fbpx

Aktualitet

BE-ja nuk ka lider për reforma të mëdha





               Publikuar në : 10:39 - 07/11/19 |
Augustin Palokaj

Augustin Palokaj


Në kohën e tranzicionit institucional të BE-së, kur pritet nisja e mandatit të ri pesëvjeçar i Komisionit Evropian, ndërrimi në krye të Këshillit Evropian ndërsa Parlamenti i ri Evropian tashmë ka nisur punën, sikur është harruar se fjalën kryesore në Bashkimin Evropian e kanë liderët e shteteve anëtare e jo institucionet e përbashkëta në Bruksel. U pa kjo edhe në dështimin e fundit për të vendosur nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sikurse që po shihet edhe në rastin e liberalizimit të vizave me Kosovën.



Në këto raste Komisioni Evropian dhe Parlamenti mbështesin fuqishëm të dyja këto vendime, por në Këshill, për shkak të qëndrimeve të shteteve anëtare, nuk ka gatishmëri që ato të kalojnë. Prandaj sa herë që mendohet se si do të ndikojnë ndryshimet në krye të institucioneve në Bruksel në të ardhmen e BE-së, duhet shikuar gjendjen e brendshme në shtetet anëtare, sepse kjo determinon më shumë kahun e BE-së sesa kush do të ketë cilin funksion në Bruksel.


Pavarësisht shumë ndryshimeve në procesin e vendimmarrjes, në BE ende vendimet kryesore duhet të miratohen njëzëshëm nga të gjitha shtetet anëtare. Buxheti shumëvjeçar, ndryshimi i traktateve, procesi i zgjerimit, secili veprim në politikën e jashtme dhe shumë vendime të tjera. Për çfarëdo reforme domethënëse në BE është e nevojshme të ketë liderë të fortë nacionalë, që e kanë qeverinë stabile në vendin e tyre, guximin dhe gatishmërinë të bashkëpunojnë me kolegët e shteteve të tjera në nivel evropian, dhe janë të gatshëm të ҫojnë përpara qëllimet e deklaruara. Janë shumë vendime dhe reforma që e presin BE-në, e për të cilat është folur shumë në vitet e fundit. Por në vend të reformave të mëdha, BE-ja është në një stagnim.

Me pothuajse dy vjet vonesë ka nisur diskutimi formal për Kornizën shumëvjeçare financiare dhe gjykuar nga dallimet e mëdha në qëndrime mes shteteve anëtare, vështirë që do të arrihet kompromisi i nevojshëm mes atyre që duan buxhet më të vogël (sepse BE-ja do të jetë pas Brexitit më e vogël për 65 milionë banorë) dhe atyre që kërkojnë buxhet më të madh. Pa miratimin e kësaj kornize, e cila konfirmon se ku do të investohen paratë e BE-së në shtatë vjetët e parë të dhjetëvjeçarit të ri, nuk mund të nisë zbatimi i politikave që janë definuar si prioritet, nga agjenda digjitale, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme e deri tek ndryshimet klimatike e forcimi i mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së.

Nuk është hera e parë që BE-ja ndodhet në një situatë të tillë, sepse sa herë që është folur për mjete financiare gjithmonë ka pasur diskutime të vështira. Por ato janë tejkaluar falë lidershipit të përgjegjshëm, që kanë mundur të marrin përsipër barrën e arsyetimit të qëndrimeve para qytetarëve të tyre edhe kur është dashur të paguajnë më shumë në emër të solidaritetit mes anëtarëve të BE-së. Por sot BE-ja ka një mungesë serioze të lidershipit në nivel nacional. Ka shumë pak liderë të cilët janë në gjendje të ndërmarrin veprime, të cilat nuk janë të popullarizuara tek qytetarët nëse mendojnë se vendimet e tilla janë të mira, për ndonjë interes më madhor sesa vetëm interesi nacional.

Dhe nëse secili lider shikon vetëm interesin nacional, siç po ndodh sot në BE, atëherë hapësirë për reforma të mëdha nuk ka. Kësaj duhet shtuar edhe situatën shumë jostabile politike në shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian. AngelaMerkel dhe JeanCluadeJuncker janë në largim e sipër, Britania po largohet nga BE-ja, Italia mbijeton politikisht me Qeveri të çuditshme, Spanja zhvillon zgjedhje të jashtëzakonshme çdo vit, qeveritë liberale në Holandë dhe Francë janë të ndikuara nga agjendat populiste, krijimi i qeverisë në Belgjikë është një fantazi shkencore, kryeministri i Çekisë dyshohet për keqpërdorim fondesh të BE-së, në Rumani është votuar mosbesimi i Qeverisë. Në një BE ku qeveritë më stabile duken ato në Poloni dhe Hungari, të cilat janë në luftë me Brukselin, nuk ka shumë hapësirë për reforma të mëdha, sidomos jo nëse bartësi kryesor i tyre është presidenti i Francës EmanuelMacron.

është pa dyshim lideri më aktiv në skenën e BE-së. Por me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Francë, dhe me popullaritetin në rënie tek qytetarët, Macron po rrëshqet drejt populizmit, ndoshta për të ndalur rritjen e mbështetjes për Marine le Pen, e cila edhe kësaj radhe do të jetë sipas të gjitha gjasave kundërkandidatja kryesore e tij në zgjedhjet presidenciale. Kjo shihet nga deklaratat e Macronit për zgjerimin e BE-së, për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe për “rrjetet kriminale” nga Bullgaria dhe Ukraina, për punëtorët e dërguar nga një shtet i BE-së në tjetrin sipas direktivave evropiane.

Këto deklarata, po t’i kishte thënë dikush tjetër, do të ishin afër për t’u quajtur raciste, megjithëse Macron me siguri nuk ka tendenca të tilla, por ato deklarata mund të jenë thjesht të pamenduara mirë. Me heshtjen e Qeverisë gjermane, në të cilën po shkrihen të dyja partitë në koalicionin e madh, në dobi të të gjelbërve, të së majtës dhe të së djathtës ekstreme, Franca merr rolin e udhëheqësit të BE-së dhe atë pa asnjë balancë forcash. Pos Gjermanisë, një anemi politike mbretëron edhe në Itali dhe Spanjë, ndërsa Britania është tashmë jashtë çfarëdo diskutimi për reformat e Bashkimit Evropian dhe vetëm pret formalizmin e largimit. Prandaj edhe reformat e mëdha në BE duhet pritur ditë më të mira dhe daljen në skenë të liderëve më të guximshëm sesa që janë sot.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas