Si një rrufe në qiell të hapur, u përhap lajmi se Skënder Gega nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Klubi i kuq, ka vendosur të mos e vazhdojë bashkëpunimin me teknikun që riktheu titullin kampion në shtëpinë e kuqe, pas plot 26 vitesh.
Por, ja çfarë deklaronte Gega në konferencën pas shtyp pas ndeshjes ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”, një javë më parë, teksa të kuqtë kishin ngritur edhe trofeun e titullit kampion.
“Do përpiqem ti përmbahem kontratës. Çdo gjë që mund të ndodhi. Në klub gjithçka ka funksionuar siç duhet. Sot duhet të festoj. Është ditë e lumtur për mua. Vetëm klubi është ai që unë mund të merrem vesh. Nuk ka pasur deri tani oferta dhe nuk ka” – shprehej Gega më datën 26 maj.
Por, nga ana tjetër, tekniku Gega bëhej gati për të hedhur hapat e duhur për merkaton e verës, teksa deklaronte se do merrte vetëm ata që vërtetë do bënin diferencën tek grupi i Partizanit, teksa e quante më të vështirë sezonin tjetër, pasi do luanin si kampionë.
“Në një familje jo gjithmonë mund të përfundohet një projekt. Duhet të jemi të kujdesshëm që ai që vjen të bëjë diferencën. Jam i dashuruar mbas këtij grupi. Klubi ka projektet e veta dhe interesat e veta. Uroj që dikush të largohet për mirë dhe të bëj progres. Asgjë s’është konkrete. Do ulem me klubin me drejtorin dhe presidentin. Do bëjmë më të mirën për klubin. Vitin tjetër është dyfish më e vështirë për ne, sepse do luajmë si kampionë” – ishin gjithashtu fjalët e Gegës./PANORAMASPORT.AL/