Pesë gola i janë dashur Bayern Munich për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë kundër Heidenheim, skuadër e kategorisë së dytë të futbollit gjerman. Takimi i zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Allianz Arena” është mbyllur 5-4 në favor të vendasve.
Gola, karton i kuq dhe përmbysje nga të dyja skuadrat, asgjë nuk i ka munguar kësaj sfide. Spektakli ka filluar në minutën e 12-të me golin e Goretzka-s, që ka bërë të mendohej se bavarezët do të merrnin një fitore të lehtë sot.
Gjithçka ka ndryshuar tri minuta më pas, kur Sule është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të një faulli si lojtar i fundit. Miqtë kanë përfituar nga superioriteti numerik, duke barazuar më Glatzel në të 26-ën dhe duke përmbysur rezultatin me Schattener në të 39-ën.
Në fillimin e pjesës së dytë ka ardhur reagimi i vendasve, që kanë shënuar dy gola të shpejtë me Muller (53′) dhe Lewandowski-n (56′). Në të 65-ën ka ardhur edhe goli i katërt për bavarezët, i realizuar nga Gnabry.
Gjithsesi, Heindeheim nuk është dorëzuar dhe ka shënuar dy gola të tjerë me Glatzel (74′, 77′ pen.), duke barazuar takimin në 4-4. Kur mendohej se ndeshja do të shkonte në shtesë, Bayern ka realizuar golin e pestë me një penallti të Lewa-s (84′).
Megjithatë, merita për këtë fitore të vendasve duket se është e Muller. Bayern, në fakt, ka fituar të 19 ndeshjet e Kupës së Gjermanisë në të cilat sulmuesi gjerman ka shënuar gol, një rekord në këtë kompeticion.