Kryesore

Bashkëpunimi, ilaçi për mposhtjen e epidemisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 07/04/20 |
Nga Yuval Noah Harari

Përballë epidemisë së koronavirusit, ka mjaft nga ata që fajësojnë globalizimin dhe pretendojnë se mënyra e vetme për ta parandaluar që të ndodhë përsëri diçka e tillë është de-globalizimi i botës.


Ngrini mure, kufizoni udhëtimet, ndaloni tregtinë. Por nëse frenimi në afat të shkurtër është thelbësor për ta mposhtuar epideminë, izolimi në afat të gjatë do të shembte ekonominë pa dhënë ndonjë mbrojtje prej sëmundjeve infektive. Përkundrazi. Antidoti i vërtetë i epidemisë nuk është ndarja, por bashkëpunimi.


Epidemitë kanë vrarë miliona njerëz shumë kohë përpara epokës së globalizmit. Në shekullin XIV, nuk kishte aeroplanë, por kjo nuk e pengoi Murtajën e Zezë të përhapej nga Lindja e Largët në Evropën Perëndimore në pak më shumë se dhjetë vjet, duke vrarë të paktën çerekun e popullsisë.


Në Meksikë në 1520 nuk kishte trena e autobusë, madje as gomerë, por një epidemi e madhe në vetëm gjashtë muaj mori më shumë se një të tretën e banorëve të saj. Më 1918, një lloj i veçantë gripi viral arriti të përhapet brenda disa muajve deri në cepat më të largët të planetit. Ai preku më shumë se një të katërtën e qenieve njerëzore dhe shkaktoi vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve në më pak se një vit.


Një shekull më pas, njerëzimi është bërë edhe më i prekshëm nga epidemitë përmes efektit të kombinuar të transportit dhe rritjes së popullsisë. Sot, një virus mund të udhëtojë në klas biznesi nëpër botë në 24 orë dhe të infektojë mega-qytetet. Prandaj duhej ta kishim menduar ta jetonim këtë ferr infektiv, ku plagët vdekjeprurëse të epidemive janë përhapur njëra pas tjetrës.

Zotat e zemëruar, magjia e zezë ose ajri i ndotur

Megjithatë, madhësia dhe ndikimi i epidemive në të vërtetë janë zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme. Megjithë viruset e neveritshme si HIV dhe Ebola, proporcionalisht epidemitë asnjëherë nuk kanë shkaktuar aq pak vdekje që nga Epoka e Gurit, si në shekullin e 20-të. Kjo për shkak se mbrojtja më e mirë që njerëzit kanë përdorur kundër patogjenëve nuk ka qenë izolimi, por informacioni dhe dija. Njerëzimi ka fituar luftën kundër patogjenëve sepse, në garën luftarake midis patogjenëve dhe mjekëve, patogjenët mbështeten në mutacionet e verbra ndërsa mjekët në analizën shkencore të të dhënave.

Kur murtaja goditi në shekullin XIV, njerëzit nuk e kishin idenë se çfarë e shkaktonte atë ose çfarë mund të bënin për ta ndaluar. Deri në kohët moderne, njerëzit përgjithësisht kanë fajësuar perënditë e zemëruara, magjinë e zezë ose ajrin e ndotur pa dyshuar asnjëherë për ekzistencën e baktereve dhe viruseve. Kështu që kur u shfaq murtaja e zezë ose epidemi të tjera, e vetmja gjë që bënin autoritetet ishte të organizonin lutje për perënditë dhe shenjtorët e ndryshëm. Pa asnjë efekt.

Gjatë shekullit të kaluar, shkencëtarët dhe mjekët në mbarë botën ndanë informacione dhe së bashku arritën të kuptojnë si mekanizmat e epidemive ashtu edhe të gjejnë mjetet për t’i luftuar ato. Teoria e evolucionit ka shpjeguar pse dhe si shfaqen sëmundjet e reja dhe kur të vjetrat bëhen më virulente.

Gjenetika u ka mundësuar shkencëtarëve të lexojnë se si të përdorin patogjenët. Ndërsa njerëzit e mesjetës kurrë nuk e zbuluan kurrë se çfarë e shkaktoi Murtajën e Zezë, shkencëtarët e sotëm për dy javë e identifikuan koronavirusin e ri, rendin e gjenomit të tij dhe menjëherë zhvilluan një test të besueshëm për të identifikuar personat e infektuar.

Pasi shkencëtarët kuptuan shkakun e epidemive, u bë shumë më e lehtë për t’i luftuar ato. Vaksinat, antibiotikët, higjena më e mirë dhe një infrastrukturë mjekësore shumë më e sofistikuar kanë bërë të mundur që njerëzimi të ketë nën kontroll këto vrasës të padukshëm.

Në vitin 1967, 15 milion njerëz vuanin ende nga virozat dhe 2 milion vdisnin prej tyre. Dhjetë vjet më vonë, pas një fushate vaksinimi, OBSH deklaroi në 1980 se njerëzimi e kishte fituar betejën me virozat. Në vitin 2019, asnjë person nuk  vdiq prej tyre.

Çfarë na tregon historia për epideminë aktuale të Covid19? Së pari, që ne nuk do të mbrohemi duke mbyllur përgjithmonë kufijtë. Të mos harrojmë se epidemitë u përhapën me shpejtësi edhe në Mesjetë, shumë kohë para globalizmit. Kështu që edhe nëse i ulim lidhjet tona globale në shkallën e mbretërive të mesjetëse, përsëri nuk do të mjaftojë. Që izolimi të na mbrojë në mënyrë efektive, duhet të kthehemi në Epokën e Gurit. A mund të bëjmë diçka të tillë?

Historia vijon të na mësojë se mbrojtja e vërtetë vjen nga ndarja e informacionit të besueshëm shkencor dhe solidariteti ndërkombëtar. Kur një vend goditet nga një epidemi, ai duhet të ndajë në mënyrë transparente të dhënat e mbledhura mbi infeksionin pa frikën e një fatkeqësie ekonomike, ndërsa vendet e tjera duhet ta besojnë atë informacion dhe të mbrojnë njerëzit.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është gjithashtu i nevojshëm që edhe masat e kontrollit të jenë efektive. Karantina dhe kontrolli janë thelbësore për ndalimin e përhapjes së epidemisë. Por kur vendet nuk besojnë njëri-tjetrin dhe kur të gjithë ndjehen sikur janë të vetëm, qeveritë nuk kanë dëshirë të marrin masa të tilla drastike.

Nëse zbulohen vetëm 100 raste me Covid19 në një vend, kush do vendosë të mbyllë qytete dhe rajone të tëra? Në një masë të madhe, gjithcka varet nga ajo që mund të pritet nga vendet e tjera. Nëse qeveritë mendojnë se vendet e tjera do vijnë në ndihmë, ka më shumë të ngjarë të ndërmarrin hapa kaq drastikë. Por nëse mendojnë se do të braktisen, do të hezitojnë ta bëni atë, deri sa të jetë shumë vonë.

Përballë një epidemie të tillë, ndoshta gjëja më e rëndësishme është të kuptohet se përhapja e epidemisë në çdo vend rrezikon tërë njerëzimin. Sepse viruset evoluojnë. Viruse si SARSCoV2 vijnë nga kafshët, si lakuriqët. Kur transmetohen te njerëzit, viruset fillimisht nuk janë të përshtatur mirë me hostet e tyre. Kur përsërisin veten në organizmat njerëzorë, ata mund të pësojnë mutacione.

Shumica e këtyre mutacioneve janë të padëmshme. Por ndonjëherë një mutacion e bën virusin edhe më ngjitës ose më rezistent ndaj sistemit imunitar të njeriut, dhe kjo tendosje mutante mund të përhapet shumë shpejt. Duke ditur që vetëm një individ mund të grumbullojë një miliard grimca virale që janë në mutacion vazhdimisht, çdo person i infektuar i jep virusit një miliard shanse për t’u përshtatur më mirë te njerëzit.

Ky nuk është spekulim. Në vitin 2014, një mutacion i vetëm i një virusi të vetëm të Ebolas që kishte infektuar një njeri të vetëm bëri që Ebola të jetë katër herë më ngjitëse për njerëzit; kështu sëmundja e virusit Ebola u bë një epidemi shkatërruese.

Ndërsa lexoni këto rreshta, një mutacion i ngjashëm mund të ketë ndodhur në një gjen të vetëm SARSCoV2 që ka infektuar dikë në Teheran, Milano ose Ëuhan. Nëse po, kjo nuk kërcënon vetëm iranianët, italianët ose kinezët, por edhe jetën tuaj, direkt. Është në inetersin e gjithë botës që kjo të mos ndodhë. Që të mbrosh çdo vend, duhet mbnrojtur çdo person.

Në vitet 1970, njerëzimi arriti të mposhtë virusin e lisë së dhenve, sepse njerëzit në të gjithë botën ishin vaksinuar kundër tij. Nëse një vend i vetëm do të dështonte të vaksinonte njerëzit e tij, do të kishte rrezikuar gjithë njerëzimin, sepse për sa kohë që virusi i dhenve do të vazhdonte të ekzistonte dhe mund të përhapej diku, ai mund të përhapet përsëri kudo.

Qasja në kujdesin shëndetësor, një element kryesor

Në betejën kundër viruseve, njerëzimi duhet ti mbrojë fort kufijtë e tij. Jo kufijtë që ekzistojnë midis vendeve, por kufirin që ndaj botën e njerëzve nga ai i viruseve. Planeti Tokë popullohet nga viruse të panumërta, dhe viruse të reja po evoluojnë vazhdimisht për shkak të mutacioneve gjenetike. Vija ndarëse midis botës së viruseve dhe botës së njerëzve kalon nëpër trupin e çdo qenieje njerëzore. Nëse një virus i rrezikshëm arrin të kalojë këtë kufi kudo në botë, e gjithë specia njerëzore është në rrezik.

Gjatë shekullit të kaluar, njerëzimi e ka fortifikuar këtë kufi si kurrë më parë. Sistemet moderne shëndetësore janë krijuar për të shërbyer si një mur përgjatë këtij kufiri, mjekët dhe studiuesit janë rojet që patrullojnë dhe sprapsin cdo ndërhyrje. Sidoqoftë, pjesë të gjata të këtij kufiri mbetën të ekspozuara. Miliona njerëz në mbarë botën nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor. Kjo na rrezikon të gjithëve ne.

Ne jemi mësuar të mendojmë për shëndetin në terma kombëtare, por sigurimi i një sistemi më të mirë të kujdesit shëndetësor për iranianët dhe kinezët gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e izraelitëve dhe francezëve nga epidemitë. Për virusin, nuk ka dallim midis iranianëve, kinezëve, francezëve dhe izraelitëve. Për virusin ne jemi të gjithë pre. Kjo e vërtetë e thjeshtë duhet të jetë e qartë për këdo, por për fat të keq kjo harrohet nga disa prej personazheve më të rëndësishëm në planet.

Njerëzimi sot po përballet me një krizë serioze, jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe për shkak të mosbesimit që njerëzit kanë ndaj njëri-tjetrit. Për të kapërcyer një epidemi, njerëzit duhet të besojnë ekspertët shkencorë, qytetarët të besojnë tek autoritetet publike dhe vendet duhet të besojnë njëri-tjetrin. Vitet e fundit, politikanë të papërgjegjshëm e kanë minuar qëllimisht besimin te shkenca, tek autoritetet publike dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Si rezultat, ne po e përballim sot këtë krizë pa liderë botërorë që të frymëzojnë e që organizojnë dhe financojnë një reagim të koordinuar global.

SHBA-të u mënjanuan

Gjatë shpërthimit të Ebolës në 2014, Shtetet e Bashkuara morën këtë rol udhëheqës. Ashtu si në vitin 2008, gjatë krizës financiare, kur ata mblodhën mjaft vende pas tyre për të parandaluar një krizë globale ekonomike. Por vitet e fundit, SHBA janë tërhequr nga roli i vet si udhëheqës botëror.

Qeveria aktuale e ka bërë të qartë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë më miq të vërtetë, ato kanë vetëm interesa. Kur shpërtheu kriza e koronavirusit, SHBA mbetën në anë dhe nuk arritën të luajnë një rol udhëheqës. Edhe nëse do ta bënin, besimi që frymëzon qeveria amerikane është aq i degraduar sa që pak vende do të ishin të gatshme t’i ndiqnin ato. A do të pranonit të ndiqnit një lider, motoja e të cilit është “Unë i pari”?

Boshllëku i lënë nga SHBA nuk është mbushur nga asnjë shtet tjetër. Përkundrazi. Ksenofobia, izolimi dhe mosbesimi tani karakterizojnë të gjithë sistemin ndërkombëtar. Pa besim dhe solidaritet global, ne nuk do të jemi në gjendje ta ndalojmë epideminë Covid19 dhe me siguri do të duhet të përballemi me të tjera epidemi të këtij lloji në të ardhmen. Sidoqoftë, çdo krizë është gjithashtu një mundësi e re. Le të shpresojmë se epidemia e tanishme ndihmon njerëzimin të kuptojë rrezikun akut të përçarjes globale.

Në këtë moment krize, beteja vendimtare luhet brenda vetë njerëzimit. Nëse kjo epidemi çon në rritjen e përçarjes dhe mosbesimit midis njerëzve, ajo do të jetë fitorja më e madhe për viruset. Në të kundërt, nëse epidemia çon në një bashkëpunim më të ngushtë global, atëherë ne jo vetëm që do të kemi mposhtur koronavirusin, por edhe të gjithë patogjenët e tjerë që do të vijnë. /Le Monde

 /Përktheu: Mapo.al/


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas