Kryedemokrati Lulzim Basha, në një lidhje të drejtpërdrejtë për ABC e Mëngjesit me Enkel Demin dhe Sibora Bitrin, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht dhe të votojnë më 25 prill, ndërsa foli edhe për borxhin ndaj Becchetti-t
Basha tha se këto zgjedhje do të kenë pjesëmarrjen më masive që është parë në këto 30 vite demokraci.
“Është dita e shqiptarëve, ftesa ime është që ta intensifikojnë këto orë politikën. Do jetë pjesëmarrja më masive në 30 vite dhe fitorja do të jetë masive” – tha Basha.
Ndërsa, i pyetur se çfarë do të ndodhë me borxhin që Shqipëria i ka Francesco Becchetti-t, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, Basha tha se “fatura” do të paguhet me pasuritë e kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçit.
Lideri demokrat tha se dëmi është shkaktuar nga sjellja e kryeministrit, kryebashkiakut dhe Agaçit. Për këtë, shtoi ai, do të bashkëpunohet me Europol dhe organizata të tjera ndërkombëtare për të ngritur mekanizma e për të gjurmuar pasuritë e tyre.