Aktualitet

Bashkëqeverisja?! Sa e mundur është














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:34 - 29/05/21 |
Blerina Gjoka

A do të përsëritet historia e marrëveshjeve të mëdha politike si ajo e 2002-shit Nano-Berisha dhe ajo e 2017-ës Rama-Basha?! Kryeministri e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, por përgjigjja përfundimtare e opozitës duket se varet nga raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet dhe oferta e Brukselit për integrimin. PD është shprehur se do luftojë për votën e lirë e ka mohuar mundësitë e bashkëqeverisjes, me gjithë sinjalet e vazhdueshme që vijnë nga Rama






25 Prilli e ka lënë politikën më të përçarë se kurrë; opozita nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve duke akuzuar për një “masakër elektorale”, ndërsa mazhoranca po zien në konfliktin e brendshëm për pushtet, me një qeveri në punë dhe një qeveri në hije që formohet korridoreve socialiste. Ndërkohë vendi ndodhet në një moment kyç të integrimit në Bashkimin Europian pas një stanjacioni të gjatë 7-vjeçar që nga marrja e statusit kandidat.


Sapo ka fituar mandatin e tretë qeverisës Edi Rama nuk ka rendur të festojë, por i ka shtrirë dorën opozitës për bashkëpunim, një bashkëpunim pa “vija të kuqe” siç e ka cilësuar ai. Ftesa u artikulua dhe gjatë fushatës, por kundërshtari i tij Lulzim Basha e cilësoi një diversion dhe u betua se s’do kishte kurrë bashkëqeverisje me Ramën. Por, pas zgjedhjeve Basha është fokusuar te denoncimi i asaj që ai e quan “masakër elektorale”, përdorimi i gjithë mekanizmit shtetëror të PS-së për blerjen e zgjedhjeve dhe në zgjedhjet brenda partisë, ku i duhet të rikonfirmojë mandatin e tij si kryetar për herë të tretë.







Por bashkëqeverisja ose bashkëpunimi i çfarëdolloj forme që mund t’i jepet këtij koncepti politik qëndron akoma si tezë politike dhe kjo përforcohet dhe nga historia e mëparshme e situatave të ngjashme politike në vend. Në dy dekada kemi parë të paktën dy marrëveshje të mëdha politike; ajo e vitit 2002 që përngjan shumë me situatën aktuale me problemet me zgjedhjet dhe integrimin dhe ajo e vitit 2017, e cila shpëtoi në një farë mënyrë zgjedhjet parlamentare të atij viti nga dështimi. Nëse ndodh një tjetër bashkëpunim i këtij niveli duket se do të vijë pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Sa më i zi të jetë ky raport për parregullsitë dhe përdorimin e shtetit si mekanizëm i blerjes së votave aq më fort do të kushtëzonte opozita kriteret e një marrëveshjeje të re politike. Dhe vetëm pas një pranimi zyrtar të nivelit të kësaj ‘masakre” do të shihet nëse opozita do të pranojë të kompensohet politikisht në një marrëveshje të re politike. Basha deri më tani ka refuzuar ftesat e Ramës edhe për shkak të përvojës së një viti më parë kur ai e shkeli me këmbë një marrëveshje të gjerë politike për Reformën Zgjedhore.



Presioni i ndërkombëtarëve në gjithë “pajtimet e gjaqeve” politike shqiptare kanë bekuar këto marrëveshje, duke e kthyer skenën e politikës së Tiranës në një teatër ku vendoset e njëjta pjesë vetëm se me aktorë të ndryshëm. Gjithmonë është gjetur një kauzë më e madhe se sa interesat e palëve dhe gjithmonë janë gjetur “kurbanë” që mund të bëhen nga mazhoranca për të kënaqur opozitën. Kurbanët e radhës mund të fillojnë që nga Presidenca, rikthimi i zgjedhjeve lokale të 2019-ës në disa bashki pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese e ndonjë hetim për vjedhjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, para se të mendojnë uljen në një tryezë me njëri-tjetrin Basha dhe Rama duhet të zgjidhin problemet e brendshme partiake. I pari ka përpara dy javë fushatë brenda partisë së tij për të rikonfirmuar besimin e demokratëve për një mandat të tretë si kryetar partie. Ai beson se do i fitojë këto zgjedhje me pretendimin se zgjedhjet nuk u humbën, por u vodhën. Ndërsa nga ana tjetër, Rama po përballet çdo ditë e më shumë me presionin e brendshëm të socialistëve të tij në pritje të bërjes së qeverisë së re.



Presioni i jashtëm
Një bashkëpunim i ri PS-PD ka nisur të nxitet nga faktorët ndërkombëtarë. Brukselit i intereson një klimë stabiliteti dhe bashkëpunimi politik për të avancuar me agjendën e integrimit dhe kjo u duk qartë dhe në takimin e 2 ditëve më parë mes Ramës dhe ministrit gjerman për Europën, Michael Roth. Zyrtari gjerman tha se dëshiron që të ketë një raport me respekt të madh mes partisë që qeveris dhe opozitës, ndërsa Rama e shtjelloi më tej tezën e bashkëpunimit duke u shprehur se nga konflikti i krijuar mes opozitës dhe pozitës ajo që humbet është Shqipëria. Rama tha se duhet kaluar faza e adoleshencës politike. “Ajo që ne vendosim, është ajo çfarë bëjmë ne këtu.

Ne duhet të bëjmë punën tonë, të përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më mirë. Një nga këto që duhet të bëjmë, është përpjekja për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Për t’u bërë më të mëdhenj, për ta kaluar fazën e adoleshencës politike. Nuk duhet të presim të vijnë miqtë nga jashtë e të na thonë, silluni më mirë me njëri-tjetrin. Nuk po na kërkon njeri as të marrim armët, as të bëjmë sakrifica sublime. Po i themi hapni konferencën e parë ndërqeveritare, se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e veta. Kur flasim anglisht, flasim si shqiptarë, jo si të majtë e të djathtë. Jam i gatshëm të bëj gjithçka për këtë. Duhet të përpiqemi t’i bëjmë gjërat sa më mirë”, tha Rama.

Pas takimit me Ramën Roth shkoi në zyrën e Bashës në selinë blu për të dëgjuar pretendimet e tij për zgjedhjet e 25 prillit, për të cilat ashtu siç pritej, ai tha se do të besohen vlerësimet e ODIHR-it. Por, Roth i kujtoi Bashës se për integrimin duhet dhe kontributi i opozitës duke paralajmëruar në një farë mënyre kërkesat që do të vijnë për opozitën dhe bashkëpunimet që do t’i kërkohen për hir të integrimit. “Natyrisht që të gjitha kritikat do të duhet të qartësoheshin dhe kjo duhet të bëhej përmes institucioneve. Ne iu besojmë vlerësimeve të ODIHR-it, i cili na ka mbështetur vazhdimisht në proceset zgjedhore, nëse kanë qenë të ndershme dhe të hapura.

Unë jam plotësisht dakord me zotin Basha kur thotë që e ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe askund tjetër. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme, kjo nuk varet nga qeveria e një vendi, por edhe nga struktura të tilla sikundër parlamenti dhe opozita. Unë uroj dhe shpresoj që të gjendet një ton konstruktiv dhe qasje në marrëdhënie mes qeverisë dhe opozitës. Unë jam aktiv në politikë prej 23 vitesh dhe 8 vite në qeveri, kam qenë edhe në opozitë dhe të dyja këto elemente janë të rëndësishme për një demokraci të gjallë. Në një sistem demokratik, nuk jemi armiq, por kundërshtarë politikë dhe parlamenti është vendi i duhur për të çuar para debatet”, ishte mesazhi i zyrtarit të lartë gjerman.

Lexo edhe :  Rama mungon në Parlament, Opozita kërkon ndërprerjen e seancës

Me gjasë sinjalet e para të këtij bashkëpunimi do të jepen para datës 22 qershor, kur sipas Roth bazuar në gjykimin pozitiv të komisionit do të mbërrihet në çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Konfliktet e Ramës me partinë dhe zgjedhjet në PD
Rama dhe Basha para se të mendojnë për kushtet e një bashkëpunimi të ri politik me njëri-tjetrin do të duhet të zgjidhin problemet e brendshme. I gjendur nën presionin e opinionit publik dhe disa figurave në parti Basha thirri strukturat për të përshpejtuar zgjedhjet në parti edhe pse normalisht ato do të zhvilloheshin në muajin Korrik.

Më datë 13 qershor ai pret të marrë votëbesimin e anëtarësisë në garë me 3 kandidatë të tjerë, njëri prej të cilëve vjen me një profil të lartë publik. I listuar i dyti me numër votash në listën e kandidatëve të Tiranës, Agron Shehaj është i vetmi kandidat që ka dhe mandatin e deputetit dhe ka qenë drejtues politik i fushatës së PD-së në kryeqytet dhe e ka vënë pak në pozitë të vështirë Bashën edhe nëse ai kishte menduar fillimisht që këto zgjedhje do të bëheshin sa për t’u mbyllur gojën kritikëve.

Në këto kushte edhe në rast rikonfirmimi të mandatit, Bashës do t’i duhet të mendojë si të mbajë të bashkuar partinë dhe grupin parlamentar pas 13 qershorit.

Nga ana tjetër, dhe pse duket i gjithëpushtetshëm Edi Rama po përballet me presionet brenda partisë së tij. Në korridoret socialiste lufta e heshtur për pushtet bëhet mes qeverisë aktuale në detyrë dhe qeverisë në hije që do të bëhet publike në Shtator. Rezultatet e kandidatëve në zgjedhjet e fundit, ku listat e hapura u dhanë mundësi të marrin vota nominale, i ka treguar Ramës se të parët nuk janë në fakt të parët dhe ata që ai i numëroi si të fundit në listë dolën në fillim të saj. Fushata zgjedhore ka konturuar tashmë dhe grupimet që aspirojnë për më shumë pushtet në këtë parti.

Ministrat aktualë dhe figura të vjetra të partisë u vunë në provë të fortë nga Rama duke pranuar pozicione aspak të favorshme në listën e kandidatëve. Ata kërkojnë të ruajnë pozicionet në parti dhe qeveri. Por, çfarë do të bëjë tani me Taulant Ballën që ka fituar dyfishin e votave nominale se sa vetë ai, me Blendi Klosin që mori mandatin e 5-të dhe theu herësin në Berat apo me Fatmir Xhafajn që e vuri në fund të listës në Tiranë por doli fitues me votat nominale?! Në një kabinet të ri qeveritar ai do të duhet të zgjedhë nëse do të afrojë ata që i treguan forcën me votat nominale apo do të preferojë figura me profil të ulët politik. Në çdo rast Rama është para sfidës për të ruajtur ekuilibrat e partisë dhe mbajtjes nën kontroll grupimet e ndryshme brenda saj që luftojnë për pushtet.

Marrëveshja Nano-Berisha 19 vite më parë
Të gjitha gjasat që një bashkëqeverisje PS-PD mund të ndodhë janë dhe ajo s’ka pse të jetë literalisht një ndarje postesh ministrore mes dy partive kryesore. Kjo ndodhi në vitin 2017 kur Rama pranoi t’i jepte gjysmën e kabinetit Bashës duke pranuar ministra teknikë për një periudhë 3-mujore. Basha është betuar se nuk do ta përsërisë më kurrë këtë marrëveshje, nga e cila doli i humbur pasi pësoi një disfatë në zgjedhje, që iu deshën 4 vite për ta rikuperuar në elektoratin e PD-së. Por, historia e tranzicionit politik ka treguar se marrëveshjet e bashkëpunimit kanë plot opsione për të ndarë pushtetin. Marrëveshja e parë e këtij lloji ka qenë ajo mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos më 5 prill 2002.

Të gjitha ngjashmëritë e sfondit politik të tanishëm janë të ngjashme dhe na kthejnë 19 vite pas në kohë. Ajo marrëveshje kishte tri kritere; një situatë post-zgjedhore konfliktuale për shkak të parregullsive në zgjedhjet parlamentare të 2001-it; nevoja për të ecur para me procesin e integrimit europian që solli ndërhyrjen ndërkombëtare dhe nevojën e dy liderëve për të forcuar pozitat e tyre në partitë e tyre. Kjo marrëveshje historike pati për dëshmitarë dy ambasadorë që lanë gjurmën e tyre në vendosjen e konsensualitetit politik në Shqipëri, gjermanin Geert Ahrens e OSBE dhe danezin Jorgen Grunnet e Këshillit të Europës. Me atë marrëveshje që u parapri nga 5 muaj negociata konfidenciale dhe publike (22 shkurt 2002 dhe 17 mars 2002) mori fund kriza politike e zgjedhjeve të 2001-shit dhe kriza e zgjedhjes së presidentit me vota të mazhorancës dhe u vendos fillimi i reformës konsensuale zgjedhore.

Opozita e drejtuar nga Berisha u bë pjesë e zgjedhjes së krerëve të disa institucioneve të rëndësishme të pavarura pasi u pranua zgjedhja konsensuale e presidentit, ndryshimi i prokurorit të përgjithshëm dhe shefit të SHISH. Një nga negociatorët e kësaj marrëveshjeje, Oerd Bylykbashi është shprehur se “ajo ishte marrëveshja që shtroi rrugën për një dekadë reformash politike, kushtetuese dhe ligjore konsensuale, e cila u mbyll për fat të keq me miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor në 2012”. “Ishin ato reforma kushtetuese dhe ligjore që stabilizuan vendin dhe mundësuan MSA, anëtarësimin në NATO, pranimin e aplikimit për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, siguroi rotacionin politik paqësor të 2005 dhe atë të 2013‎. Ky i fundit siguroi edhe statusin e vendit Kandidat”. Para se të ulej në tryezën e bisedimeve opozita e asaj kohe kishte bojkotuar Kuvendin.

Ndërsa mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e “Dushkut” siç u cilësuan për shkak të një loje që u bë me votat për aleatët e PS-së në zonën e Dushkut në Lushnjë, u detyrua të pranonte kushtëzimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Fatos Nano ndërsa luftonte për të ruajtur pushtetin e lëkundur brenda partisë nga fuqizimi i Ilir Metës, nisi negociatat me kundërshtarin duke i dhënë garancitë për zgjedhjen e një presidenti të ri të pranuar nga ajo dhe për një Reformë Zgjedhore që do të eliminonte mundësitë e abuzimeve në të ardhmen. Nano lëshoi më pas edhe Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi, i cili u bë përgjegjës për moshetimin e krimeve zgjedhore, ndërsa PD-së iu dha edhe e drejta për të propozuar kreun e KLSH-së dhe SHISH-it.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas