Banorët e ish-konvikteve të komunales në Tiranë kanë mbetur pa shtëpi dhe pa bonus qiraje. Ata shprehen se nga bashkia e Tiranës morën bonus vetëm 1 muaj, ndërsa tani nuk kanë përgjigje apo rrugëzgjidhje. Pronarët e shtëpive ku banojnë i kanë nxjerrë në rrugë. Pallati i cili është vlerësuar si i pabanueshëm për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, do të jetë sërish streha për këta qytetarë.
“Na thanë në datë 5, nga 5 e kthyen në 10, tani e kthyen pas 25. Se çfarë do bëhet nuk di gjë”, thotë një prej banorëve.
Ata theksojnë se kanë provuar çdo rrugë për të patur një zgjidhje nga bashkia, por janë përballur me refuzim.
“Kemi shkuar te bashkia e madhe, i kemi thënë të takojmë Veliajn na kanë thënë që “nuk ke shans”.
Prej mungesës së alternativës, thonë se do të vendosin të rikthehen në shtëpitë e pabanueshme.
“Sot do t’i hyjmë me themel ta pastrojmë dhe do hyjmë se nuk kemi ku të shkojmë”.
Pallatet në këtë zonë pësuan dëmtime të rënda pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa të pastreha mbetën më shumë se 50 familje./ Oranews