Gjatë këtij viti, për vendin tonë janë bërë publik një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe një rezolutë e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.
Në pikën e tij të tretë, ky i fundit thekson: “Kujtojmë se progresi në anëtarësim sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit varet nga reformat e qëndrueshme në të gjitha fushat themelore, në veçanti në sundimin e ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”.
Ndërkohë nga ana e tij Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e hartuar për vitin 2020 thekson se Shqipëria “ka pak përparim në fushën e pastrimit të parave”, shkak korrupsioni e trafiku i drogës. “Reformat kushtetuese, përfshirë këtu vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave.”
Tre pikat e përcaktuara në të dy raportet përbëjnë në fakt sfidën më të madhe përballë së cilës ndodhet vendi ynë dhe ku pushteti politik duhet të tregojë përgjegjshmëri dhe vullnet të hekurt për të shpëtuar një herë e mirë vendin nga kthetrat e një standardi banal të shtetit shqiptar: qëndrueshmëria në sundimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit, pastrimi i parave.
Reforma e pushtetit gjyqësor që reklamon qeverisja ndihmon, por e ka të pamundur e vetme garantimin e mbretërimit të ligjshmërisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për t’i shpëtuar presionit politik sepse atij nuk i shpëton dot kurrë, por për njohjen reale të shtrirjes dhe thellësisë së dy problemeve dhe vullnetin politik të qeverisjes për ta çrrënjosur duke mobilizuar tërësisht shoqërinë.
Në vija të përgjithshme dihet që në një shoqëri me cilindo nivel civilizimi ka mjaft fenomene sociale penalisht të dënueshme të cilat janë të rralla dhe organet kompetente nuk e kanë shumë të vështirë për të vendosur drejtësi jo thjesht për faktin se nuk janë të shumta në numër, por sepse për to nuk ka as konsensus popullor. Pra, nuk ka shtresa sociale të caktuara që i mbështesin për arsye nga më të ndryshmet. Por nga ana tjetër kemi edhe fenomene të tjera sociale penalisht të dënueshme të cilat për fakte të lidhura edhe me historinë e shkuar të vendit, edhe me atë të tashme, gëzojnë konsensus të gjerë social.
Konkretisht tashmë dihet që shoqëria shqiptare ka një konsensus jo të vogël në raport pikërisht me dy problemet që nënvizojnë të dy raportet e mësipërme, korrupsioni dhe pastrimi i parave. Konsensusi për korrupsionin është më masiv sesa ky i dyti thjesht për faktin se pastrimi i parave, i lidhur ngushtë me korrupsionin, është objekt i një shtrese më të ngushtë sociale, të karakterizuar nga pushteti vendimmarrës që zotëron.
Të dyja fenomenet në tërësi nuk perceptohen nga publiku i gjerë si rreziqe për shoqërinë, por vetëm si rreziqe për burg. Sepse rreziku për shoqërinë shqiptare, në tërësi materializohet vetëm kur ai kërcënon drejtpërdrejt integritetin e një individi. Ky perceptim sjell për pasojë të parë masivitetin e fenomenit të korrupsionit pavarësisht se ai dënohet penalisht, kurse pastrimi i parave ka specifika të tjera.
Shfaqja e parë masive e korrupsionit paraqitet në raportet e shtresave të ulëta dhe të mesme të shoqërisë me një administratë të paqëndrueshme, të politizuar e cila nuk shihet si e besueshme sepse mbi të gjitha është e përkohshme. Kjo bën që shtresat e mësipërme, kliente të shtetit të kenë mungesë totale të besimit ndaj shërbimeve të ofruara prej tij e për rrjedhim janë të predispozuara për të paguar që ta blejnë këtë shërbim. Po ashtu edhe administrata e shtytur nga përkohshmëria e saj nuk e ofron shërbimin pa e shitur. Pra, jemi në fushën e një korrupsioni të lidhur me mitmarrjen, në formën e një shitblerjeje kontrabandë.
Ky lloj korrupsioni është i shtrirë shumë gjerë dhe e dëmton, e shëmton shoqërinë. Ai shihet me neveri nga shtresat e larta të shoqërisë të cilat si dominuese të vlerave sociale të vendit, në këtë mënyrë përcaktojnë edhe stekën e nivelit se kur individi duhet të ndihet me turp. Kjo është edhe sfera në të cilën drejtësia ka ndërhyrë më shumë që faktohet nga profili i të dënuarve që popullojnë burgjet tona aktualisht me dënime në formë përfundimtare. Për goditjen e korrupsionit të kësaj shtrese, drejtësia e djeshme nuk ka shumë ndryshim nga kjo e sotme ndërkohë që qeverisja reklamon numrin e madh të goditjeve që ka pësuar ky fenomen.
Por problemi real qëndron te shtresat më të larta sociale. Të dyja raportet e cituara, theksin e kanë vënë te korrupsioni i lidhur fort me pastrimin e parave. Ky korrupsion ka rrezikshmëri shumë më të lartë
se ai më sipër, por përfaqësuesit e tij nuk para i gjen nëpër burgjet tona, madje në një nga raportet përmendet me emër vetëm një person.
Pastrimi i parave do të ishte minimal ose i pamundur, në rastin më ideal nëse nuk do të ishte korrupsioni i niveleve të larta qeverisëse. Janë nivelet e larta të politikës dhe të administratës ato që kanë fuqi vendimmarrëse e për rrjedhim të krijojnë mundësinë që paratë e krimit të kthehen në para të pastra jo vetëm duke u investuar, siç tashmë dihet në ndërtim, por edhe të futen në investime publike. Pra, shtresa e mësipërme e goditur më shumë nga drejtësia nuk ka lidhje me këtë fenomen sepse nuk ka fuqi për të marrë vendime në lartësi të tilla.
Në këto kushte të mburresh se e ke luftuar korrupsionin më shumë se askush tjetër në historinë e vendit e njëkohësisht raportet ndërkombëtare të flasin për shqetësim në rritjen e pastrimit të parave, do të thotë të gënjesh pa e ditur se ku të del gënjeshtra, ose të jesh aq i familjarizuar me fenomenin saqë korrupsion të quash vetëm atë të shtresave të përmendura më sipër.
Të dyja fenomenet janë të lidhura ngushtë dhe ushqejnë njëra-tjetrën. Korrupsioni ndihmon pastrimin e parave duke krijuar në këtë mënyrë automatikisht në vetvete stoqe me para të papastra të cilat më pas edhe ato kërkojnë të pastrohen. Pra, krijohet një rreth vicioz i pandalshëm që merr përmasa të tilla saqë kthehet në mënyrë qeverisjeje.
Këtu qëndron edhe rrezikshmëria e korrupsionit të niveleve të larta. Janë vetëm ato që mund të mundësojnë pastrimin e parave, janë vetëm ato që mund të korruptohen në nivele të tilla saqë të pastrojnë paratë e korrupsionit të tyre duke e kthyer në këtë mënyrë fenomenin e tyre të korrupsionit në një mënyrë për të qeverisur.
Në një kontekst të tillë kur ligji zbatohet vetëm për një shtresë dhe jo për një tjetër, ai mbetet selektiv e për rrjedhim i paqëndrueshëm, ndryshe nga ç’kërkon raporti, pra sundimin e ligjit. Kur krijohet bllokim i tillë, zgjidhja nuk mund të kryhet brenda mureve të dosjeve penale, kërkohet vullnet tjetër politik.