Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca komunikoi një tjetër ndihmë në drejtim të Shqipërisë, në shumën e 10 milionë eurove në luftën ndaj Covid-19. I pranishëm në spitalin “Nënë Tereza”, ku u shpërndanë 20 respiratorë dhe aksesorë të tyre, Soreca bëri me dije se gjatë javës që vjen do të vijnë 30 respiratorë të tjerë të lëvizshëm në Shqipëri.
“Kjo ishte ndihma e 5-të e BE për Shqipërinë gjatë pandemisë, teksa më e madhja ishte ajo 50 milionë eurove në fillim të saj, ku 4 milionë euro shkuan për pajisje shëndetësore, 11 për mbrojtjen sociale dhe 35 për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Luigi Soreca duke falenderuar më tej të gjithë epidemiologët dhe të gjithë ato që punojnë në ISHP.
“Në emër të BE jemi shumë krenarë për çfarë keni bërë. Strategjia e BE, ka qenë një strategji e dyfishtë, të asistojë me materiale mjekësore për t’u ardhur pacientëve me COVID-19, por dhe materialet mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe Policinë Kufitare”, u shpreh Soreca.