, mos më pyesni për botuesit, ata jetojnë më së miri duke shfrytëzuar punën dhe djersën e shkrimtarëve. Ministria e Kulturës nuk e di në se unë ekzistoj. Në Tiranë u shkri Lidhja e Shkrimtarëve, këtu ka lloj-lloj klubesh, por nuk ka një klub për shkrimtarë e poetë ku të njihen me njëri tjetrin, të pinë kafe, të recitojnë poetët, kështu që jemi të gjithë në ilegalitet. Panairin e Librit e bëjnë botuesit dhe ata fitojnë. Shumë shtëpi botuese punojnë pa redaktorë dhe pa korrektorë dhe kjo është e pafalshme. Mendimi im do të ishte që çdo shtëpi botuese të kishte një këshill, i cili të shqyrtonte librat e rinj përsa u përket vlerave më parë se të futeshin në shtyp.

Duket se letërsia jote shkon paralel me përkthimet, jo vetëm si arsimim e profesion, por edhe si pasion për gjuhët e huaja dhe sidomos një merak për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Një nismë a dëshirë profesionale (e papërfshirë nga projekte të financuara) është sjellja juaj e autorëve të huaj për lexuesin shqiptar, si një lexuese e kultivuar me letërsi të përzgjedhur dhe me vlera bashkëkohore. Cili është projekti i radhës për botim, një libër i yti apo një i përkthyer së fundi?

Natyrisht e kam shumë për zemër të shkruarit saktë të gjuhës shqipe, gjuhës së të parëve të mi, gjuhës së nënës time, është pasuria më e madhe që kemi, mjafton të lexojmë Naimin dhe kuptojmë mrekullinë e saj. Nuk kam projekte për të ardhmen, vetëm do doja ta shoh të botuar librin “Dëshmitari i një shekulli#, i cili është një libër me shumë vlera historike, politike, artistike, letrare e të tjera.

Një mësuese e gjuhës angleze,, një grua intelektuale e sfiduar nga regjimi i kohës, një adhuruese e lirisë dhe demokracisë, një poete e shkrimtare, një përkthyese që lexon dhe udhëton për kënaqësi dhe kulturë, një nënë e realizuar, që testamentin e të vërtetave të jetës të saj ia ka lënë së bijës nëpër libra… A ka ndonjë merak, ndonjë peng, ndonjë bindje, ndonjë pamundësi, ndonjë kontribut, ndonjë njeri në periudha të ndryshme të jetës, që do ta riktheje për ta trajtuar ndryshe?

Kam peng që time mbesë nuk e kam rritur unë dhe shumë pak kohë nga jeta ime kam kaluar me atë. Kam peng edhe Shqipërinë, që do të doja ta shikoja më mirë. Atëherë po e mbyll me vargjet e patriotit Sali Butka:

“Në vërsë të pleqërisë, / Më zunë halle të rënda / Për sebep të Shqipërisë, / Që s’u bë siç ma kish ënda.”

18


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas