Sa e garanton legjislacioni shqiptar të drejtën e bashkimit familjar dhe si përfitohet kjo e drejtë nga shtetasit e huaj që martohen me shtetas shqiptarë
Nga Greta Bardeli dhe Erjona Canaj
Bashkimi familjar në BE njeh si titullar aktiv si shtetasin komunitar ashtu edhe atë jokomunitar. Në BE e drejta për bashkim familjar si e drejtë themelore parashikohet në direktivën 2003/86/KE, mbi bashkimin familjar për shtetasit jokomunitarë që gjenden në territorin e BE-së për arsye punësimi dhe në direktivën 2004/38/KE mbi lëvizjen e lirë për shtetasit komunitarë. Bashkimi familjar është një e drejtë që garantohet edhe në vendin tonë: është instituti me anë të të cilit shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë bashkohen me familjarët e tyre, që vijnë nga vende të tjera dhe ky bashkim realizohet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë studim do të fokusohemi në mënyrë të veçantë në disiplinën juridike të bashkimit familjar të shtetasve të huaj që kërkojnë bashkim familjar në territorin e Republikës së Shqipërisë, siç janë refugjatët, të punësuarit dhe të vetëpunësuarit. Në këtë drejtim legjislacioni ynë mbi bashkimin familjar prezantohet në përputhje me standardet europiane.
E drejta për bashkim familjar
E drejta e bashkimit familjar aktualisht gëzon mbrojtje ligjore jo vetëm në nivel kombëtar dhe rajonal, europian, por edhe ndërkombëtar. Garantimi i kësaj të drejte krijon mundësinë e bashkimit të personave me anëtarët e familjeve të tyre të cilët ndodhen në një shtet të ndryshëm nga ai i vendlindjes. E drejta për bashkim familjar është një e drejtë themelore shumë e rëndësishme në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të emigracionit në përgjithësi. Nëpërmjet institutit të bashkimit familjar një personi i njihet e drejta për t’u bashkuar me anëtarët e familjes së tij në një Shtet të ndryshëm nga ai i vendlindjes. Në përgjithësi, bashkimi familjar, nëse nuk ka ndonjë regjim tjetër specifik iu nënshtrohet rregullave të përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare. Me natyrë të veçantë prezantohet rendi juridik i Bashkimit Europian, ku bashkimi familjar merr ngjyra të ndryshme në varësi të statusit të personit që kërkon bashkim familjar. Bashkimi familjar në BE njeh si titullar aktiv (personin që transferohet në një shtet tjetër anëtar -shteti pritës- dhe që kërkon bashkimin me familjen e tij që ndodhen në shtetin prej të cilit vjen – shteti i vendlindjes) si shtetasin komunitar ashtu edhe atë jokomunitar. Në këtë studim do të fokusohemi në mënyrë të veçantë në disiplinën të bashkimit familjar si për shtetasit komunitarë ashtu edhe ata jokomunitarë dhe në përcaktimin e kategorive të familjarëve që e përfitojnë këtë të drejtë, si dhe rregullimin juridik të bashkimit familjar në Shqipëri. Të drejtën e bashkimit familjar e gjejmë të trajtuar fillimisht në dispozitat e Traktatit Themelues të Komunitetit Europian dhe në legjislacionin sekondar të institucioneve komunitare. Në Europë, bashkimi familjar merr rëndësi si pasojë e krijimit të hapësirës së përbashkët, që përcakton jo vetëm flukset e punonjësve emigrantë, por përcakton në mënyrë shumë rigoroze dhe selektive mundësinë e hyrjes dhe qëndrimit, me preferencë për qëndrimet e përkohshme. Karakteristikat 1 Deklarata universale e të drejtave të njeriut (neni 12 dhe 16), Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike (17 dhe 23) dhe Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore (neni 2) Konventa ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës (nenet 9 dhe 10), Konventa europiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut (neni 8), Karta sociale europiane (nenet 16 dhe 19), Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre (neni 44), Konventa europiane për statusin ligjor të punëtorëve migrantë. Bashkimi familjar si një e drejtë themelore në ditët e sotme e flukseve migratore kanë qenë gjithmonë të ndryshme në kohë dhe për rrjedhojë kanë marrë rendësi të ndryshme në varësi të kontekstit historik. Lëvizja e personave para viteve ‘90 ishte kryesisht brenda vendit dhe pas këtyre viteve filluan të shfaqeshin format e para të emigracioni ekonomik drejt vendeve të tjera. Fluksi më i madh i emigracionit ekonomik ishte pas Luftës së Dytë Botërore dhe kishte si qëllim rindërtimin ekonomik të shkatërruar nga Lufta. Pikërisht ishte kjo lëvizje migratore e cila krijoi konceptin e guest worker. Një pjesë e konsiderueshme e personave emigronin vetëm dhe bashkimi i familjes, me familjarin e mbetur në vendin e origjinës, realizohej nëpërmjet nismave spontane të disa qytetarëve që i përkushtoheshin bashkimit të familjeve të ndara, edhe pse në mungesë të normativave në këtë fushë. Me evoluimin e ekonomisë dhe të shoqërisë civile evoluoi mbrojtja dhe rregullimi ligjor i të drejtës së bashkimit familjar, duke arritur një standardizim më të lartë. E drejta për bashkim familjar për shtetasit komunitarë merr rëndësi për të drejtën komunitare vetëm atëherë kur personat që shoqërojnë familjarin e tyre transferohen dhe qëndrojnë në një Shtet tjetër Anëtar për një periudhë më të gjatë se tre muaj: pra, bashkimi familjar për një familje të përbërë vetëm nga shtetas komunitarë mund të realizohet de facto për një periudhë kohe deri tre muaj, pasi për këta individë aplikohet regjimi i përgjithshëm i lëvizjes së lirë afatshkurtër. Në lidhje me lëvizjen e lirë dhe me bashkimin familjar, është shumë e rëndësishme direktiva e Këshillit dhe e Parlamentit Europian e dt. 29 prill 2004 nr. 2004/38/ KE2 e cila përfshin gjithë disiplinën e qarkullimit të lirë të shtetasve komunitarë në territorin e secilit prej Shteteve Anëtare të BE-së. Direktiva 2004/38 përmbledh në një instrument të vetëm ligjor përmbajtjen e rregullave për hyrjen dhe qëndrimin e personave të vetëpunësuar, personave të punësuar, studentëve, si dhe personave që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe familjarët e tyre, duke e zgjeruar këtë të drejtë themelore dhe zbatueshmërinë e këtij ligjislacioni te të gjithë qytetarët e BE-së që ushtrojnë të drejtën e qarkullimit të lirë dhe rezidencës. Kjo Direktivë nuk zbatohet për të gjithë qytetarët e Shteteve Anëtare të BE-së, por vetëm për ato subjekte që ushtrojnë efektivisht të drejtën e lëvizjes së lirë: ajo shtrihet te qytetarët e BE-së të cilët transferohen në një shtet tjetër për disa arsye, d.m.th. për arsye të ndryshme nga ato vetëm “të punësimit”. Rregullat e rinj janë hartuar, gjithashtu, për të inkurajuar qytetarët e BE-së në ushtrimin e të drejtës së tyre për të lëvizur dhe qëndruar lirisht në territorin e Shteteve Anëtare, për të hequr formalitetet administrative të ndërlikuara përkundrejt atyre më të thjeshtave, si dhe për të siguruar një përcaktim më të mirë të statusit të anëtarëve të familjes në gëzimin e këtyre të drejtave. Në këtë kuadër vlen të theksohet se e drejta për bashkim familjar për shtetasit komunitarë merr rëndësi për të drejtën komunitare vetëm atëherë kur personat që shoqërojnë familjarin e tyre qëndrojnë në një Shtet tjetër Anëtar për një periudhë më të gjatë se tre muaj. Bashkimi familjar në qëndrimet afatgjata (më shumë se tre muaj) rregullohet nga dispozitat e direktivës 2004/38. Në këto norma rezulton se familja, e përbërë nga individë shtetas komunitarë prezantohet më e plotë dhe më e mbrojtur pikërisht për faktin se e drejta për bashkim familjar ushtrohet në plotësim të një të drejte tjetër themelore që është ajo e lëvizjes së lirë, një liri themelore kjo e garantuar dhe e respektuar maksimalisht në Bashkimin Europian. Bashkimi familjar i shtetasve jokomunitarë i është nënshtruar gjithmonë legjislacionit të brendshëm i painfluencuar nga e drejta komunitare pasi në legjislacionin europian mungonin akte ligjore që rregullonin institutin e bashkimit familjar. Vetëm në vitin 2003 në Bashkimin Europian arrihet rregullimi ligjor komunitar i bashkimit familjar i shtetasve jokomunitarë që gjenden në territorin e BE-së. Bashkimi familjar ku titullar aktiv është shtetasi jokomunitar që jeton dhe punon në një Shtet Anëtar të BE-së, aktualisht rregullohet nga legjislacioni i brendshëm i shteteve anëtare në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian 2003/86/KE3. Direktiva 2003/86 u drejtohet shtetasve jokomunitarë që gjenden në territorin e një Shteti Anëtar për motive punësimi dhe për refugjatët. Direktiva është instrumenti i parë ligjor i BE-së në lidhje me emigrimin e ligjshëm, dhe si pasojë për disa vende anëtare ishte hera e parë që u pajisën me një set rregullash mbi të drejtën për bashkim familjar në legjislacionin e tyre kombëtar. Implementimi i direktivës në praktikë ka hasur në probleme në vende të caktuara, si p.sh. në lehtësimin e regjimit të vizave, dhënien automatike të lejeve të qëndrimit, marrjen parasysh të interesit më të mirë të fëmijës etj. Nëpërmjet kësaj direktive përcaktohen rregullat kryesorë për ushtrimin e të drejtës për bashkim familjar, si dhe përcaktohen për herë të parë në nivel europian cilët janë personat që e përbëjnë një familje.
Statusi i familjarit në të drejtën komunitare në kuadër të bashkimit familjar
Familja, në kuadër të bashkimit familjar prezantohet si një strukturë me gjeometri variabël: d.m.th. ka një bërthamë të fortë dhe solide siç është familja nukleare (prindër/fëmijë të mitur), por ka edhe një pjesë heterogjene, e cila sheh si familjarë edhe pjesëtarë të tjerë (fëmijë në moshë madhore, partnere, gjyshër, vëllezër, motra etj.), të cilët përcaktohen vetëm në bazë të legjislacionit të brendshëm të Shtetit pritës. Bashkimi familjar realizohet për shtetasit komunitarë si për qëndrime afatshkurtra ashtu edhe për qëndrime afatgjata (periudha tre muaj, tre muaj deri në pesë vjet dhe mbi pesë vjet). Shtetasit jokomunitarë e ushtrojnë këtë të drejtë vetëm për qëndrimet afatgjata, pra, vetëm për ata persona të cilët janë në posedim të një leje qëndrimi me kohëzgjatje minimumi njëvjeçare dhe me perspektivën e një leje qëndrimi të vazhdueshme. Kjo, në fakt, edhe pse është kufizuese në thelb, mund të themi që është një zgjidhje e arsyeshme pasi emigracioni kërkon stabilitet dhe integrim familjar në qëndrime afatgjata. Familja tradicionale sheh bashkëshortin/en si një komponent themelor të saj. Të dy kategoritë e familjeve e shohin në të njëjtën mënyrë. Ajo që i dallon është vetëm një specifikë që lidhet me moshën. Bashkëshorti shtetas komunitar nuk ka një kufi për moshën në ushtrimin e të drejtës së bashkimit familjar, pra nuk është vënë për të kufiri në moshën 21 vjeç për ushtrimin e kësaj të drejte, siç është vënë për shtetasin jokomunitar. Në të vërtetë, martesat e shtetasve komunitarë në moshë më të vogël se 21 vjeç janë shumë të pakta, për të mos thënë të rralla. Dispozitat e Direktivës 2003/86 e vendosin këtë kufi për shtetasit jokomunitarë për të luftuar praktikat e martesave mes të miturve pa pëlqimin e tyre të lirë. Ky kufi moshe tenton që të parandalojë martesa të detyruara dhe të sigurojë integrim më të mirë. Në qoftë se duket qëllim legjitim dhe i drejtë kriteri i parë, nuk duket i tillë ose i realizueshëm i dyti. Direktiva 2003/86 pranon një nocion të familjes që është më e ngushtë (kufizuar) se ajo e specifikuar në Direktivën 2004/38. Duke iu referuar nocionit të përgjithshëm të familjes, sot të pranishme në Europë janë prezent modele të ndryshme familjare. Modeli që konsiderohet të jetë modeli i “familjes europiane”, pra familja e vogël, sot është duke kaluar nëpër ndryshime të thella. Për rregullimin e të drejtave (p.sh. në kuadrin e bashkimit familjar) të të huajve që vijnë nga shoqëri ku sistemet e familjes janë shoqërisht dhe juridikisht të ndryshme nga ajo që dominon në kodet ‘europiane’, është e nevojshme që këta emigrantë të “përshtaten” me modelin e “familjes europiane” marrë në kuptimin e saj më të ngushtë, pra një familje e vogël, e përbërë nga bashkëshorti/ja dhe fëmijët e mitur. Qëllimi në këto raste është që të kristalizohet koncepti i familjeve të emigrantëve në funksion të asaj që konsiderohet “familja tradicionale europiane”. Për shtetasit komunitarë, brenda konceptit të familjes, për të cilat shteti është i detyruar të autorizojë hyrjen, përfshihet edhe partneri, i cili ka mbrojtje më të garantuar nëse e ka “legalizuar” marrëdhënien e tij me shtetasin komunitar. Në këtë drejtim familja komunitare ka një element të ri në përbërjen “tradicionale”, që legjislatori komunitar është i vendosur me të gjitha mjetet e nevojshme ta mbrojë. Kuptohet që partneri i cili nuk e ka “legalizuar” marrëdhënien, pra nuk e ka regjistruar në zyrat e gjendjes civile ose ai që është i tillë në vende ku kjo nuk parashikohet, gëzon një mbrojtje më të dobët e cila përkthehet në “mundësinë e hyrjes dhe qëndrimit” në territorin e shtetit pritës dhe jo në “hyrje dhe qëndrim të pakushtëzuar”. Në këtë drejtim kjo kategori partnerësh nuk gëzon të drejtën e menjëhershme për të shoqëruar apo për t’u bashkuar me punëtorin migrant. Të drejtat e tyre të hyrjes dhe qëndrimit varen nga diskrecioni i Shteteve Anëtare.
Në thelb, Direktiva 2004/38 duket se ka kontribuar në rritjen e mbrojtjes së partnerëve të regjistruar më tepër se ata që thjesht bashkëjetojnë. Direktiva 2003/86 nuk e konsideron partnerin anëtar të sigurt të një familje sipas kushteve të njëjta të direktivës 2004/38. Megjithatë, duket interesante në këtë drejtim, hapja për një partner bashkëjetues, edhe pse ky ekuacion është pranuar vetëm nëse është e parashikuar nga legjislacioni kombëtar. Në kategorinë e anëtarëve të familjes së pranuar në bazë të bashkimit familjar sipas direktivës 2004/38 përfshihen paraardhësit dhe pasardhësit ndërsa Direktiva 2003/86 i referohet shprehimisht prindërve të titullarit -gjyshërit e shkallës së parë dhe fëmijët. Paraardhësit e titullarit ose të bashkëshortit të shtetasit jokomunitar janë identifikuar vetëm babai dhe nëna e titullarit aktiv. Për këtë kategori, si në njërin rast ashtu edhe në rastin tjetër duhet të ekzistojë kushti i varësisë ekonomike që i sheh të lidhur ekonomikisht këta persona me titullarin aktiv të bashkimit familjar. Fëmijët deri në moshën 21 vjeç, konsiderohen anëtarë të familjes së shtetasve komunitarë, në dallim nga fëmijët e shtetasit që vjen nga vendet e treta, të cilët konsiderohen për qëllime të bashkimit familjar, anëtarë të familjes vetëm nëse janë nën 18 vjeç. Fëmijët mbi 18 vjeç të shtetasve jokomunitarë mund të kenë të drejtë për bashkim familjar, sipas vullnetit të shtetit në fjalë. Kjo rrjedh nga fakti se Direktiva 2003/86 këtë kategori e ka lënë në diskrecionin e Shteteve Anëtare. Direktiva 2003/86 gjithsesi parashikon për fëmijët e rritur të pamartuar (pra, fëmijët në moshë më të madhe se 18 vjeç) një opsion për pranimin e tyre nëse për arsye objektive mund të jenë të paaftë për të plotësuar nevojat e tyre personale për shkak të gjendjes shëndetësore.
Direktiva 2004/38, në kategorinë e familjarëve të tjerë që mund të shoqërojnë ose të bashkohen me shtetasin komunitar, ka përfshirë edhe çdo familjar tjetër dhe Bashkimi familjar si një e drejtë themelore në ditët e sotme kushti i vetëm që duhet të ekzistojë është që të jetë në ngarkim ose të jetonte me të në vendin e origjinës ose kur shkaqe të rënda shëndetësore kërkojnë shtetasin e BE-së që ta ndihmojë atë personalisht. Është e vërtetë se të afërmit e tjerë nuk kanë të drejtën automatike të hyrjes dhe të qëndrimit, së bashku me shtetasin komunitar anëtarë të familjes së tyre, megjithatë, kanë të drejtë që t’u lehtësohet hyrja dhe qëndrimi në Shtetin Anëtar pritës, nëse ata janë të varur ekonomikisht ose kur shkaqe të rënda shëndetësore kërkojnë që personi të ndihmohet nga shtetasi komunitar. Të drejtat e anëtarëve të familjes së pranuar për bashkim familjar janë e drejta e qëndrimit, e drejta për arsim, e drejta për punë (me kontratë ose vetëpunësim), si dhe të drejtat që kanë të bëjnë me formimin profesional dhe trajnimet e ndryshme. Këto të drejta, në përgjithësi, janë parashikuar në të dy aktet ligjore që analizuam.
Legjislacioni shqiptar lidhur me bashkimin familjar në përputhje me standardet e BE-së
Bashkimi familjar është instituti me anë të të cilit shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë bashkohen me familjarët e tyre, që vijnë nga vende të tjera dhe ky bashkim realizohet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit e huaj titullarë aktivë të bashkimit familjar janë refugjatët, të punësuarit dhe të vetëpunësuarit. Burimet kryesore të së drejtës për bashkim familjar dhe unitet familjar të të huajve të vendin tonë janë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligji nr. 9959 datë 18.7.2008 “Për të huajt”, Ligji nr. 8432 datë 14.12.1998 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligji nr. 9098 datë 03.7.2003 “Për integrimin dhe bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë”. Legjislacioni ynë prezantohet në përputhje me standardet europiane. Familja si njësi natyrore duhet t’i garantohet kujtdo dhe në fakt, kushdo ka të drejtën të ketë një familje, sanksionuar në nenin 53 të Kushtetutës. Kjo e drejtë parashikohet edhe për të huajt që gjenden në Shqipëri. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë në nenin 16 se “Të gjitha të drejtat dhe liritë themelore si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë vlejnë njëlloj edhe për të huajt dhe personat pa shtetësi që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur Kushtetuta e lidh ushtrimin e tyre në mënyrë të posaçme me shtetësinë”. Kuadri ligjor që respekton të drejtën për bashkim familjar, në përputhje me parimet kushtetuese dhe direktivën 2003/86/KE përmbahet në Ligjin e ri për të huajt nr. 9959 i miratuar në vitin 2008. E drejta për bashkim familjar rregullohet shprehimisht në nenin 32 të këtij ligji. Kjo e drejtë i njihet çdo të huaji që ka hyrë dhe qëndron në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kuadrin ligjor dhe është i pajisur me leje qëndrimi me kohëzgjatje jo më të vogël se një vit. Në bazë të nenit 3, anëtarë të familjes janë bashkëshorti/ bashkëshortja, fëmijët nën moshën 18 vjeç, fëmijët e birësuar ose në kujdestarinë e të huajit, fëmijët e bashkëshortit/bashkëshortes së tij/saj, prindërit e moshuar, në ngarkim të të huajit. Kërkesa për bashkim i referohet familjes që buron nga martesa monogame. Përjashtohet në këtë kategori partneri. Në rast të të huajve që vijnë nga një vend ku poligamia është e ligjshme, i huaji që kërkon bashkim familjar duhet të zgjedhë vetëm një nga bashkëshortet. Zgjidhja për këta anëtarë të familjes është në përputhje të plotë me legjislacionin komunitar, madje shkon edhe më tej, duke lejuar edhe prindërit nëse janë në ngarkim. Ligji nr. 8432 datë 14.12.1998 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 6 përcakton se “Të drejtën e azilit, me të njëjtin status, e përfitojnë edhe bashkëshorti, fëmijët e moshës nën 18 vjeç dhe çdo i afërm në ngarkim ligjor i refugjatit, të cilit i është dhënë azil, me kusht që ata të jetojnë së bashku”. Ligji në fjalë parashikon gjithashtu që fëmijët mbi moshën 18 vjeç nuk mund të përfitojnë azil, në bazë të bashkimit familjar, vetëm në rast kur ai/ajo është në ngarkim ligjor të prindërve të tij refugjatë të cilëve u është dhënë azil në vendin tonë. Në këto raste personi në fjalë duhet të paraqesë personalisht një kërkesë individuale. Në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe europiane dhe me qëllim integrimin sa më të plotë të tyre, është miratuar Ligji nr. 9098 datë 03.7.2003 “Për integrimin dhe bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë”. Bashkimi familjar rregullohet në Kreun VI, në nenet 26-34. Në lidhje me përbërjen e familjes, neni 26 specifikon që: “Personi, që ka përfituar azil në Republikën e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë bashkim familjar me bashkëshortin ose bashkëshorten, fëmijët e pamartuar nën 18 vjeç ose ndonjë person tjetër në ngarkim të tij”.
Marrë me shkurtime nga revista shkencore Jus Justicia, botim i UET-Press