“Gjermania të mbështet, por nuk të llaston”, thotë ish-ambasadori Bashkim Zeneli, diplomat i njohur dhe “Mjeshtër i madh”, në një intervistë për Mapo-n, duke komentuar kushtet gjermane për negociatat. “Nuk ka qenë aspak pozitiv, aspak e përgjegjshme që shtetarë, politikanë, të deklaronin gjatë gjithë kësaj periudhe se ‘ne i kemi plotësuar detyrat, Europa duhet të na hapë dyert’, thotë ai duke propozuar një bashkëpunim politik në interes të integrimit të vendit.
-Çelja e negociatave me Bashkimin Europian më 18 Tetor duket se do të realizohet, por do të qëndrojnë në fuqi kushtet e vendosura nga Gjermania. Si e lexoni ju si diplomat këtë vendim?
Natyrisht e vlerësoj si një vendim mjaft pozitiv për Shqipërinë, si një ‘dritë jeshile’ që i hapet vendit tonë në procesin e integrimit europian. Gjermania ka luajtur dhe luan një rol shumë të madh në proceset e integrimit, në mënyrë të veçantë të Ballkanit Perëndimor. I ka dhënë një mbështetje të madhe Shqipërisë në këtë proces dhe në vetvete është një lokomotivë e zhvillimit europan dhe një “Po” e Gjermanisë, qoftë dhe me kushte, është mjaft pozitive.
Na është hapur ‘drita jeshile’, por ne duhet t’i bëjmë detyrat brenda dritës jeshile që mos të na vijë drita portokalli apo e kuqja.Sepse kemi kohë, për të mos thënë, 2-3 vitet e fundit, po sidomos vitin e fundit, që qeverisja, politika në përgjithësi, mazhoranca, duket sikur e ka fjetur mendjen që tani ne presim vetëm të na hapen negociatat me pretendimin se ne i kemi bërë detyrat. Nuk ka qenë aspak pozitive, aspak e përgjegjshme që shtetarë, politikanë të deklaronin gjatë gjithë kësaj periudhe se ‘ne i kemi plotësuar detyrat, Europa duhet të na hapë dyert’.
Kështu kanë deklaruar dhe disa zyrtarë europianë. Natyrisht ata kanë dashur të na inkurajojnë, duhet t’u jemi mirënjohës, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk është nevoja t’i numërojmë se kemi 5, 7 apo 10 detyra, nuk jam dakord as me përfaqësues të opozitës që thonë ‘ka pasur 5 e tani janë bërë 9’, rëndësi ka që ne kemi detyra, të jemi të ndërgjegjshëm që kemi detyra, të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve, para popullit, para atyre që kanë votuar këtë qeveri, që nuk i kemi bërë si duhet detyrat.Të mos harrojmë që nuk janë vetëm këto kushtet që na u thanë nga Bundestagu Gjerman, deputetë gjermanë, personalitete të politikës gjermane kanë ardhur në Shqipëri vitin e kaluar dhe kanë bërë vërejtje.
Më vjen keq të them që kur Gunther Krichbaum, një deputet mjaft i njohur në Gjermani, i cili erdhi vitin e kaluar bëri disa vërejtje dhe tha ‘duhet të bëni më mirë detyrat’,një ish-ministër i kësaj qeverie tha se ai nuk ka ardhur nga CDU-ja, por nga Fondacioni Konrad Adenauer’. Pra, është një papërgjegjësi e madhe. Në vend të thonim; ‘faleminderit, do t’i realizojmë këto vërejtje’.Pastaj i marrim gjërat lehtë sikur na ka borxh Europa, sikur na ka borxh Gjermania.
Gjermania të mbështet, por Gjermania nuk të llaston. Ne filluam të llastohemi. Mos harrojmë edhe kur ish-presidenti i BE-së, Junker, para 4 vitesh deklaroi se nuk do të ketë zgjerim të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte kancelarja Merkel ajo që mori nismën e Berlinit. Nuk është një nisëm që ka dhënë ndonjë rezultat, siç pritej, sidomos në aspektin ekonomik, por e mbajti Ballkanin të mobilizuar se ka një perspektivë europiane. Mos harrojmë, siç thonë gjermanët, integrimi nuk është një rrugë njëkalimëshe, është dykalimëshe, do bëjmë detyrat, por dhe do të na mbështesin.
-A mund ta shohim dokumentin gjerman si udhërrëfyes për të dalë nga kriza politike ku gjendet vendi ynë sot?
Pra, në këtë mënyrë gjermanët po japin rrugën e daljes nga kriza?Këto detyra nuk janë një gjë e re, i dinin të gjithë. Këto detyra i njihnim, por është folur me eufori se janë plotësuar detyrat dhe dyert duhet të na hapen. Kujtonim se do i kërkonim hesap Europës, ‘na fut në gjirin tënd pa i plotësuar’. Europa është ideal, është frymë, nuk është integrim mekanik. Por ne nuk i kemi bërë detyrat, nuk i ka bërë mazhoranca që ka përgjegjësinë e votës popullore, por nuk i ka bërë as opozita.Nuk mund të durohen në papërgjegjshmërinë e tyre politikanë amatore arrogantë e injorantë të të dy krahëve.
Përfaqësues të opozitës bëjnë deklarata “kjo është shuplakë e madhe, grusht i madh, hap prapa”. Zotërinj, integrimi në Europë nuk është as për partinë socialiste dhe as për qeverinë e Edi Ramës, po do të integrohet Shqipëria dhe kontributi duhet të jetë i përbashkët. Ne duhet të kemi një guidë, duhet të kemi një hartë bashkëpunimi, një agjendë të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi kombëtare. Edhe në këtë rast ne duete të mësojmë nga vetë Gjermania.
Në prag të rënies së Murit të Berlinit dhe sidomos në 329 ditët që çuan drejt bashkimit të Gjermanisë mes qeverisë së Kancelarit Kohln dhe opozitës socialdemokrate u arrit një pakt shumë i përgjegjshëm. Pra, duhet jo vetëm bashkëpunim, por duhet më pak spektakël qeveritar, më pak eufori, të jemi më racionalë. Disa ministra e zyrtarë duket sikur flasin me fëmijë kopshti kur u flasin qytetarëve.
-A mund të rrezikohemi nga një “Jo” franceze në këtë pikë apo do të jetë në koherencë me vendimin gjerman?
Jam disi skeptik për një arsye të vetme sepse presidenti francez Macron në Samitin e Sofies të BE-së deklaroi në një mënyrë disi edhe pak të papërgjegjshme që ne nuk do të merremi më me zgjerimin europian se vetë BE ka probleme. Më duket një deklaratë e nxituar sepse vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë zgjedhur rrugën e tyre dhe mbështetja e BE-së duhet të jetë e pakursyer, natyrisht duke na kujtuar bërjen e detyrave.
Po ashtu, në një intervistë në kuadër të pjesëmarrjes në OKB Macron deklaroi se shqiptarët po na krijojnë probleme me emigrimin. Nga Franca duhet një mbështetje më konkrete, më hapur, më bindëse dhe duhet ndjekur shembulli i Gjermanisë.Më 22 janar 2011 është nënshkruar traktati mes Gjermanisë dhe Francës, ku ideja themelore është përgjegjësia e përbashkët për Europën dhe ky traktat është i dyti që nga paslufta, 56 vite më parë në 22 janar 1963 u firmos nga Konrad Adenauer dhe De Gol.
Mendoj që duhet ta marrin këtë përgjegjësi për Europën se ne jemi pjesë e Europës dhe nuk janë fajtor shqiptarët për problemet e Europës. Uroj që të thotë një “Po”, qoftë dhe ajo me kushtet e Gjermanisë sepse duke iu bashkangjitur kushteve gjermane do ta zgjerojë frontin kritik ndaj politikës shqiptare.
-Po nga vende të tjera skeptike si Holanda, apo edhe nga Greqia, pas një deklarate të kryeministrit të ri se do ta kushtëzonte vendimin me minoritetin grek?
Nuk besoj që Holanda pas një “Po”-je bindëse nga Gjermania do të bëhet shkak për bllokimin e negociatave. Ndërsa përsa i takon deklaratës së kryeministrit të ri grek për plotësimin e kushteve të minoritetit dua të theksoj se Greqia e ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë, s’ka pasur rezerva në proceset e saj integruese. Madje them me bindje se Samiti i Selanikut 2013 ka qenë një model në kuadër të perspektives europiane të vendeve të Ballkanit. Minoriteti grek i ka gëzuar të gjitha të drejtat e ligjshme në Shqipëri.