“Nëse zoti Berisha largohet, që nesër fillon bashkimi i Partisë Demokratike”.
Kështu u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko.
Sipas tij, Partia Demokratike duhet të drejtohet nga një gjeneratë tjetër, në mënyrë që të ecë përpara.
“Unë po ju them këtë. Nëse zoti Berisha largohet që nesër, menjëherë fillon bashkimi i Partisë Demokratike dhe ajo që këta e thonë, por nuk e bënë, rithemelimi i partisë. Partia Demokratike ka nevojë të rithemelohet, të ndërtohet mbi bazën e një filozofie të re, të shkëputet nga berishizmi. Një gjeneratë tjetër duhet ta marrë Partinë Demokratike dhe ta çojë përpara”, theksoi ai , në një intervistë për “Euronews Albania”.
Bejko u shpreh se ish-kryetari i PD-së nuk ka i numrat për shkarkimin e Enkelejd Alibeaj, si kryetar legjitim i Grupit Parlamentar Demokrat.
“Jo, e ka të pamundur sepse e përcakton neni 16 i rregullores së Kuvendit i cili thotë që deputetët zgjedhin Kryesinë e grupit, ku bën pjesë kryetari i grupit, nënkryetari, sekretarët dhe pjesa tjetër e Kryesisë së grupit. Nuk ka fare të drejtë partia të zgjedhë Kryetarin e Grupit Parlamentar. Partia Demokratike është e ndarë. Grupi Parlamentar është e ndarë në tre pjesë. PD është përçarë sepse Berisha e mori partinë forcërisht”, theksoi Bejko.
Pas zgjedhjes së Berishës së kryetar i PD-së, Foltorja organizoi zgjedhjet e saj për Kryetar të Grupit Parlementar, në të cilën u zgjodh Luçiano Boçi.
Megjithatë, Enkelejd Alibeaj figuron zyrtarisht si kryetar i grupit.