Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati procedurën tenderuese për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe dhe fondi limit për procedurat që pritet të shpallen gjatë muajit shtator, është rreth 16 mld lekë apo 132 mln euro.
Në total janë 7 lote, për të cilët do të hapet gara tenderuese. 3 prej tyre përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 7.57 mld lekë apo 62.5 mln euro.
Për këtë segment, ARRSH rishikoi projektin përgjatë vitit 2020 dhe sipas dokumenteve të një viti më parë, objekti do të fillojë në pikën e sotme fundore që është rrethrrotullimi Shqiponja dhe do të vazhdojë përgjatë rrugës ”Vangjel Noti”. Më pas do të kryqezohet me rrugën ”Adem Jashari” e do të vazhdojë në një zonë ndërtimesh të reja, deri në shtratin e Lumit të Tiranës.
Më pas parashikohet të vazhdojë më tej me kalimin e lumit të Tiranës përmes një ure, për t’u zhvilluar në krahun e majtë të lumit të Tiranës, në krah te kodrave te Paskuqanit deri në pikën e takimit me Bulevardin e ri të Tiranes.
Gjatësia e këtij segmenti është rreth 3 km. Ndërkaq, 4 lotet e tjerë përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, me një kosto totale prej 69.5 mln euro. Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar , duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios.
Më pas unaza vazhdon drejt veriut, duke zbritur nëpër shtratin e Përroit të Gjeroses, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Gjatësia totale e segmentit nga Sauku deri në Lumin e Tiranës është 10.75 km.
Hapja e kësaj gare u paralajmërua pak ditë më parë edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve në segmentin e unazës Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja, rruga kryesore e të cilit, së bashku me lotet 1, 2 dhe 3 të pjesës lindore parashikohet të hapen për kalimin e automjeteve, në fund të muajit shtator.
TENDERËT QË DO HAPEN PËR NDËRTIMIN E UNAZËS SË MADHE
Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT 2,387,460,369 Lekë
Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2 2,617,395,587 Lekë
Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana 2,567,612,886 Lekë
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 2,150,096,964 Lekë
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5 1,971,214,089 Lekë
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6 1,883,617,576 Lekë
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7 2,395,107,191 Lekë