Karikatura e mjeshtrit Kapexhiu në numrin e sotëm të gazetës Mapo, po bëhet virale. Ai është futur në debatet dhe përplasjet e forta në PD, pas vendimit të Bashës për të përjashtuar Sali Berishën, i shpallur non-grata nga SHBA.
Sipas Kapexhiut, Basha aktualisht ka mbështetjen e amerikanëve, ndërsa Berisha është popullor dhe ka përkrahjen e bazës.
Debati në PD po bëhet gjithnjë dhe më i fortë.
Mbrëmë, mbështetësit e kryetarit, janë shprehur në debatet televizive, se PD nuk do të duhej të cënonte vokacionin perendimor dhe amerikan, dhe se vendimi për të përjashtuar përkohësisht Berishën nga Grupi Parlamentar ishte i dhimbshëm, por i detyrueshëm.
Ndërsa kritikët dhe kundërshtarët, deklaruan se ky akt, është një vendim arbitrar, dhe i pakonsultuar me forumet.
Me këtë sjellje, sipas tyre, Basha shfaqet si autoritarist, njësoj si kundërshtari i tij, dhe dëmton forcën politike.
Sali Berisha ka lajmëruar se sot do të jetë me mbështetësit e tij në Fier, në turin që sipas tij do të sjellë ndryshime në PD, ku vendimet nuk do të merren më nga një person, kushdo që të jetë në krye të partisë.
Produkt i këtij turi do të jetë mbledhja e Kuvendit Kombëtar.
Ndërsa, Lulzim Basha është shprehur dje se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar të jashtëzakonshëm, dhe nuk do të lejojë që në PD të ketë lëvizje anti-amerikane.