Kryesore

‘Bëj gati valixhet’: Artur Zheji tregon mesazhet me Edi Ramën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:09 - 08/05/19 |
mapo.al

Investimi i kryeministrit Edi Rama në përkrahje të idesë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës duket se do ketë kosto. Analisti kosovar Augustin Palokaj shkruan se kjo mund të jetë arsyeja se përse Shqipërisë nuk do i hapen negociatat. Kurse analisti Artur Zheji mendon se pikërisht rrëzimi i kësaj teze në Samitin e Berlinit, shënon edhe fundin politik të Edi Ramës.


“Deri pak kohë më parë, pakkush e dinte përgatitjen e aventurës më të fundit gjeopolitike. Ishte skema më e fundit gjeopolitike, që u zhvillua vitin e fundit 2018-2019 dhe që lidhej me ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, nën emërtesën e rreme të një paqeje të qëndrueshme Kosovë-Serbi, “lojë” të cilën e hapi dhe e shtjelloi fort mirë fillimisht, vetë Hashim Thaçi. Pikësynimi paskësh qenë, krijimi i një faktorizimi të pazakontë dhe shumëvjeçar, i treshes Thaçi-Rama-Vuçiç… si një treshe Paqesjellëse dhe Paqedashëse, por njëkohësisht edhe garantuese e stabilitetit në pjesën më të përvëluar të Ballkanit.


Pavarësisht se kishte një paraqitje dhe parashtrim të përkryer në formë, krejt ndryshe se çfarë fshihte në përmbajtje, kjo skemë, dështoi turpshëm në Berlin, me dy varrmihës ekselentë, Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin francez Macron.


Kjo ndoshta ishte karta e fundit, që Rama luajti “ndërkombëtarisht”, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e vet, nën mbështetjen ndërkombëtare, duke zënë arbitrarisht vendin e “rëndësishëm” të garantit të “moderuar” të Tiranës, në mes të kokave të nxehta të Beogradit dhe Prishtinës. Për të qenë sa më korrekt në analizë, kjo ishte nga pikëpamja e taktikës politike, një lëvizje e zgjuar, sepse në tregun e gjeopolitikës, Shqipëria, nuk ka se çfarë ofron tjetër, përveç “stabilitetit”, apo përpjekjes hipokrite, për të luajtur një rol të tillë në sytë e perëndimorëve të shqetësuar, nga prania e afërt ruse në këtë rajon rrëshqitës.


Mirëpo kanceleritë europiane, të pandehura “budallaqe”, nga Vuçiç, Thaçi dhe Rama, dikur zgjohen nga gjumi i besimit të tepruar për “djemtë e mirë” që vijnë nga Ballkani, të cilët, duket se vendosën në Bruksel dhe në Berlin, një bombë me sahat, duke e mbështjellë si një ëmbëlsirë lokale, të mirëkuptimit dhe të arsyetimit trilateral, Beograd-Prishtinë-Tiranë, që mbiquhej ndryshe, një Marrëveshje Paqeje e qëndrueshme,” shkruan Zheji.

Më tej ai tregon një shkëmbim mesazhesh mes tij dhe Edi Ramës.

“Ramë ziu është sot mjeran në Bruksel, Paris, Berlin, Prishtinë…

Kur i pata shkruar ca muaj më parë të bënte valixhet, pa u ngarkuar me turpe të tjera, më ktheu përgjigje në cel, në të vërtetë i fundit mesazh prej tij, se do të kalonte akoma edhe shumë kohë për “valigjet e tij”(kështu e shkroi fjalën “valixhe”, KM-ja).

Zbardhja e mëtejshme e kësaj “aventure”, për të mos përdorur fjalën e rëndë konspiracion, në kurriz të Brukselit, Berlinit dhe Parisit, përshpejton largimin e kryeministrit tonë, ndërkohë që Vuçiçi i ngriti publikisht duart lart, në Beogradin e trazuar.

Shpejt Perëndimi, pak mbasi të sheshohet mirë dheu, do të reagojë edhe mbi këtë lojë të rrezikshme, varrosur bujshëm në Berlin…” shkruan Zheji.

LEXO EDHE:

“S’ka negociata me BE-në pasi Rama u investua për ndarjen e Kosovës”


Etiketa: , , , , ,

Pas