Drejtuesit e Bayern Munich kanë vendosur ta bëjnë efektive klauzolën e blerjes se James Rodriguez. Klubi gjerman tashmë ka njoftuar se do të paguajë 42 milionë euro, të vendosura si çmim për transferimin e lojtarit kolumbian, siç është rënë dakord nga të dyja klubet, verën e kaluar. Në 42 milionë eurot duhet të shtohen edhe 13 milionë euro të paguara nga transferimi i kolumbianit këtë sezon dhe sezonin e ardhshëm, kështu që lamtumira e James nga Real madridi do të kushtojë 55 milionë euro.
Vendimi i klubit bavarez është i fortë dhe në të vërtetë, Real Madridi tashmë është në dijeni të lëvizjes së bavarezëve, liderët e të cilëve mund të prisnin 12 muaj për të nënshkruar transferimin definitiv, por kanë vendosur t’i sjellin më përpara afatet dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e një lojtari, që është bërë referencë absolute e dorës së Jupp Heynckes.
James Rodriguez e filloi aventurën gjermane me ankthin e krijuar nga ndryshimi i vendit, stilit dhe gjuhës, por tani të gjitha këto probleme janë në histori dhe mesfushori ka arritur të marrë respektin e madh të shokëve të skuadrës dhe stafit teknik. Vetë ish-lojtari i Real Madridit ka dhënë “ok” për operacionin.
James ka filluar të studiojë gjermanisht, në një demonstrim të qartë se vazhdimësia e tij është bërë realitet. Ai ka humbur 10 ndeshje në Bundesliga për shkak të mungesës së përshtatjes dhe vuajtjeve të ndryshme fizike. Përkundër kësaj, kontributi i tij është në rritje, duke nënshkruar 5 gola dhe 11 asiste mes kampionatit gjerman, Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve./TeleSport