Aktualitet

Bashkia e Kamzës i vendos një rruge emrin “Ramush Haradinaj”







               Publikuar në : 12:35 - 20/07/19 |
mapo.al

Bashkia Kamëz i vendos një rruge të qytetit emrin “Ramush Haradinaj”. Kryeministri i Kosovës dha dorëheqjen një ditë më parë për t’u vënë në dispozicion të Gjykatës së Hagës. Disa vite më parë Bashkia e Kamzës e ka shpallur kryetarin e AAK, “Qytetar Nderi”. Nisma është marrë nga kryebashkiaku Xhelal Mziu, i cili mendon se ky është nga pagëzimet më të bukura të rrugëve të qytetit. Në një deklaratë për mediat, Mziu tha se Haradinaj tregoi jo vetëm se është shtetar, por njëherazi vendosi të sakrifikojë nga vetja për Kosovën dhe kombin shqiptar. Sipas tij, vendimi i guximshëm i kryeministrit të Kosovës tregon se ai nuk ka asgjë për të fshehur.


“Ramush Haradinaj me dorëheqjen e djeshme tregoi se është një shtetar i vërtetë, një patriot dhe atdhetar, siç ka bërë çdo ditë të jetës së tij. Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për gjithë shqiptarinë. Me dorëheqjen prej një burri shteti, Haradinaj vendosi Kosovën dhe atdheun para interesave personale dhe para karrierës së tij. Ai tregoi edhe njëherë me kurajo, se nuk ka asgjë për të fshehur sa herë të kërkohet nga drejtësia. Bashkia Kamëz ka nderin që një rruge të qytetit t’i vendosë emrin e tribunit të lirisë dhe luftëtarit të çdo kohe në mbrojtje të interesave të Kosovës. Kujtojmë që tashme Haradinaj është njëri prej nesh për thjeshtësinë që e karaktarizon por edhe se ai është Qytetar Nderi i Kamzës”, u shpreh Mziu.

Kryebashkiaku Mziu beson se Ramushi do të dalë edhe më i fortë nga kjo betejë e radhës, dhe do të konfirmojë edhe njëherë drejtësinë e Luftës Çlirimtare për Kosovën e lirë. Ai shprehet se mbarë qytetarët e Kamzës janë në krahun e tij dhe do të qëndrojnë gjithnjë në mbështetje të një lideri si Ramush Haradinaj.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas