Pas skandaleve që kanë plasur në lidhje me inceneratorët, ato kanë përfunduar në dorë të bashkive. Inceneratori i Elbasanit i ka kaluar në pronësi bashkisë së Elbasanit dhe 6 njësive vendore.
Dokumentet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë se Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara i ka dhënë të drejtën e përdorimit bashkive kundrejt një kontrate qiraje simbolike me vlerë 1 euro.
7 bashkitë kanë themeluar kompaninë Eco-Elb, ku pjesën më të madhe të aksioneve 52% e mban bashkia e Elbasanit, ndërsa bashkia e Përrenjasit, Librazhdit, Peqinit, Belshit, Gramshit dhe Cërrikut kanë nga 8% të aksioneve në këtë vepër.
Aktualisht inceneratori nuk punon për shkak të lëndës së parë që duhet për të vënë në punë impiantin. Ditët e fundit bashkitë kanë arritur të miratojnë dhënien e fondeve për blerjen e 20 mijë ton naftë që të bëhet e mundur ndezja e impiantit.
Inceneratori i Elbasanit u vendos nën sekuestro me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme në datën 14 dhjetor të vitit të shkuar, disa ditë përpara se vepra që administrohej nga koncesionari t’i kalonte në pronësi bashkisë.
Zgjidhja për dhënien me qira 1 euro është gjetur si më e përshtatshmja që impianti të mos degradojë dhe të përdoret për menaxhimin e mbetjeve të zonës, për sa kohë pronarët e shpallur në kërkim, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto nuk kanë më të drejta pronësie në këtë vepër.