Aktualitet

BE, FMN dhe Venecia kundër Ramës









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 04/12/20 |
mapo.al

Një fillim Dhjetori i vështirë për kryeministrin, i cili mori disa goditje të forta politike nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Me vendimin e Bashkimit Europian për të shtyrë negociatat, raportin e Venecias për Kodin Zgjedhor dhe FMN për procesin e rindërtimit, qeveria është kritikuar rëndë në pikat ku ajo bazonte gjithë propagandën e saj politike dhe që i kishte si kalin e betejës për zgjedhjet që po vijnë.



Nga Blerina Gjoka


Në harkun kohor të dy ditëve në këtë fillim muaji, qeveria Rama është rrëzuar tre herë.




Tri institucione të rëndësishme ndërkombëtare i kanë dhënë goditje të forta mazhorancës qeverisëse dhe kryeministrit Edi Rama vetëm 5 muaj para zgjedhjeve.



Vendimi i BE për shtyrjen pa afat të çeljes së negociatave, dhe sidomos komenti i kancelares Merkel, e cila u shpreh se në rastin e Shqipërisë ka probleme, raporti i FMN që kritikonte procesin e rindërtimit dhe opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor, kanë rrëzuar pikat që qeverisja aktuale i konsideronte më të fortat në propagandën politike.


Për asnjërin prej këtyre raporteve, kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë reagim.

Ndërkohë, ai ka preferuar ta shfrytëzojë lënien e presidencës së radhës të OSBE-së si një shfaqje tjetër të një “lideri global” që jep leksione për funksionimin e kontinentit dhe medias, kur edhe aty Europa i ka vënë bllokadën për shkak të tentativave për të shkelur lirinë e shprehjes.

Rama e kishte bazuar të paktën mandatin e dytë të qeverisjes së tij në premtimin e çeljes së negociatave me BE-në, një ngjarje e shumëpritur që prej vitit 2014 kur vendi u pranua me statusin kandidat.

Por kjo gjë nuk ndodhi as këtë dhjetor dhe, ashtu siç bëhet e qartë në raportin e fundit zyrtar të Këshillit të Ambasadorëve të vendeve anëtare, përgjegjësia bie mbi mazhorancën qeverisëse për mosplotësimin e parakushteve të vendosura për Shqipërinë.

Një nga këto kushte ishte reforma zgjedhore nëpërmjet një dialogu të gjerë politik, një kusht që u plotësua në qershor, por u shkel pikërisht me iniciativë të Ramës duke ndryshuar Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, një muaj më pas.

Për t’u mbushur mendjen shqiptarëve që Europën e kishte në krah, Rama u bënte jehonë bisedave telefonike 40-minutëshe me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila para dy netësh ia mbylli derën me një fjali të thatë: “Nuk mund ta premtoj çeljen e negociatave brenda vitit”.

Një ditë pas vendimit të Brukselit për shtyrjen e negociatave ishte Komisioni i Venecias, një nga organizmat më të rëndësishëm të Këshillit të Europës, që kritikoi ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor duke i cilësuar të nxituara.

Rama nuk denjoi as të merrte pjesë në konsultimet e këtij komisioni me palët e interesuara në vend, ndërsa thirrjeve të forta që erdhën nga BE për të pritur opinionin e Venecias, iu përgjigj me ironi dhe arrogancën e kartonave të mazhorancës në Kuvend.

Duke i siguruar vetes kuadrin ligjor që do ta ndihmonte në përballjen elektorale më 25 prill 2021, Rama e drejtoi fokusin e propagandës politike te procesi i rindërtimit nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019.

Edhe pse në shkelje totale të premtimeve të tij, që çdo banor i prekur nga tërmeti do të ishte në shtëpitë e reja në fund të 2020-ës, ky proces sapo ka nisur.

Por menaxhimi i parave, 1.15 miliard euro nga vendet e BE-së dhe vende të tjera që në shkurt të këtij viti, ka ngritur shumë kritika.

Raporti i FMN-së i publikuar 2 ditë më parë del në konkluzionin se realizimi i planit të rindërtimit deri në shtator ishte vetëm 8 për qind e totalit vjetor të buxhetuar.

Sikur të mos mjaftonin këto goditje të forta të njëpasnjëshme në dy ditët e para të dhjetorit, dje u publikua një raport i GRECO-s (Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit), ku vihet theksi te mungesa e zbatimit të ligjeve kundër korrupsionit.

Negociatat

Bashkimi Evropian vendosi që të shtyjë për në muajin mars të vitit 2021 vendimin për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ra dakord në konkluzionet e tyre se Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga marsi 2020.

“Ndryshe nga projekt-konkluzionet e mëparshme, propozimet e fundit të Presidencës Gjermane nuk përmendim më dhjetorin si muajin e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo konferencë do të mbahet kur Shqipëria të plotësojë dy kushtet e mbetura: ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e ligjit antishpifje”, thuhet në vendimin e ambasadorëve.

Opinioni i “Venecias”

Komisioni i Venecias iu ka dërguar palëve opinionin paraprak për ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor.

Sipas Venecias, ndryshimet ishin jashtëzakonisht të nxituara, dhe kjo kërkon një konsultim më të gjerë para se ato të ishin miratuar.

Po ashtu Komisioni i Venecias bën të qartë se është detyra e Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, prandaj është me rëndësi që ajo të jetë funksionale.

Që në nisje të dokumentit, Komisioni i Venecias shprehet se “procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118 ishin jashtëzakonisht të nxituara.

Konsultime të gjera ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar një afat të duhur, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre ndryshimeve themelore”.

Komisioni i Venecias nënvizon se “stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për të siguruar besimin në procesin zgjedhor, dhe në veçanti për të përjashtuar çdo dyshim për manipulim të kornizës legjislative elektorale.

Sa më afër zgjedhjeve të miratohen ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, aq më shumë mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve”.

FMN për rindërtimin

FMN bën të qartë në raportin e saj se është i dukshëm mosrealizimi për rindërtimin pas tërmetit, që në shtator ishte vetëm 8 për qind e totalit vjetor të buxhetuar.

Në raportin e FMN-së thuhet: “Shpenzimet totale u rritën me 5.5 për qind me bazë vjetore, po janë të nënrealizuara në krahasim me planin e buxhetit.

Lexo edhe :  Presidenca - Ramës: Jepi zemër ansamblit "Babëzia", deri më 25 prill

Ky nënrealizim është veçanërisht i dukshëm për rindërtimin pas tërmetit, me shpenzimet që në shtator ishin vetëm 8 për qind të planifikimit buxhetor vjetor”.

Në buxhetin e 2020-ës, shuma totale e parashikuar për rindërtimin ishte 34 miliardë lekë, ose 270 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, deri në shtator, qeveria kishte shpenzuar vetëm rreth 22 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit.

GRECO: Qeveria nuk ka plan kundër korrupsionit për ministritë

Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, i njohur nën siglën GRECO, jep vlerësim për kuadrin ligjor për parandalimin e korrupsionit nga Shqipëria duke kritikuar mungesën e një plani për ministritë dhe moszbatimin e ligjeve në këtë drejtim.

Kritika të forta ka në këtë raport për policinë e shtetit dhe mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë.

Një nga pikat e këtij raporti është premtimi i një Strategjie Ndërsektorale kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit për zbatimin e tyre të cilat parashikojnë miratimin dhe zbatimin e një Plani Integriteti nga çdo ministri.

Por nënvizohet se sidoqoftë, këto plane nuk janë hartuar ende. GRECO i bën thirrje qeverisë shqiptare, për miratimin e tyre të shpejtë dhe për marrjen parasysh të rreziqeve specifike të integritetit me të cilat mund të përballen ministrat dhe këshilltarët e tyre politikë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Gjithashtu theksohet se një Kod Etik Ministror u miratua në vitin 2013, por GRECO dyshon nëse zbatohet në praktikë dhe nëse është funksional Komisioni i Etikës që parashikohet në këtë Kod.

Ai rekomandon adresimin e këtij boshllëku dhe kombinimin e masave që do të miratohen me veprimtari sistematike ndërgjegjësimi për çështje që lidhen me integritetin e të gjithë PTEF, përfshirë edhe këshilltarët politikë.

Sipas këtij raporti, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet në këtë kontekst rregullave të qarta pas periudhës së punësimit dhe zbatimit të tyre. Është krijuar kuadri i përgjithshëm për deklarimin e interesave private, rregullisht gjatë ushtrimit të funksioneve, si edhe rast pas rasti.

Sidoqoftë, nuk ka raste të PTEF që kanë qenë të detyruar të tërhiqen nga një dosje ose diskutim specifik për shkak të një konflikti interesi ad hoc, i cili hedh dyshime mbi efikasitetin e sistemit në praktikë.

Ndërkohë raporti nxit autoritetet shqiptare të gjejnë sa më parë një zgjidhje, për të bërë plotësisht funksionale Gjykatën e Lartë, e cila numëron aktualisht vetëm 3 nga 5 gjyqtarë të nevojshëm për të shqyrtuar çështjet.

Ky organ i Strasburgut, në raportin e radhës mbi Parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, ngre shqetësimin se janë emëruar vetëm 1/5 e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga 19 gjyqtarë që pritet të ketë kjo trupë gjyqësore dhe kërkon plotësimin edhe funksionimin e saj tërësisht të pavarur.

“Numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë mbetet i lartë, megjithëse kohët e fundit janë bërë plane dhe janë marrë masa specifike për ta ulur atë.

GRECO nxit autoritetet shqiptare të gjejnë zgjidhje të përshtatshme në mënyrë që Gjykata e Lartë të mund të funksionojë në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe legjislativ.

Është thelbësore që një Gjykatë e Lartë e depolitizuar dhe e pavarur të funksionojë plotësisht dhe me efikasitet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Eurodeputetja socialiste Santos dënon ashpër ligjin e medias

Edhe eurodeputetja socialiste Santos e dënon ashpër Ramën e ligjin e medias. Raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian pritet të jetë më kritiku në këto njëzet vite.

Projekt-raporti për Shqipërinë i socialistes portugeze Isabele Santos dënon me fjalët më të ashpra cenimet e lirisë së medias në vendin tonë dhe shpreh “shqetësim të thellë” për ligjet antishpifje të qeverisë Rama i cili duhet përshtatur me opinionin e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu Santos “shënon me shqetësim mungesën e progresit në lirinë e shprehjes dhe në heqjen e pengesave për funksionimin e mediave të pavarura”.

Rama e miratoi ligjin e medias në dhjetor 2019 përballë kundërshtimit e kritikës të opozitës, shoqërisë civile e ndërkombëtarëve.

Por në janar 2020 ai u detyrua të tërhiqej para presionit të shtuar nga Brukseli dhe nuk rrëzoi në Kuvend dekretin e kthimit të ligjit; ai premtoi se do të ndiqte rekomandimet e “Venecias”.

Eurodeputetë si raporteri David Lega e kanë quajtur ligjin një pengesë serioze në rrugën drejt Europës duke shtuar se Rama tregohet i ashpër me gazetarët e i butë me narkobosët.

Edhe pse opinioni i Venecias u miratua në qershor 2020, sot, pas gjashtë muajsh Rama nuk ka pasqyruar rekomandimet e tij dhe nuk ka nisur konsultime me grupet e interesit siç ka insistuar Komisioni Europian.

Draftet e reja që qeveria shpërndau në shtator përmbanin vetëm ndryshime kozmetike. Është interesant që një gjuhë e ashpër kundër Ramës po përdoret nga një socialiste si Santos, e cila më parë nuk është dalluar për kritika ndaj qeverisë së Tiranës.

Drafti do t’i nënshtrohet debatit në Komisionin e Jashtëm dhe në mars 2021 parashikohet të votohet në plenare. Ende nuk dihet nëse teksti i Santosit do të amendohet.

Pjesë nga projekt-raporti i Santos për Shqipërinë për shoqërinë civile dhe median: “Thekson nevojën për përmirësim të klimës të funksionimit të shoqërisë civile dhe nxit autoritetet të garantojnë konsultim të duhur dhe gjithëpërfshirës dhe të rrisë qëndrueshmërinë financiare të sektorit jo qeveritar.

Thekson me shqetësim mungesën e progresit të lirisë së shprehjes dhe të pengesave për funksionimin e duhur të medias të pavarur.

Bën thirrje për rëndësinë e garantimit të gazetarisë cilësore dhe shkrimit mediatik për funksionimin e demokracisë dhe për të sulmuar keqinformimin.

Dënon dhunën, intimidimin, fushatat e njollosjes dhe presionin tërthorazi politik e ekonomik kundër gazetarëve, që kufizon lirinë e medias, shkakton vetëcensurim dhe cenon përpjekjet për zbulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar;

Shpreh shqetësimin e thellë për mekanizmat e propozuar te projektligji i medias dhe mirëpret zotimin për të miratuar ndryshimet sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas