Editorial

Bashkimi kombëtar, eufori festash apo strategji reale?







               Publikuar në : 09:27 - 29/11/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Natyrshëm në këto ditë festash euforia patriotike ngrihet në nivele më të larta dhe jo të zakonshme. Gjatë këtyre ditëve përmendet më shumë se asnjë moment tjetër edhe ideja e bashkimit kombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë. Çështja është se, ky bashkim lakohet vetëm si pasojë e një euforie që kaplon shoqërinë dhe politikën shqiptare në moment festash apo në horizont duket si një realitet i prekshëm dhe një strategji e vërtetë?

Po të kemi parasysh dhe fjalimin e Edi Ramës në Pejë, i cili me qëllim ose jo, e shprehu këtë tezë në mënyrë direkte apo indirekte, atëherë është normale që ky diskutim të trajtohet me seriozitetin që i takon dhe mundësitë reale që ka për t’u realizuar.

Herët apo vonë, bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë do të ndodhë, sepse, në afatgjatë është e pakuptimtë që të ekzistojnë dy shtete shqiptare që kufizohen me njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, ky bashkim nuk duhet të përbëjë një tabu të opinionit publik shqiptar, madje dhe të atij ndërkombëtar. Mirëpo, e rëndësishme është që kjo të ndodhë në momentin e duhur dhe me qasjen e duhur. Dhe më rëndësishme akoma, është fakti që bashkimi kombëtar, të mos përdoret si një “barkë shpëtimi” për politikën kosovare dhe atë shqiptare për të gjitha problematikat që ajo ka. Por, ideja e bashkimit të avancojë në mënyrën sa më e serioze dhe të vërtetë të mundur.

Me shumë mundësi, një nga faktorët që do t’i hapte rrugën bashkimit kombëtar, është marrëveshja e shumëpërfolur midis Kosovës dhe Serbisë. E cila, do të zgjidhte përfundimisht integrimin përfundimtar të Kovës në organizatat ndërkombëtare. Dhe, në këtë mënyrë, do t’i jepte asaj dhe Shqipërisë pavarësi të plotë për të vendosur bashkimin ose jo. Sepse, duam apo nuk duam ne, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, vazhdon të mbetet ende i rëndësishëm për fatin e saj politik në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, duhet një dialog me Serbinë në këtë drejtim pa paragjykime, dhe me një logjikë të ftohtë diplomatike, për aq sa mund të jetë e mundur të evitosh emocionet në këto raste.

Nëse duhet apo jo kjo marrëveshje, apo me çfarë kostosh Kosova do të marrë njohjen e Serbisë për të dalë njëherë e përgjithmonë nga situata aktuale që ndodhet, kjo ende nuk dihet. Pasi, për sa i përket marrëveshjes së mundur, asgjë nuk dihet konkretisht deri më tani. Asnjë detaj nuk është bërë publik i kësaj marrëveshjeje të mundur. Kështu që, për të dhënë një gjykim përfundimtar, se çfarë fiton Kosova nga kjo marrëveshje, dhe me çfarë kostosh, është shpejt për t’u analizuar. E megjithatë, politika kosovare, por edhe ajo e Tiranës, në këtë aspekt janë të ndarë. Ndoshta, si pasojë e një mospjekurie te klasës politike shqiptare në përgjithësi, për të treguar edhe në një rast si ky, seriozitetin dhe vullnetin e përbashkët që kërkohet.

Por, e rëndësishme është të theksohet se, marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, tanimë nuk përbën një çështje tabu. Duke qenë se, aleatët më të mëdhenj të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mbështesin një marrëveshje të tillë, atëherë, është koha që të fillojë një diskutim siç duhet në Kosovë dhe Shqipëri rreth kësaj teme. Një diskutim gjithëpërfshirës dhe pa paragjykime, dhe jo një diskutim, i cili më shumë se sa ta bashkojë politikën shqiptare, po e përçan atë.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas