Kryesore

Basti i fundit i Bashës






               Publikuar në : 10:24 - 26/01/19 |
mapo.al

Zgjedhjet brenda PD-së dhe riorganizimi i opozitës në betejën institucionale dhe të protestave në rrugë. Kryedemokrati Basha përpara sfidave të mëdha për të synuar pushtetin dhe rrëzimin e qeverisë Rama. Disa beteja në opinionin publik të fituara të PD-së përballë pushtetit dhe shansi i fundit i kryedemokratit për t’i “shkurtuar ditët qeverisjes”. A frymëzon ekipi i ri dhe a po krijohet frymë edhe në elektorat? Flasin analistët Fitim Zekthi dhe Ergys Mërtiri.


Nga Sebi Alla

Në qershorin e vitit 2017, shigjetat sulmuese u lëshuan vrullshëm ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, për humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Më shumë se një “mllef” demokratësh që nuk morën dot pushtetin, pas zgjedhjeve pati shfryrje qytetare që vendi u la sërish në duart e kryeministri Edi Rama, duke iu trembur keqqeverisjes që do të shoqërohej me barrë të rëndë në ekonomi, rend, siguri dhe venitje të shpresës. Një vit pas qeverisë “Rama 2”, opozita nuk është vetëm spektatore e rënies së popullaritetit të mazhorancës (me shpresën e vetërrëzimit të saj), por po mundohet të ofrojë alternativë ndryshe. Riorganizimi i brendshëm i Partisë Demokratike, me zgjedhjet e reja në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesi, nuk kaloi vetëm si qarkullim emrash, por po shkon drejt krijimit të një fryme pozitive për të kaluar nga zyrat e partisë, deri poshtë në elektorat. Përtej qejfmbetjeve të brendshme, të pashmangshme në këto raste që zënë krye me lëshim mesazhesh të koduara, figurat e zgjedhura me votë dhe jo vetëm të përzgjedhura nga kryetari, ofrojnë më së paku garanci profesionale në fushat që drejtojnë, e shoqëruar edhe me pastërti figure, çka i mungon më shumë se gjithçka politikës sonë.

***

Për Bashën, humbja në zgjedhjet e kaluara Parlamentare ishte dështim, ndaj duhet të ndryshonte rrënjësisht në dy drejtime. Së pari, të krijonte perceptimin edhe të stisur nga kundërshtarët politikë, se tashmë ishte ai kreu i partisë, de facto e de jure, larg hijes së ish-liderit historik Sali Berisha. Së dyti, edhe me më shumë rëndësi, u synua rimbledhja e votave të humbura të demokratëve, pa lanë pas misionin kryesor të opozitës, denoncimin e aferave të qeverisë. Mungesa e një prokurorie të pavarur dhe një drejtësie në tërësi të shushatur nga “gijotina vetting”, ia kthyen në detyrim denoncimin e skandaleve. Në këtë pikë, opozita dhe veçanërisht PD, e ka fituar betejën në sytë e opinionit publik, duke paraqitur dokumente dhe dëshmi të cilat implikonin drejtues të lartë të qeverisë në afera të dyshuara korruptive dhe të lidhur direkt ose nëpërmjet të familjarëve në korrupsion dhe trafik të drogës. Ishin denoncimet e PD-së që çuan në shkarkimin e dy ministrave të Brendshëm në një kohë të shkurtër, ndërsa jo pak shtysë dha edhe në largimin e disa ministrave në dhjetorin e vitit të kaluar, pas publikimit të skandalit të abuzimit me tenderët e Unazës së Re dhe OST-së. Përtej pjesës denoncuese, po kalohet në planin “B”, në një opozitë protestuese ndaj qeverisë. “Nuk na mbetet gjë tjetër përveçse t’iu prijmë protestave qytetare deri në rrëzimin e qeverisë”-deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha. Gjithçka shkon në një linjë logjike pa shkëputje, ku në shtatorin e vitit të kaluar, kryedemokrati Basha pasi fitoi betejën me ligjin e dekriminalizimit (një arritje domethënëse duke larguar nga postet drejtuese politikanë të lidhur me krimin), kërkoi vetting në politikë, me ligje e ndryshime Kushtetuese, ndonëse fundi parashikohej teksa u rrëzua nga mazhoranca me forcën e kartonëve.

***

Në situatën aktuale, PD nuk ka në dispozicion kohën për t’u “mburrur” me ato çfarë ka arritur, por të përdorë çdo formë brenda kornizave demokratike në shkurtimin e ditëve të qeverisë Rama. Vetë opozita nuk përballon më një zhgënjim të dytë, në rast se humbet zgjedhjet. Me kritika, përkrahje dhe oscilacione të tjera, Basha ka bastin e fundit jo vetëm me veten dhe elektoratin e djathtë, por edhe pjesën tjetër të qytetarëve që janë në pritje të asaj çfarë ofrohet nga kampi opozitar për një qeverisje ndryshe. Përqendrimi i debatit nuk lidhet me shifra të aritmetikës së thjesht mbi baza partie, por ka një “parti në hije” që është ajo e të pavendosurve, elektorati gri që bojkoton zgjedhjet dhe është sqimatar në përzgjedhje. Më shumë se të mbledhë një për një votat e dikurshme të PD-së, tashmë shtuar LSI dhe PDIU, opozitës i nevojitet krijimi i frymës, ofrimi i alternativave dhe një programi që më shumë se te fjala do mbështetej në akte. Si për ironi të fatit, qershori i këtij viti do jetë prova e parë në përballjen në zgjedhjet lokale, ndonëse për Bashën nuk është “muaji i shansit”, e ka të qartë se rezultati i atyre zgjedhjeve do jetë sondazhi më i mirë nga mund të anojë pushteti në zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare. Opozita e ka rritur maksimalisht “stekën e kërkesave” duke artikuluar dendur rrëzimin e Edi Ramës si kryeministër dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në ndërrimin e taktikës nga luftë e fortë institucionale në parlament apo me denoncime, opozita do tentojë të ulet poshtë në elektorat, duke e ftuar të protestojë më datë 16 shkurt. Numri i pjesëmarrësve do ketë rëndësi, por vetëm për elektoratin që “ekzaltohet nga bollëku”, sfida e vërtetë mbetet që veç masivitetit të krijohet mentaliteti që opozita ka tagrin moral të dalë kundër qeverisë, pasi në të ardhmen nuk do jetë si ajo. Pikërisht nga vijimësia e protestës dhe nga dëmi i mëtejshëm që qeveria mund t’i shtojë vetes për muajt në vazhdim, mund ta çojë opozitën në pretendimin që bashkë me zgjedhjet lokale në qershor të këtij viti të mbahen edhe ato të përgjithshme. Analisti Fitim Zekthi shprehet se ekipi i ri i zgjedhur në drejtimin e PD-së më së paku jep garancinë e seriozitetit. “Ekipi i ri i PD-së mua më duket serioz, ka aty njerëz shumë të zotë dhe mjaft të përgjegjshëm, njerëz që njihen si të drejtë dhe të fisëm në përpjekjet e tyre partiake apo profesionale”. Sipas Zekthit, pjesa e parë e punës është bërë mirë dhe tashmë mbetet pjesa e dytë që ky ekip dhe PD në tërësi të shkojë te njerëzit dhe t’i bindë se ajo është serioze dhe ka fuqi të marrë përgjegjësi. Ai analizon se opozita duhet të nisë përballjen në rrugë në krye të protestave, por i druhet reagimit, teksa shton se “Çështja është se populli është i zhytur në apati dhe gjendet i kërcënuar më bukën e përditshme dhe nuk është në gjendje të dalë të protestojë gjatë dhe në masë të madhe kundër qeverisë”. Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri gjykon se beteja e opozitës edhe pse në normalitet duhet të ishte institucionale, në gjendjen aktuale i lind si domosdoshmëri protesta në rrugë. Një betejë për mbrojtjen e themeleve konstitucionale të vendit legjitimon çdo mjet joinstitucional. Pra, parimisht, në rrethanat ku ndodhemi, dalja e opozitës në rrugë është legjitime dhe madje e domosdoshme”, -thotë Mërtiri. Sipas tij, “injektimi i shpresës” nuk mund të vijë vetëm nga lëvizje politike, por ajo që mund t’i shërbente opozitës është rezultati në zgjedhjet lokale. “Një rezultat që tregon përmirësim, ngjall shpresën te shumë njerëz dhe i jep opozitës një frymëmarrje për të riorganizuar potencialet e reja që prodhohen”, deklaron Mërtiri, ndërsa shton se “sado e fortë të jetë propaganda qeveritare, njerëzit po e ndiejnë në realitet gjendjen e vështirë ku është zhytur vendi”.

 

“PD nuk mund të gjejë ekip që ngjall shpresë, por ekip që merr përgjegjësi”

Fitim Zekthi, analist, pedagog

Partia Demokratike është përfshirë nga zgjedhje të brendshme, duke sjellë në pozicione drejtuese personazhe të rinj, pa të shkuar në poste drejtuese dhe individë të cilët janë afirmuar në profesionet e tyre. A mund të themi se ekipi i tanishëm është tashmë i Lulzim Bashës?

Në një kuptim, përderisa të gjithë emrat e zgjedhur janë individë të propozuar nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, mund të thuhet se ekipi i zgjedhur është ekipi i Lulzim Bashës. Të gjithë ata që u zgjodhën në postet e nënkryetarëve, të sekretarëve dhe të kryesisë ishin propozime të kryetarit Basha. Çështja është se një parti e madhe si PD nuk mund të jetë kurrë një parti në të cilën ata që propozohen nga kryetari janë të kryetarit. Kryetari i partisë do të propozojë domosdo në përputhje me një filozofi të caktuar, në përputhje me një synim të caktuar dhe në përputhje me një kontekst të caktuar. Duke qenë një organizëm i gjallë, partia funksionon si një sistem që ka për qëllim të ruajë mbijetesën e saj, të rritet dhe të fitojë pushtetin. Për ta bërë këtë, ajo do të përpiqet të ripërtërihet nëpërmjet asaj që ka më të mirën. Në këtë kuptim, të gjitha propozimet e kryetarit Basha nuk mund të thuhet se prodhojnë një ekip të Bashës në emër personal, por një ekip të zgjedhur prej tij për synime që tejkalojnë synimet e një individi qoftë ky edhe kryetari. Kryetari Basha është një individ brenda sistemit, pavarësisht se është kryetari. Lulzim Basha nuk mund të veprojë në mënyrë që sistemi të rrezikojë mbijetesën dhe të mos rritet apo të mos jetë në gjendje të konkurrojë fort për pushtet. Duke qenë kështu ekipi është i tiji por edhe ai është i ekipit, sepse që të dy janë në shërbim të përtëritjes dhe fuqizimit të PD-së e cila i dominon edhe të zgjedhurit edhe kryetarin.

Opozita shpesh është etiketuar si një forcë politike që nuk ofron frymë dhe besim te qytetarët. Me ndryshimet e bëra dhe me artikulimin e Bashës që ka lënë të nënkuptohet se do ketë një shkëputje nga e “shkuara”, a janë nisma të mjaftueshme që mund të ngjisë në elektorat dhe rikthyer besimin dhe parë opozitën si shpresë për ndryshim të mënyrës qeverisëse?

Unë kam një pikëpamje që është pak e ndryshme nga diskursi i zakonshëm mbi ngjizjen e shpresës apo prodhimin e saj nga një parti apo një ekip partiak. Për mendimin tim, një ekip partiak apo një parti, nuk ka mundësi të prodhojë më shpresë në shoqërinë e sotme të paktën sot për sot. Këtë e them jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vende të tjera. Në Britani nuk ekziston më një parti që mund të ngjallë shpresë dhe të entuziazmojë njerëzit. Në Gjermani, të gjitha partitë janë gati në krizë. Asnjë parti nuk ka fuqi të prodhojë shpresë. Në Itali po ashtu. Në Greqi, Maqedoni, Spanjë, Kosovë, kudo. Sot ka një krizë të pluralizmit dhe të demokracisë. Sot ka një humbje të madhe të besimit te partitë dhe te demokracia. Në këtë kuptim, Partia Demokratike nuk mund të gjejë një ekip që ngjall shpresë. Partia demokratike mund të gjejë një ekip që është serioz, që është i zoti të marrë përsipër përgjegjësi dhe që është i zoti të kuptojë se çfarë sfidash ka përpara. Ekipi i ri i PD-së mua më duket serioz, ka aty njerëz shumë të zotë dhe mjaft të përgjegjshëm, njerëz që njihen si të drejtë dhe të fisëm në përpjekjet e tyre partiake apo profesionale. Mendoj se pjesa e parë e punës është bërë mirë dhe tashmë mbetet pjesa e dytë që ky ekip dhe PD në tërësi të shkojë te njerëzit dhe ‘t’i bindë se ajo është serioze dhe ka fuqi të marrë përgjegjësi.

Pas organizimit të brendshëm betejën e vërtetë të fortë PD dhe partitë e tjera aleate do e kenë me qeverinë. Si duhet të jetë sjellja e një beteje institucionale apo protesta popullore? Gjithashtu, në qershor janë edhe zgjedhjet lokale, çfarë duhet të bëjë opozita në situatën aktuale, kur ka edhe zëra të vendosur që “Me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira”, një bojkot do jetë opsion?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Ata që duhet të përgjigjen në PD dhe ata që do të marrin përsipër përgjegjësinë e një vendimi të tillë, duhet të kenë vërtet shumë të dridhura kur të flasin për këtë punë. E sigurt është që sot Shqipëria është një autokraci e dominuar nga Rama, është një vend në krizë ekonomike dhe në krizë sociale e politike. E sigurt është që zgjedhjet zhvillohen nën shenjën e parasë dhe kërcënimit me vende pune dhe me humbje të punës, zhvillohen në shenjën e njerëzve që vijnë nga trafiku dhe droga. E sigurt është që PD do t’i shërbente në mënyrën më të keqe vendit nëse nuk do ta njihte dhe tregonte njerëzve këtë gjendje. Çështja është a duhet të përballet opozita dhe populli në rrugë me këtë autokraci dhe me këtë lidhje krim-qeverisje apo duhet të përballet në kuvend dhe në zgjedhje? Përballja në rrugë do të ishte përgjigja e parë. Çështja është se populli është i zhytur në apati dhe gjendet i kërcënuar më bukën e përditshme dhe nuk është në gjendje të dalë të protestojë gjatë dhe në masë të madhe kundër qeverisë. Atëherë opozita do të drejtojë protesta që do të vijnë duke u bërë gjithnjë e më të vogla me pjesëmarrjen të mbështetësve të vet. Kjo duket një rrugë e vështirë por nëse opozita arrin të drejtojë protesta të forta të popullit, ajo do t’i bëjë një shërbim të madh kombit. Rruga e dytë është më e lehtë të realizohet dhe më e pasigurt edhe se sa e para për rezultatin. Mund të bësh opozitë të fortë dhe garë “heroike” zgjedhore por sërish qeveria me anë të parasë i blen zgjedhjet. Herën e fundit kjo gjë ndodhi. Atëherë rruga e vetme mbetet rruga. Të shohim. Protestat hë për hë janë e vetmja zgjidhje.

Nëse opozita futet në zgjedhje dhe rezultati në votime do njohë rritje për opozitën, a është tregues se ndryshimi i pushtetit në zgjedhjet e përgjithshme do jetë i mundshëm?

Unë jam i bindur që qeveria ka vdekur dhe që kryeministri është një zombie, pra një i vdekur i ngritur nga varri ose një i vdekur që ecën. Në qoftë se do të kishte zgjedhje të lira, pra, ta zëmë se vjen dhe instalohet një trupë speciale që kontrollon KQZ, policinë dhe SHISH, dhe nuk lejon asnjë milimetër blerje votash dhe kërcënim është e sigurt që njerëzit do ta ndëshkojnë keq PS-në. Ose imagjino sikur Rama të pranojë të mos jetë kryeministër por qeverinë ta drejtojë një individ i paanshëm është e sigurt se ai do të humbë keq. Miti sikur Rama fiton dhe opozita është e dobët është ngritur nga Rama në mënyrë që ai të justifikojë blerjen e zgjedhjeve, por nuk ka të bëjë me asgjë konkrete.

 

“Opozita i ka elementët të jetë një alternativë ndaj një qeverisjeje si kjo”

Ergys Mërtiri, analist

Partia Demokratike është përfshirë nga zgjedhje të brendshme, duke sjellë në pozicione drejtuese personazhe të rinj, pa të shkuar në poste drejtuese dhe individë të cilët janë afirmuar në profesionet e tyre. A mund të themi se ekipi i tanishëm është tashmë i Lulzim Bashës?

Natyrisht që, në një kuptim të drejtpërdrejtë ky është ekipi i Lulzim Bashës, për sa kohë ai i ka përzgjedhur ata. Por sidoqoftë është një ekip i votuar, i cili, përveç vlerësimin e kryetarit, ka edhe votëbesimin e përfaqësuesve të anëtarësisë në Këshillin Kombëtar. Pra, më shumë se thjesht ekipi i Bashës, ky ekip është përfaqësim i vetë partisë. Vetë Basha ka zgjedhur të ndërtojë një ekip që përfaqëson të gjitha flukset dhe korrentet brenda partisë së tij, duke u përpjekur ta mbajë atë të bashkuar. Pra, tipari kryesor i këtij ekipi është konsolidimi i përfaqësueshmërisë, për t’i dhënë njëfarë kompaktësimi një partie të karakterizuar nga një konfliktualitet i hershëm të intensifikuar tashmë kur ajo është në opozitë dhe kur lidershipi është ndryshuar. Përveç kësaj, kryesia e re shfaq edhe një sërë risish në përfshirjen e disa emrave të rinj, të cilët ofrojnë një imazh të ri për partinë. Basha është munduar të ruajë ekuilibrat: Midis grupeve rivale, midis të rinjve dhe të vjetërve, midis imazhit të ri dhe respektimit të kapitaleve ekzistues etj. Ndoshta kjo balancë nuk është ajo që publiku pret, pasi shumë njerëz duan të shohin ndryshime rrënjësore, por politika është e tillë që të dikton leximin dhe respektimin e koniunkturës. Çdo lider në pozitat e Bashës do të ishte nën këtë presion të dyanshëm midis nevojës për të dëshmuar transformime radikale dhe nevojës për të mbajtur të konsoliduar strukturat.

Opozita shpesh është etiketuar si një forcë politike që nuk ofron frymë dhe besim te qytetarët. Me ndryshimet e bëra dhe me artikulimin e Bashës që ka lënë të nënkuptohet se do ketë një shkëputje nga e “shkuara”, a janë nisma të mjaftueshme që mund të ngjisë në elektorat dhe rikthyer besimin dhe parë opozitën si shpresë për ndryshim të mënyrës qeverisëse?

Problemi këtu, në gjykimin tim, fillon me pritshmëritë që krijojmë nga një forcë politike. Shqiptarët janë të lodhur me politikën në tërësi dhe është vështirë që një forcë politike, cilado qoftë kjo, të ngjallë shpresën që ata kërkojnë. Për ta bërë këtë do të duhej që ajo të ishte një forcë jopolitike dhe këtu lind një inkoherencë e madhe. Duke i kërkuar opozitës që të ngjallë llojin e shpresës që ne kërkojmë, ne jemi duke i kërkuar asaj të sillet si një organizatë jopolitike, revolucionare, që ofron një platformë përmbysëse. Por, a është e mundur kjo? Pyetja që duhet shtruar për të qartësuar idetë është: Çfarë ngjall shpresë në këtë vend? Një protestë studentësh që i dha shkëndijat e një shprese të madhe, solli një sërë zhgënjimesh si pasojë e sulmeve që i erdhën pikërisht nga politika, më saktë nga qeveria, dhe një arsenal i tërë mediash, analistësh, institucionesh iu hodhën përsipër duke e zvetënuar, megjithëse ajo lëvizje solli gjëra të mrekullueshme edhe me kaq sa arriti. Imagjinoni sa e vështirë është kjo për një parti me një histori të gjatë përfshirjeje në këtë sistem politik që ka shkaktuar kaq indinjatë! Gjithashtu, është shumë e vështirë që një opozitë të prodhojë shumë shpresë kur ka përballë një pushtet të tillë të fuqizuar nëpërmjet monopolizimit të çdo sfere të veprimtarisë njerëzore. Një qeveri që ka uzurpuar thuajse të gjitha pushtetet e pavarura, që ka shtënë në dorë gjykatat, prokurorinë, institucionet e pavarura, mediat, bizneset, shoqërinë civile madje edhe vetë krimin e organizuar, natyrisht që ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të prodhuar ato perceptime publike që dëshiron, për ta çuar ujin në mullirin e saj. Unë mendoj se një prej instrumenteve kryesore për të vrarë shpresën është ngritja e pritshmërive deri në atë pikë sa gjithçka të duket një utopi. Opozita është tek e fundit një forcë politike dhe nuk mund t’i kërkojmë asaj të dalë përmbi kushtet që imponon koniunktura ekzistuese. Unë gjykoj që kjo opozitë i ka elementët të jetë një alternativë ndaj një qeverisjeje si kjo. A do të qeverisë ajo kur të vijë në pushtet, ashtu siç ne do të dëshironim? Duke e ditur që mrekullitë nuk mund të ndodhin në këtë vend dhe se sistemi e pamundëson që të kemi qeveri që kënaqin pritshmëritë tona, të paktën mund të shpresojmë, dhe kemi arsye ta bëjmë këtë, që qeveria e ardhshme të mos bjerë deri në nivelin e ortakërimit me krimin e organizuar si kjo që kemi. Në kushtet ku jemi, shpresa tek opozita mbetet në faktin se ato mund të bëjnë të mundur kërcënimin e pushtetit me rotacion të vazhdueshëm, i cili, kur është i shpeshtë, mund të sjellë përmirësime graduale, në vend të përmbysjeve revolucionare që më shumë i përkeqësojnë gjërat. Në këto kushte, z. Basha ia ka dalë të bëjë të mundur një pjesë të transformimit të nevojshëm të partisë për të krijuar përfytyrimin e një fillimi të ri, por do t’i duhet ende shumë rrugë për të bërë, ndërkohë që është i detyruar të ruajë edhe ekuilibrat e brendshëm. Me sa jam në dijeni, Partia Demokratike ka hyrë në një proces ristrukturimi i cili do të vazhdojë edhe pas zgjedhjes së kryesisë. Pritet të krijohen struktura të tjera të cilat do të kenë për mision të prodhojnë një alternativë pushteti. Mbetet për të parë se sa do të mundet ajo të afrojë njerëzit e duhur për të na bindur se ka grumbulluar kapacitetet e mundshme për të paraqitur një alternativë serioze.

Pas organizimit të brendshëm betejën e vërtetë të fortë PD dhe partitë e tjera aleate do e kenë me qeverinë. Si duhet të jetë sjellja e një beteje institucionale, apo protesta popullore? Gjithashtu, në qershor janë edhe zgjedhjet lokale, çfarë duhet të bëjë opozita në situatën aktuale, kur ka edhe zëra të vendosur që: “Me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira”, një bojkot do jetë opsion?

Në parim, një parti politike e zhvillon aktivitetin e saj me mjete institucionale, aq më tepër kur ajo është parti parlamentare dhe forca e parë opozitare në vend. Por në kushtet kur kemi të bëjmë me një pushtet që po asgjëson një prej themeleve më të rëndësishme të demokracisë si ndarja e pushteteve, lufta institucionale duket e kotë, pasi institucionet nuk funksionojnë për të balancuar pushtetin. Mbi të gjitha, një betejë për mbrojtjen e themeleve konstitucionale të vendit legjitimon çdo mjet joinstitucional. Pra, parimisht, në rrethanat ku ndodhemi, dalja e opozitës në rrugë është legjitime dhe madje e domosdoshme. Por a është kjo e efektshme? Praktikisht, në kushtet ku ky pushtet ka asfiksuar çdo frymë opozitarizmi, duke mbjellë skepticizmin, mosbesimin dhe apatinë shoqërore, është e vështirë që opozita t’i bindë njerëzit t’i bashkohen një fryme të madhe revoltash. Kjo bëhet akoma më e vështirë kur vetë partitë opozitare kanë qenë pjesë e problemeve gjatë këtyre dekadave dhe shumë njerëz nuk besojnë më tek ato. Nëse PD dhe LSI, do të kishin bërë transformime radikale, duke larguar të gjithë figurat që kanë qenë në pushtet gjatë qeverisjeve të mëparshme, të cilat prodhojnë kosto elektorale negative, ndoshta mund të krijonin një efekt të tillë, por kjo duket e pamundur. Një gjë është e vërtetë në fakt. Të hysh në zgjedhje përballë një pushteti të tillë të monopolizuar në çdo aspekt, të përzierë me para të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, është shumë e vështirë. Megjithatë bojkoti, nga ana tjetër, do të ishte një vetëvrasje, për sa kohë ndërkombëtarët nuk do ta pranojnë, siç ndodhi me çadrën. Shumë gjëra në fakt varen prej tyre dhe, fakti që niveli i demokracisë në vend ka rënë deri në këtë pikë vjen edhe prej faktit se ata kanë qenë arbitra të këqij.

Nëse opozita futet në zgjedhje dhe rezultati në votime do njohë rritje për opozitën, a është tregues se ndryshimi i pushtetit në zgjedhjet e përgjithshme do jetë i mundshëm?

Patjetër që po. Një rezultat që tregon përmirësim, ngjall shpresën te shumë njerëz dhe i jep opozitës një frymëmarrje për të riorganizuar potencialet e reja që prodhohen. Dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, për shkak se, sado e fortë të jetë propaganda qeveritare, njerëzit po e ndiejnë në realitet gjendjen e vështirë ku është zhytur vendi. Është e kuptueshme që, opozita e ka të vështirë të fitojë në zgjedhje vendore përballë një force politike në pushtet, por gjithsesi ajo mund të rrisë kredencialet e veta në këto zgjedhje. Kjo do të kërkojë një bashkërendim të mirë të koalicionit opozitar dhe, mbi të gjitha, një përzgjedhje të mirë të figurave që do të kandidojnë.


Etiketa: , , , ,

Pas