Aktualitet

BE propozon lehtësimin e kufizimeve për udhëtarët














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:37 - 03/05/21 |
mapo.al

Zyrtarët e Bashkimit Evropian propozuan të hënën zbutjen e kufizimeve për udhëtarët që duan të vizitojnë bllokun prej 27 anëtarësh ndërsa fushata për vaksinimin ka marrë hov në atë kontinent





Aktualisht, udhëtimi drejt vendeve të bllokut është jashtëzakonisht i kufizuar, me përjashtim të një numri të vogël vendesh me shkallë të ulët infeksioni. Por me afrimin e sezonit turistik, Komisioni Evropian shpreson që rekomandimet e reja do të zgjerojnë në mënyrë dramatike numrin e atyre vendeve.


“Komisioni propozon lejimin e hyrjes në Bashkimin Evropian për arsye jo-të-domosdoshme, jo vetëm për individët që vijnë nga shtetet me situatë të mirë epidemiologjike, por gjithashtu për njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të vaksinës së autorizuar nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.





Vaksinat kundër koronavirusit të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), rregullatori i bllokut, përfshijnë vaksinat e kompanive Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. EMA nuk ka miratuar asnjë vaksinë nga Rusia apo Kina, ndërsa po shqyrton të dhënat për vaksinën ruse Sputnik V.



Zyrtarët e Bashkimit Evropian besojnë se fushata e vaksinimit të bllokut do të ketë së shpejti efektin e duhur në luftën kundër virusit vdekjeprurës. Propozimi për zbutjen e kufizimeve do të diskutohet këtë javë me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Komsioni Evropian shpreson që propozimi të hyjë në fuqi deri në qershor.


Vendet e Bashkimit Evropian gjithashtu mund të vendosin në mënyrë individuale për të pranuar udhëtarë të imunizuar me vaksinat e rekomanduara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH ka miratuar përdorimin e vaksinave të njëjta që ka miratuar EMA, dhe pritet që së shpejti të marrë një vendim mbi vaksinën kineze Sinopharm.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Adalbert Jahnz, tha se udhëtarët e vaksinuar plotësisht që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian duhet të lejohen të vizitojnë Evropën. Ai këmbënguli se propozimi nuk synon përjashtimin e tyre nga testimi apo karantinimi pas mbërritjes. “Kjo varet nga vendet anëtare”, tha ai.

Komisioni po ashtu propozoi rritjen e pragut të shkallës së infektimeve të reja që aktualisht përdoret për të përcaktuar se nga cilat vende lejohen të gjitha udhëtimet.

Lexo edhe :  BE, miliarda për të dalë nga kriza e Covid-19

“Udhëtimet jo-të-domosdoshme, pavarësisht nga statusi individual i vaksinimit, aktlualisht lejohen vetëm nga shtatë shtete me një situatë të mirë epidemiologjike.”

Aktualisht, nëse një vend ka 25 të infektuar për 100 mijë banorë në një hark kohor prej 14 ditësh, udhëtarët nga ai vend mund të vizitojnë BE-në. Propozimi kërkon rritjen e këtij pragu në 100 të infektuar për 100 mijë banorë.

“Shifra mbetet dukshëm poshtë mesatares aktuale të BE-së, e cila është mbi 420”, thuhet në propozim.

Është e paqartë se cilat vende aktualisht plotësojnë kushtet, por një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili nuk ishte i autorizuar të citohej me emër, sepse propozimi ende nuk është miratuar, tha se Izraeli patjetër që i plotëson kushtet.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet me pikëpyetje dhe SHBA për momentin jo. Por po shohim se sa shpejt po ndryshon situata në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht shkalla e vaksinimit”, tha ai.

Në rast se situata e infeksioneve përkeqësohet në një vend jashtë bllokut, Komisioni ka propozuar një “bllokim urgjent” për të ndaluar hyrjen e varianteve të rrezikshme në bllok përmes miratimit me shpejtësi të kufizimeve për udhëtarët.

Zyrtarët e bllokut dhe të shteteve po diskutojnë rreth mundësisë së një çertifikate për COVID-19, që synon lehtësimin e udhëtimeve nëpër rajon gjatë verës.

Dokumentet, ndonjëherë të quajtura pasaporta të koronavirusit, ose çertifikata jeshile, do t’u jepeshin banorëve të Bashkimit Evropian që mund të provojnë se janë vaksinuar ose e kanë marrë veten nga COVID-19.

“Deri në futjen në funksionim të çertifikatës dixhitale, vendet anëtare duhet të jenë në gjendje të pranojnë çertifikata nga vende jashtë BE-së”, tha Komisioni, duke shtuar se fëmijët e pavaksinuar duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë me prindërit e tyre të vaksinuar nëse janë të pajisur me dokumentacion që tregon se janë negativ për virusin përmes testit PCR./VOA/

7


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas