Sot ka nisur fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët atje këtë herë po përgatiten të një kryeministër shqiptar. E para që e hedh këtë hap është BDI.
Sot në fshatin Kranjë të Prespës, kreu i integristëve Ali Ahmeti shpalosi emrin e kandidatit për kryeministër shqiptar, i cili është Naser Zyberi. Ky i fundit u prezantua përpara mbështetësve të BDI në çeljen e fushatës elektorale.
Ali Ahmeti tha se këtë vendim e kanë marrë pas konsultimeve që i kanë bërë me shoqërinë civile, akademikë, njerëz të fushave dhe kontribues si në kulturën shqiptare e shtetërore ashtu edhe intelektuale.
“Pasi janë shterur të gjitha konsultat, duke e promovuar si ide, ide që duhet mbështetur nga të gjithë shqiptarët, por pse jo, kësaj ideje duhet t’i gëzohen edhe bashkëqytetarët maqedonas, sepse është ide në të mirë të të gjithëve”, tha Ahmeti.
Lazim Destani tha “Jo”
Ditë më parë kishte zëra se kandidat është Lazim Destani, biznesmeni nga Tetova, por ai vetë i hodhi poshtë spekulimet duke u shprehur se nuk është i interesuar për t’iu futur jetës politike.
Emër tjetër i përfolur në opinion ishte ai i Abdylmenaf Bexhetit, por profesori universitar në emisionin “10minuta” në TV21 deklaroi se “kjo është e pamundur në agjendën e tij” për shkak se ka edhe dy vite mandat si rektor i UEJL-së, megjithatë përgjigje të prerë nuk pati dhënë, duke thënë: “nuk do të doja t’ju referoja një përgjigjeje me po, ose jo. Nuk është çështja me po ose jo”.
Zgjedhjet
Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, programet e tyre do të mund t’i paraqesin deri më 12 korrik në orën 00:00 kur përfundon fushata zgjedhore.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1.598 kandidatë.
Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të realizohet përgjatë tre ditëve, ndërsa ditën zgjedhjeve orari do të zgjatet me dy orë, deri në 21:00.
Më 13 korrik do të votojnë personat të cilët janë në karantinë shtëpie për shkak të testit pozitiv me Covid-19 dhe personat të cilëve u është caktuar masa vetëizolim me vendim nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.
Më 14 korrik të vitit 2020 do të votojnë personat e sëmurë dhe të pamundur, si dhe të sëmurët kronikë dhe personat e tjerë të cilët konform Kodit Zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Në ditën e zgjedhjeve, më 15 korrik, vendvotimet do të hapen në orën 07:00, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21:00, dy orë më gjatë se zakonisht në zgjedhjet paraprake kur vendvotimet mbylleshin në orën 19:00.